Albspirit

Media/News/Publishing

Monumenti i Hajdarit të Azerbajxhanit shkon në Meksikë

Me një pagesë prej 5 milionë dollarësh, kryeqyteti pranon të zbukurojë një park me monumentin e pazakontë

Will Grant, BBC

Monumenti më i ri në kryeqytetin e Meksikës u ndërtua në përkujtim të jetës së një njeriu që, sipas pllakës, ishte një shembull ndriçues i besnikërisë ndaj idealeve universale të paqes botërore”. Mos bëhet fjalë për Nelson Mandelën? Apo për Martin Luther Kingun?

Jo. Statuja e bronzit me përmasa jetësore që tashmë zbukuron një kopsht të posaçëm në qytetin e Meksikës, i përket ish-presidentit të shtetit të Azerbajxhanit, një vend i pasur me naftë. Hajdar Alievi është një njeri që ka marrë Urdhrin e Leninit. I përshkruar nga shumë organizata si një shtypës i disidentëve, monumenti i tij ka shkaktuar një debat në rritje që kur u zbulua disa javë më parë.

“Në veçanti nuk e pëlqej justifikimin publik që jep qeveria e qytetit për vendosjen e kësaj statuje”, thotë Andres Lajous, një gazetar vendas.

“Ata thanë thjesht se kjo ishte për shkak se qeveria e Azerbajxhanit dha disa milionë dollarë për rindërtimin e parkut, i cili tashmë quhet Parku i Azerbajxhanit. Por nuk na kanë dhënë asnjë shpjegim se pse qyteti ynë duhet të përkujtojë Hajdar Alievin”. Deri më sot, qeveria e qytetit, e udhëhequr nga kryebashkiaku në largim Marcelo Ebrard, nuk ka dhënë asnjë koment publik mbi debatin. Por kur Ebrard zbuloi Parkun e Azerbajxhanit disa kohë më parë, ai tha se “është një testament për vullnetin e dy popujve për të qenë më afër”. Ai nënvijëzoi gjithashtu se gjatë 16 viteve të fundit, asnjë nga 180 misionet diplomatike apo 45 organizatat ndërkombëtare me bazë në qytet nuk ka dhënë shumë para për hapësirat publike siç veproi Azerbajxhani.

Në një intervistë për BBC, ambasadori i Azerbajxhanit në Meksikë, Ilgar Mukhtarov, ishte shumë i interesuar të theksonte se projekti ka qenë në diskutim për shumë kohë dhe se “këto zona parku kishin shumë nevojë për shpëtim dhe rinovim”.

“Ne me kënaqësi e kapëm mundësinë për të treguar vlerësimin tonë për popullin e Meksikës, duke marrë pjesë në këtë projekt ambicioz për rigjallërimin urban”, tha ai.

Ambasadori komentoi gjithashtu mbi financimet, rreth 5 milionë dollarë, që u dhanë nga Baku për parqet dhe statujën. Pllakati e përshkruan Alievin si një “politikan dhe shtetar të madh”.

“Paratë nuk u dhanë drejtpërsëdrejti për qeverinë vendore të qytetit të Meksikës. Ambasada punësoi kompani ndërtimi, të cilat rigjallëruan parkun në bashkëpunim me autoritete të ndryshme të qytetit”, shtoi ambasadori.

“Besoj se kostoja e dhuratës nga populli i Azerbajxhanit për popullin e Meksikës nuk është shumë e rëndësishme. E rëndësishme është që parqet të shijohen nga qytetarët e këtij qyteti të madh.”

Kontroll stalinist?

Por këto shpjegime nuk i bindin shumë kritikët si Lajous. “Në thelb (qeveria e qytetit të Meksikës) po tregohet oportuniste në kuptimin që ata morën paratë nga Azerbajxhani, pasi e dinin se kjo përmendore nuk ka asnjë kuptim politik në qytetin tonë”, argumenton ai. “Situata do të ishte ndryshe në rast se statuja e propozuar do t’i përkiste George Bush apo Hugo Chavez.

“Ata nuk do të vendosnin një statujë të Chavez, pavarësisht sesa para do të ofronte ky i fundit. Por Azerbajxhani është shumë larg dhe ne dimë shumë pak gjëra mbi të.”

Natyrisht, shumë njerëz te parku përreth monumentit nuk qenë të informuar se kush ishte Presidenti Aliev dhe as që ia kishin idenë se për çfarë arsye po nderohet në këtë mënyrë.

“Më duhet të pranoj, nuk e di se kush është ky”, thotë Herminio Batalla, ndërsa lexon një gazetë në një stol të parkut. “Por besoj se është shumë mirë që ata dhuruan të gjitha këto para për të përmirësuar parkun.”

“Kush paguan, ka të drejtë të zgjedhë”, thotë Jose Romeo, një pastrues makinash që punon pranë parkut. “Gjithsesi nuk mendoj se është një ide veçanërisht e mirë (të ngresh një përmendore për Alievin), por çfarë mund të themi ne meksikanët? Na duhet të kafshojmë gjuhën, për shkak se janë paratë e tyre që paguan për gjithë këtë.”

Të tjerë ankohen se hapësira nuk u përdor për dikë tjetër me më shumë rëndësi në historinë e Meksikës.

“Kjo shkon shumë mirë për të forcuar lidhjet me vendet e tjera”, thotë Paula Vaja, një arkeologe. “Por ka meksikanë shumë më të rëndësishëm që nuk kanë memorialë.”

Ndërsa unë po largohesha nga monumenti, më ndodhi diçka acaruese. Po paketoja kamerën dhe mikrofonin kur m’u afrua një djalë që “kujdeset” për parkingun, i njohur në ekonominë informale të Meksikës si djaloshi “viene viene”. Çuditërisht nuk kërkoi para, por më pyeti se për çfarë televizioni punoja dhe pas kësaj, më tha se ambasada e Azerbajxhanit ishte shumë e interesuar të fliste me mua.

Menjëherë mori në telefon dikë tek ambasada dhe më ndihmoi të organizoja një intervistë me ambasadorin. Kontroll stalinist? Apo një mbështetje e padëmshme për një kalimtar të zakonshëm që shpreh interes për Azerbajxhanin?

Kur pyeta ambasadorin Mukhtarov, këmbënguli se bëhej fjalë për të dytën. Kritikët e qeverisë së Bakut mund ta shikojnë këtë moment, si dhe statujën e ish-presidentit, disi më ndryshe.

 

Kush ishte Hajdar Alievi?

Ish-oficer i lartë i KGB-së dhe anëtar i Byrosë Politike

Hajdar Alievi ishte njeriu që dominoi politikën e Azerbajxhanit për më shumë se 30 vjet. Ai mori postin e kreut të shtetit në Azerbajxhanin Sovjetik më 1969-n, si Sekretari i Parë i Partisë Komuniste. Më 1982-shin u bë myslimani i parë në Byronë Politike në Moskë, por u përzu prej saj gjatë lëvizjes për reformë të Gorbaçovit më 1987-n. Ai u kthye triumfalisht në Baku më 1993-shin për të ndaluar luftën civile në këtë vend. Qeverisi për një dekadë me dhunë, duke nxitur investimet e huaja dhe duke shtypur kundërshtarët politikë. Ai fitoi dy herë zgjedhjet presidenciale, të cilat nuk qenë as të lira dhe as të ndershme. Ai po priste të zgjidhej për herë të tretë kur vdekja u kujtua për të. Pushtetin ia la të birit, të cilin e pati emëruar Kryeministër dhe që vijon të jetë president. Hajdari e kaloi rininë e tij në ambientet vrasëse të KGB-së, ndërsa i biri jetoi duke fituar para me naftën dhe duke i shpenzuar ato nëpër kazino. Hajdari njihej edhe si një njeri që pinte alkool gjatë gjithë ditës së punës.

Sot ai disponon dhjetëra statuja nëpër të gjithë Azerbajxhanin, si dhe në disa qytete jashtë vendit.

Please follow and like us: