Votimi i Vetting-ut sot në Kuvend/ A do të ketë rrjedhje votash nga PD-ja?
Pak orë para nisjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për miratimin e ligjit të Vetting-ut, opozita e ka bërë të qartë vendimin e saj për draftin, të cilin e cilëson antikushtetues.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari Lulzim Basha tha se “PD do të ndjekë të gjitha rrugët legjislative dhe kushtetuese”, duke nënkuptuar ankimim në Gjykatët Kushtetuese të këtij ligji të rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi. Por ndërsa pritet seanca nuk dihet qëndrimi i një grupi deputetësh të cilët para miratimit të reformës në drejtësi kishin shfaqur pakënaqësi me qasjen e lidershipit të PD-së. Është fjala për Majlinda Bregun, Eduard Selamin, Astrit Patozin, Agron Dukën dhe Astrit Veliajn.
Kujtojmë këtu që këta deputetë kanë patur takime me ambasadorin amerikan Donald Lu në ditët para miratimit në Kuvend të reformës në drejtësi. Më “rebeli” ndër ta ishte Eduard Selami, i cili dy ditë para votimit në Kuvend tha te “Zëri i Amerikës” se do të votonte pro reformës edhe nëse PD do të votonte kundër. Një qëndrim të prerë mbajti edhe ish-ministrja Majlinda Bregu, e cila më 21 korrik deklaroi se “burrat po sillen më keq se gratë e këqija”, duke bërë thirrje që reforma të votohej atë ditë pa asnjë diskutim.
Ndonëse nuk mbledhj e sotme e grupit të PD-së ishte me dyer të mbyllura, mësohet se nuk ka pasur debate nga deputetët për qëndrimin kundër draftit të Vetting-ut. Nuk dihet nëse deputetët “rebelë” do të dalin nga linja zyrtare e PD-së, duke bashkuar votat me mazhorancën për të kaluar ligjin e Vetting-ut. Kujtojmë që mazhoranca i ka votat e vetme për ta miratuar këtë ligj jetik për zbatimin e reformës në drejtësi. Vetting-u është procesi i skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të jenë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë.
Një ditë më parë ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin zhvilluan takime në me kryeparlamentarin Meta dhe kreun e opozitës Basha.
Opozita e akuzon mazhorancën se shkeli konsensusin e 21 korrikut duke çuar në Kuvend një draft për Vetting-un, që sipas saj është antikushtetues. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në seancën e sotme.
https://www.facebook.com/cercizloloci/