Lutfi Dervishi: Premtimi për 300 mijë vende pune….po bëhet realitet
300 mijë vende pune duket nuk kanë qenë thjesht premtim elektoral për të marrë vota! Dhe deklarimi se kemi hapur 170 mijë vende pune me rritje të ekonomisë 1 apo 1.5% nuk ka qenë dalldi marrëzie që kap ministrat që nuk kanë lidhje me profesionin.
Një raport i shërbimeve sekrete që shqetësohen për ecurinë ekonomike të vendit dhe stabilitetin në rajon ka zbuluar planin sekret të qeverisë që po vihet në zbatim në vitin e fundit elektoral.
Me fasonë dhe call center u provua që më shumë se vendet e punës, shtohen hallet dhe rënkimet si të atyre që punojnë aty ashtu edhe të administratës që kërkon të mbledhë taksa e tatime.
Me bujqësinë gjendja ka arritur aty sa fshatarët të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë ku ndodhet ekonomia, kanë filluar të japin kontributin e tyre modest- si rasti sotëm i fermerit në Shtiqën të Kukësit , që lopën e vetme ja dhuroi ministrit të Bujqësisë.
Për shkak se po mbyllen një e nga një vatrat e konfliktit në botë, po tkurren edhe vendet ku punësoheshin disa dhjetëra ushtarë – shqiptarë.
Gjermania si ekonomia kryesore e BE-së, nuk po pranon më të ndihmohet me fuqi punëtore nga Shqipëria- fuqi punëtore vërtet e pa organizuar dhe formalizuar- (azil kërkues), por gjithsesi e gatshme për të kontribuar me çfarë do lloj pune.
Në këtë kuadër aspak optimist, qeveria ka kuptuar se ajo që mendohej dita e largët- ballafaqimi me kutitë e votimit, jo vetëm që është në horizont, por po afrohet me shpejtësi të padëshiruar.
Raporti sekret, që tani ndodhet në duart e 1200 portaleve në Tiranë, përmban fotografi satelitore, pamje të marra me google earth, por edhe raportim me shkrim nga agjentët e huaj dhe vendas në terren.
Një fotografim i fundit i google eardh paraqet Shqipërinë si zonën më të gjelbëruar në planet, – cka ka tërhequr vëmendjen e ambientalistëve dhe Shqipëria mund të konsiderohet si vendi që po kontribuon më shumë në luftën ndaj ngrohjes globale.
Fotot kanë diçiture lakonike ku jepet vendndodhja gjeografike dhe numri i rrënjëve të kanabis. Pllaja më e humbur ka qindra rrënjë.
Në përmbledhjen e raportit shënohet se ka një zonë në Shqipëri, që nuk ka më kanabis dhe fshati quhet Lazarat. Por ky fshat e ka papunësinë zero. Të gjithë banorët, madje edhe ata që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, punojnë si konsulentë për të gjithë territorin tjetër të vendit. Ata dinë të dallojnë kur bima ka nevojë për ujë, si të shquajnë që në fillim fidanin mashkull nga ai femër, fidanët që kanë cikël prodhimi 3 mujor nga ai 6 mujor etj etj.
Shkurt, plani qeverisë ka qenë i thjeshtë: hap fjalë nga Vermoshi në Konispol që hashash mund të mblillet nëse paguan taksën tek policia lokale, vetë policia lokale kujdeset për shefat lart. Në këtë grackë fillimisht ra opozita që nisi denoncimin e drejtuesve të policisë.
Por plani vërtet ka qenë të mbillet kanabis në të gjithë Shqipërinë dhe që nga ky moment ka punë për të gjithë: për ata që mbjellin, për ata që vadisin, për ata që e ruajnë, për ata që e korrin, për ata që filmojnë, për ata që e denoncojnë dhe për ata që e sodisin. Pra plani ka qenë për të hapur qindra mijëra vende pune.
Sigurisht që duke mbjellur në përmasa të tilla, mbushet tregu vendas, por për të mos rënë çmimi në tregun e jashtëm, duhet shkulur pjesa më e madhe e kanabisiit. Në një ekonomi tregu, çmimi është në varësi të raportit ofertë-kërkese, por për interesa madhore, ashtu si Banka Qendrore ndërhyn për të ruajtur lekun, edhe qeveria, përmes policisë bën ndonjë goditje për të garantuar stabilitet në çmime. Me këtë rast i dërgohet mesazh serioziteti gjithë investitorëve. Domethënë, policia këtu bën rolin e dorës së padukshme e Adam Smithit që rregullon cmimin. Por në kuadër të transparancës, dora e padukshme bëhet e dukshme në formën e kronikave të gatshme që televizionet i përtypin me po atë kënaqësi që vogëlueshët shijojnë akulloret në ditët e nxehta. Këtu është dhe gjenialiteti qeveritar edhe çmimi lartë garntohet edhe hapen qindra mijëra vende pune për ta shkulur. Sikundër e ka thënë qartë edhe kryeministri: punë ka, por mungojnë profesionistë.
E ndërgjegjshme për mungesën e fuqisë së kualifikuar punëtore, qeveria tani u ka gjetur punë edhe atyre që nuk shquhen si zanatlinj: askush nuk mund të ankohet për mungesë pune. Për të shkulur hashashin e mbjellë ka punë jo për 300 mijë vetë, por edhe për 1 milionë!
Dikush do të thotë: po paratë nga dalin?
Para?! Para ka plot. Mjafton të kesh ide.
Dhe ideja për të mbjellë kanabis nga Vermoshi në Konsipol (përjashto Lazaratin) ka qenë ide gjeniale! Nga kanabis bëhen miliona, nga milionat hapen vendet e reja të punës. Cikël i mbyllur. Ka për të gjithë. Ka për të mbjellë. Ka edhe për të korrur. Ka për të marrë, ka edhe për të dhënë. Ka për të denoncuar, ka për të kuruar.
Ata që thanë: nuk mund të hapen 300 mijë vende pune kanë qenë gabim. Sigurisht, sot kërkoj falje që nuk kam besuar te ky premtim!