SHBA beson ende në marrëveshjen për tregti me BE
Shtëpia e Bardhë tha të martën se shpreson ende në arritjen e një marrëveshjeje për tregti të lirë me Bashkimin Evropian, edhe pse zyrtarët në Francë dhe Gjermani e kanë vënë në dyshim paktin.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Do të vazhdojmë të punojmë drejt qëllimit të përfundimit të këtyre negociatave përpara fundit të vitit”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
Ai tha se presidenti Barack Obama do të dërgojë zyrtarë të lartë të tregtisë në Evropë, në javët e ardhshme.
“Ka aspekte të rëndësishme të marrëveshjes që duhet të negociohen. Kjo është pikërisht arsyeja përse presidenti do të dërgojë ambasadorin e tij të tregtisë, Mike Froman, në Evropë”, tha Earnest.
Bisedimet për të ashtuquajturin Partneritet Trans-atlantik i Tregtisë dhe Investimeve kanë nisur në vitin 2013.
Ministri për Tregti të Jashtme i Francës, Matthias Fekl, tha të martën se vendi i tij do të kërkojë nga Komisioni Evropian që t’iu japë fund negociatave për këtë marrëveshje tregtare.
Fekl tha se në Francë “nuk ka më mbështetje politike për këto negociata”.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se BE-ja dhe SHBA-ja janë ende larg marrëveshjes.
Nëse arrihet, marrëveshja SHBA-BE do të krijonte zonën më të madhe të tregtisë së lirë në botë.