Avioni i parë tregtar nga SHBA ulet në Kubë
Avioni i parë tregtar amerikan ka mbërritur në Kubë, për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli. Avioni i kompanisë “JetBlue” me 150 pasagjerë dhe sekretarin amerikan të Transporteve, Anthony Fox në bord u ul në vendin latin këtë të mërkurë.
Mjeti fluturues ishte ngritur nga aeroporti Fort Lauderdale në Florida dhe u ul në Santa Klara, në qendër të Kubës, rreth një orë më pas.
Ky fluturim shënon zhvillimin e radhës në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, që kur dy vendet rivendosën marrëdhëniet diplomatike në dhjetor 2014.
Hera e fundit kur një avion amerikan kishte planifikuar një udhëtim në Kubë ka qenë mbi 50 vjet më parë, deklaroi numri dy i kompanisë “JetBlue”, Marty St George.
Me këtë rast, avioni u prit me një ceremoni me topa uji, që zakonisht përdoret për mbërritjen e një anijeje apo aeroplanmbajtëseve. Që nga rivendosja e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Havanës, ambasadat përkatëse janë hapur në dy vendet fqinje.
Vetë presidenti Obama vizitoi ishullin në muajin maj. Administrata e tij ka aprovuar mbi 10 linja ajrore me bazë në Shtetet e Bashkuara për të kryer shërbime në Kubë, të cilat ofrojnë rreth 110 fluturime në ditë.