“Porta drejt ferrit”, gropa gjigante në shkretëtirë që digjet prej 40 vjetësh
Me një shikim të parë mund të krijojë përshtypjen e një skenë të shkëputur nga një film fantashkencë. Por kjo vrimë e zjarrtë gjigante në zemër të shkretëtirës së Karakumit nuk është aspak pasojë e një sulmi alien nga përtej hapësirës në Tokë. Bëhet fjalë për një krater gjigant të krijuar nga gjeologët rreth 40 vjet më parë dhe që nga ajo kohë e deri më sot flakët vazhdojnë të digjen.
Mirë se vini në Derweze në Turkmenistan, ose siç e quajnë banorët vendas “Porta që të çon drejt ferrit”. Gjeologët sovjetikë ishin duke gërmuar në këtë vend në vitin 1971, kur hasën në një shpellë të mbushur me gaz natyror, por toka ku ata ishin duke shpuar u shemb si rezultat i fuqisë së shpërthimit, duke krijuar një gropë të madhe me diametër 70 metër.
Duke iu trembur faktit se nga gropa e krijuar do të vazhdonte të dilte gaz helmues, gjeologët vendosën ta digjnin atë, duke i vënë flakën. Ata e bënë këtë veprim me shpresën se flakët do të shuheshin brenda pak ditëve, gjë që në fakt nuk ka ndodhur ende edhe sot e kësaj ditë, kur kanë kaluar 40 vjet dhe drita që lëshon zjarri mund të dallohet qartë disa milje larg Derweze, një fshat me rreth 350 banorë.
2 vjet më parë, autoritetet e vendit vendosën që të vepronin për ta mbyllur gropën e zjarrtë, por kjo nuk ka ndodhur ende dhe ajo vijon të lëshojë flakë duke e ndezur edhe imagjinatën e vendasve të cilët flasin për një portë që të lidh me ferrin.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=aDJ8XUghYXw]