Albspirit

Media/News/Publishing

Rroftë e shkuara, poshtë e shkuara!

Prishja e dy bazorelievëve në fasadën e stadiumit “Qemal Stafa” dhe më pas reagimi i kryeministrit që i quajti mballoma vulgare të komunizmit, ka nxjerrë sërish në pah paqëndrueshmërinë e vetë kreut të qeverisë, por edhe qeverisë që përfaqëson në raport me të shkuarën komuniste. Ka qenë kjo qeveri që ka rivitalizuar për qëllime muzeale sipas saj objekte të kohës së komunizmit. Le të përmendim këtu muzeun “Bunkart”, Shtëpinë e Gjetheve apo dhe ndërtimin e bunkerit në krah të Mistrisë së Brendshme, por edhe parrulla.

Të vëmë në jetë vendimet historike të Kongresit të 9-të të PPSH-së!” Apo: “Rroftë komandanti ynë i lavdishëm, shoku Enver Hoxha!” – këto janë disa nga parrullat e rikonstruktuara në fshatin Kudhës.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, ndonëse një pjesë e opozitës ngriti akuza për ringjalljen e simboleve komuniste. Vetë kryeministri nuk nguroi t’i quajë asokohe injorantë. Por nëse qeveria do të ruante të njëjtën qasje, edhe dy bazorelievet në fasadën e stadiumit nuk do të prisheshin. Edhe pse nuk do të përfshiheshin në projektin e stadiumit të ri, këto objekte nuk kishte pse të shkatërroheshin. Mund të përdroreshin për qëllime muzeale ose të shiteshin në ankand qoftë edhe për një vlerë simbolike, por kurrsesi të shkatërroheshin. Ja çfarë shkruan kryeministri. “Kujevënësit profesionistë që argument kanë injorancën kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër ia mballosën fasadës së “Qemal Stafës”) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore. Kompleksi i ri, me një sipërfaqe prej 43.000 metrash katror (nga të cilët 25.000 metra katror do të shërbejnë për stadiumin, 10.000 metra katror për zyrat dhe 8.000 metra katror për dyqane), është konceptuar si një strukturë e përbërë. Vlera e tij shkon në rreth 50 milionë euro“.

Po nëse kryeministrit i duket mballomë komuniste edhe Pallati i Kulturës, apo Muezu Historik apo lapidarët e LANÇ si duhet vepruar? Nëse nxitimi për të ngritur sa më shpejt mballomën tregëtare në stadiumin “Qemal Stafa” u ka errësuar sytë ndërtuesve, këtë kryeministri nuk mund ta justifikojë me kriticizmin ndaj “artit” komunist, të cilin qeveria e kuron sipas nevojave estetike të elektoratit socialist.

Please follow and like us: