Vatikani e konsideron fals ungjillin për gruan e Jezusit
Kisha reagon zyrtarisht ndaj zbulimit shkencor
Selia e Shenjtë zyrtarisht ngriti dyshime mbi vërtetësinë e një cope papirusi në gjuhën kopte, ku aludohet se Jezusi ka pasur një bashkëshorte, duke e konsideruar këtë zbulim si “problematik dhe të debatueshëm” dhe me shumë gjasa, fals. Në një editorial me fjalë të ashpra të publikuar së fundmi, gazeta e Vatikanit tha se ka fakte të shumta që tregojnë se papirusi është “një falsifikim” i interpretuar në mënyrë të pasaktë sipas një këndvështrimi modern mbi figurën e Krishtit. “Në të gjitha rastet, është fals”, thotë redaktori i gazetës, Gian Maria Vian.
Diskutimet mes ekspertëve kanë qenë të shumta që pas publikimit të fragmentit ku shkruhet: “Jezusi u tha atyre ‘gruaja ime…’” Zbulimi u krye nga studiuesja e Harvardit, Karen L. King. Ajo tha se zbulimi nuk vërteton se Jezusi ka qenë i martuar, por tregon se në shekullin e katërt ka pasur një diskutim mes kristianëve mbi statusin civil. Por Vatikani thotë se fakti që papirusi u gjet nga koleksionet ekzistuese dhe jo nga arkeologët, hedh dyshime mbi vërtetësinë.