Albspirit

Media/News/Publishing

Marcel Proust: Robinja

marcel-proust.jpg!Blog

Ndonjëherë, kur shkoja të merrja ndonjë libër në studion e babait, mikja ime, e cila më kërkonte leje të shtrihej pak, aq e lodhur ishte nga shëtitjet e gjata në ajër të pastër në mëngjes dhe pasdreke, boll të largohesha qoftë dhe për një minutë, binte në gjumë dhe mua më vinte keq ta zgjoja.

E shtrirë sa gjerë gjatë në shtratin tim, në një pozë më se të natyrshme, më ngjante si një lastar i lulëzuar që e kishin vendosur atje, dhe e tillë ishte në fakt: aftësia për të ëndërruar, që më vinte vetëm kur e kisha larg, më rikthehej ato çaste afër saj, sikur duke fjetur, ajo të qe kthyer në një bimë. Kështu, dremitja e saj, në një farë mënyre, ushqente dashurinë time; kur isha vetëm, mendoja për të, por ajo më përvidhej, nuk e zotëroja dot. Kur e kisha pranë, flisja me të, por mendja ime fluturonte gjetkë. Kur flinte, s’kishte nevojë për fjalë, tani që ajo nuk më shihte, s’ishte e nevojshme të jetoja në sipërfaqe të vetvetes.

Me mbylljen e syve, duke u kredhur në pavetëdije, Albertina, zhvishte njëri pas tjetrit personalitetet e ndryshme njerëzore që më kishin zhgënjyer që ditën e parë që e kisha njohur. Gjallonte thjesht falë jetës së pavetëdijshme prej bime, peme, jetë e ndryshme nga e imja, më e çuditshme, por që më përkiste më shumë.  Uni i saj nuk më bishtnonte më, si për shembull në rastet kur flisnim nëpërmjet mendimeve të nënkuptuara dhe vështrimeve. Në gjumë, ajo kishte thëthirë brenda vetes gjithçka që shfaqte jashtë saj; ishte kruspulluar, ngujuar, mbledhur grusht brenda trupit të saj. Kur e vështroja, e prekja, kisha ndjesinë që e zotëroja të gjithën, ndjesi e cila më mungonte kur ajo ishte zgjuar. Jeta e saj më përkiste, më lëshonte në fytyrë frymëmarrjen e saj të lehtë.

Mbaja vesh atë flurim shushuritës, të mistershëm, të ëmbël si një puhi deti, përrallore si dritë hëne, që ishte dremitja e saj. Për sa kohë zgjaste, mund të ëndërroja për të dhe ta soditja, ndërsa kur dremitja kthehej në gjumë të thellë, ta prekja, ta puthja.  Ajo që ndieja në ato çaste ishte dashuri për një krijesë aq të pastër, aq të patrupëzuar në ndjenjat e saj, aq misterioze, siç do të isha ndjerë para krijesave të pajeta që janë bukuritë e natyrës. Por sapo ajo binte në një  gjumë më të thellë, reshte së qeni bima e fillimit; gjumi i saj, buzë të cilit ëndërroja, me një endje prej së cilës nuk lodhesha kurrë dhe që mund ta shijoja pa fund, ishte për mua një peizazh më vete. Gjumi i saj më sillte paqe dhe një endje epshndjellëse porsi netët me hënë në gjirin e Balbekut që qetësohej porsi një liqen, ku s’lëvizte as gjethja, teksa  shtrirë në  breg, mund të dëgjoje pa fund llokoçitjen e valëve.

Kur kthehesha në dhomë, qëndroja në këmbë të pragu i derës, pa pipëtirë dhe dëgjoja vetëm zhurmën e frymëmarrjes që dilte nga buzët e saj, në intervale të shkurtra dhe të rregullta, si një përplasje valësh, por më gjumëndjellëse dhe më e ëmbël. Në çastin kur veshët e mi përpinin atë zhurmë hyjnore, më dukej sikur brenda saj, ishte shkrirë i gjithë personi, e gjithë jeta e robinjës sime të bukur, të shtrirë para syve të mi. Karrocat kalonin zhurmshëm në rrugë, balli i saj mbetej po aq i palëvizur, po aq i paturbulluar, frymëmarrja e saj po aq e lehtë, e katandisur thjesht në firomën që nevojitet për të jetuar. Pastaj, kur shihja që asgjë s’ia trazonte gjumin, ecja në majë të gishtave, ulesha në karrigen buzë shtratit, më pas mbi shtrat.

Kam kaluar mbrëmje të këndshme duke folur, luajtur me Albertinën, por as që krahasohen me mbrëmjet kur e kundroja duke fjetur. Më kot shfaqte, teksa bisedonte,  luante me letra, një natyrshmëri që asnjë aktore s’do mund ta kishte, në gjumë ajo ngjante më e natyrshme se kurrë. Floknaja që i zbriste nëpër fytyrën bojë rozë, derdhej përkrah saj në shtrat, ndërsa ndonjë cullufe e veçuar, si vijë e drejtë, krijonte idenë e perspektives si pemët hënore, hollake dhe verdhacuke që duken në sfond të tablove rafaelike të Elstirit. Edhe pse buzët e Albertinës ishin të puqura mirë, nga vendi ku e shihja, qepallat e saj nuk puthiteshin plotësisht saqë pyesja veten nëse flinte vërtet. Gjithsesi, qepallat e ulura i jepnin fytyrës së saj një njëtrajtshmëri të  përsosur që nuk prishej nga sytë. Ka njerëz fytyra e të cilëve merr një bukuri dhe një madhështi të çuditshme kur nuk u duken më sytë.

Masja me sy Albertinën e shtrirë në fund të krevatit. Kishte çaste, kur dridhej nga ndonjë fërgëllimë e lehtë dhe e pashpjegueshme, porsi gjethet që drithërohen për një hop nga  një puhi e papritur. Ajo prekte flokët e saj, pastaj, ngaqë i vinte mirë nga kjo gjë, lëvizte dorën sërish me prekje të rregullta, të vullnetshme saqë më dukej sikur po zgjohej. Por jo; qetësohej prapë në gjumin e paprishur. Rrinte palëvizur. Kishte vendosur dorën mbi gjoks me një gjest aq fëmijëror saqë më duhej të mbaja, duke e kundruar, buzëqeshjen që na shkaktojnë fëmijët e vegjël me seriozitetin, pafajësinë dhe hijeshinë e tyre.

Unë që shihja disa Albertina brenda një personi të vetëm, kisha ndjesinë sikur dhe shumë të tjera po pushonin aty bri meje. Qerpikët e saj, të harkuar si asnjëherë më parë, rrethonin lakoren e qepallave si çerdhja e ngrohtë e një pulëbardhe. Soji, atavizmat, veset flinin mbi fytyrën e saj. Sa herë që lëvizte kokën, krijonte një grua tjetër, që s’e kisha njohur kurrë më parë. Më dukej sikur zotëroja jo një, por mijëra vajza të reja. Frymëmarrja e saj, që sa vinte e thellohej, ia hovte lehtazi kraharorin, dhe bashkë me të, duart e kryqëzuara, perlat e hallakatura në mënyrë të çrregullt nga e njëjta lëvizje, porsi barkat, zinxhirët e ankorimit që përkunden nga llokoçitja e ujit.  Kur ndieja që ajo ishte në kulmin e gjumit dhe që nuk rrezikoja të përplasesha me shkëmbinjtë e vetëdijes, tashmë të mbuluar nga batica e gjumit të thellë, kërceja pa zhurmë mbi shtrat, shtrihesha përbri saj, ia hidhja një krah rreth belit, vendosja buzët mbi faqen dhe zemrën e saj; në pjesët e tjera të trupit, shëtisja dorën time të lirë, e cila ngrihej  porsi perlat nga frymëmarrja e Albertinës; madje unë vetë isha zhvendosur pakëz nën lëvizjen e rregullt të trupit të saj: barka e gjumit të Albertinës më kishte marrë me vete. Ndonjëherë, më kapnin ca dëshira jo fort të dëlira. S’kisha nevojë për asnjë lëvizje, hidhja këmbën time mbi të sajën, si një rremë që e lëmë jashtë barkës, duke i dhënë herë pas herë ndonjë shtytje të lehtë, të ngjashme me rrahjen e herëpashershme të flatrave të zogjve që flenë në fluturim. Teksa e vështroja, zgjidhja të shihja atë anë të fytyrës që askush s’ia kishte soditur më parë dhe që ishte kaq magjepse.

Është e kuptueshme, deri diku, që letrat e një personi, edhe pse pak a shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, ju japin imazhe të ndryshme të shkruesit sikur ai të kishte disa fytyra.  Por është vërtet e çuditshme se si dy gra shkrihen në një të vetme, porsi motrat siameze Rosita dhe Dodika[1], me bukuri dhe karaktere të ndryshme, aq sa për të soditur bukurinë e njërës, duhet ta soditësh në profil, ndërsa për ta vënë re te tjetra, duhet ta shohësh përballë.  Frymëmarrja e saj që rëndohej mund të ngjante si gulç kënaqësie dhe kur e imja arrinte kulmin, mund ta puthja pa ia prishur gjumin. Më dukej, në ato çaste, sikur e zotëroja akoma më shumë, si një send i  pajetë dhe i nënshtruar i natyrës memece.  Nuk bëhesha merak për fjalët që i shpëtonin teksa ishte në gjumë, s’e kuptoja domethënien e tyre, për më tepër, dhe sikur t’i drejtoheshin një personi tjetër, ishte pranë dorës sime, faqes sime, që dora e saj, shpesh e dridhur nga një rrëqethje e lehtë, fërgëllonte për një çast. E shijoja gjumin e saj me një dashuri shpirtgjerë, qetësuese, ashtu siç rrija orë të tëra duke dëgjuar përplasjen e dallgëve. Mbase është e shkruar që qeniet që ju bëjnë të vuani më shumë ju japin, në çastet e qetësisë, një paqe po aq lehtësuese sa dhe vetë natyra.  S’kisha nevojë t’i përgjigjesha , siç e kërkonte etika në një bisedë, por dhe kur heshtja, teksa ishte ajo që fliste, nuk arrija të depërtoja thellë brenda saj. Por kur dëgjoja, përpija, çasti pas çasti, murmurimën, qetësuese si një puhi tejet e lehtë, të frymëmarrjes së saj të kulluar, një prani trupore shpalosej para meje dhe për mua; ashtu siç rrija i shtrirë në plazh, nën dritën e hënës, mund të qëndroja aty duke e soditur, duke e dëgjuar.

Ndonjëherë dukej sikur deti po fryhej, sikur stuhia po ndihej deri brenda gjirit, dhe unë porsi gjiri, dëgjoja gërhitjen gjëmuese të frymëmarrjes së saj. Ndonjëherë, kur kishte vapë, ajo hiqte, si në jerm, kimononë të cilën e hidhte mbi kolltuk. Kur  flinte, mendoja që të gjitha letrat e saj ishin në xhepin e brendshëm të kimonosë, ku i mbante përherë. Një emër, një takim do të kishin mjaftuar për të vërtetuar një gënjeshtër ose për  të  davaritur një dyshim. Kur e ndieja që Albertina ishte në gjumë të thellë, largohesha nga koka e shtratit prej ku e kundroja prej një kohe të gjatë pa pipëtirë dhe bëja një hap, i mbërthyer nga një kureshtje përvëluese, drejt së fshehtës që e kisha në pëllëmbë të dorës, të brishtë dhe të pambrojtur, në atë kolltuk. Mbase veproja kështu sepse isha i mpirë nga qëndrimi pa lëvizur duke e soditur.  Në majë të gishtave, duke  kthyer kokën herë pas herë për të parë se mos zgjohej Albertina, shkoja deri te kolltuku. Aty ndaloja, shihja për një kohë të gjatë kimononë ashtu siç kisha kundruar për një kohë të gjatë Albertinën.  Por s’e preka kurrë kimononë (mbase bëra gabim), as e futa dorën në xhep, as i pashë letrat. Si përfundim, duke parë që s’e ndaja dot mendjen, kthehesha prapë në majë të gishtave, pranë shtratit të Albertinës dhe e shihja prapë tek flinte, atë që nuk do më thoshte kurrë asgjë, teksa kimonoja mbi krahun e kolltukut mund të më kishte zbuluar shumë gjëra. Ashtu si njerëzit paguajnë një qind franga nata për një dhomë në Hotelin e Balbekut për të thithur  ajrin e detit, më dukej normale të shpenzoja akoma më shumë për Albertinën, sepse ndieja frymën e saj në faqe, buzët e saj që çeleshin mbi të mijat, jetën e saj që rridhte nëpërmjet gjuhës sime.

Por kënaqësia kur e shihja të flinte, po aq e madhe sa kur e ndieja pranë, zëvendësohej nga një kënaqësi tjetër kur zgjohej. Kjo ishte, por në një shkallë më të plotë dhe më misterioze, e ngjashme me kënaqësinë që më jepte jetesa nën të njëjtën çati. Pa dyshim, më përkëdhelej sedra pasditeve kur ajo zbriste nga karroca dhe kthehej në shtëpinë time. Kënaqësia rritej kur, nga thellësia e gjumit, ajo ngjiste shkallët e fundit të ëndrrave, rilindte dhe përmendej në  dhomën time, duke pyetur veten për një çast “ku jam”, por teksa shihte sendet që e rrethonin, abazhurin drita e të cilit i vriste sytë, e quante veten në shtëpi duke kuptuar që zgjohej në dhomën time. Në atë çast të parë pasigurie të ëmbël, më dukej sikur e zotëroja akoma më shumë atë, sepse, kur kthehej nga arratisja, në vend që të ishte në dhomën e saj, ndodhej në dhomën time, të cilën që nga çasti kur Albertina e kishte parë, do ta mbërthente, gllabëronte, pa u dukur as shqetësimi më i vogël në sytë e saj, të qetë sikur të mos kishte fjetur fare tek unë.

Përgjumja që dukej falë mënyrës si heshtte, s’ekzistonte në sytë e saj. Megjithatë sapo hapte gojë, thoshte: “Imi….” ose “I shtrenjti im…: që pasoheshin si njëra apo tjetra nga emri im i pagëzimit, i njëjtë me atë të shkrimtarit të këtij libri, që po t’ia vinim dhe rrëfimtarit do të jepte “Marseli im”, “I shtrenjti im Marsel. Që atëherë, nuk i lejoja më të afërmit e mi, kur më thërrisnin “i shtrenjtë”, t’ia zbehnin vlerën e paçmuar atyre fjalëve të ëmbla që më thoshte Albertina.  Kur i shqiptonte, ajo mblidhte buzët të cilat ktheheshin në një puthje. Ajo zgjohej po aq shpejt sa ç’e zinte gjumi.

Më shumë se krahasimi i dy periudhave, më shumë se fakti që kundroja një vajzë të re ulur pranë meje nën dritën e llambës që e ndriçonte ndryshe nga drita e diellit kur ajo shëtiste buzë detit, a nuk ishte ky pasurim i vërtetë, ky progres i pavarur i Albertinës, shkaku i vërtetë i ndryshimit të mënyrës se si e shihja tani dhe asaj si e shihja dikur në Balbek? Mund të kishin rrjedhur shumë vite të tjerë pa shkaktuar një ndryshim kaq rrënjësor midis dy imazheve; por ndryshimi kishte ndodhur, thelbësor dhe i beftë, kur kisha marrë vesh që mikesha ime ishte rritur nga mikja e Znjsh.Vëntëj. Nëse dikur shkrihesha nga kënaqësia kur shihja mister në sytë e Albertinës, tani qetësohesha vetëm kur ata sy, madje dhe faqet, shprehëse po aq sa sytë, kaq të ëmbla, por që vrenjteshin sakaq, zbrazeshin nga çdo gjurmë misteri.

Imazhi që ëndërroja, që më qetësonte, pranë të cilit do doja të vdisja, nuk ishte ai i Albertinës me një jetë misterioze, por i një Albertine që e njihja mirë (dhe kjo ishte arsyeja pse kjo dashuri do të zgjaste vetëm për sa kohë do të ishte fatkeqe, sepse si e tillë, ajo ushqehej nga misteri), i një Albertine që nuk pasqyronte një botë të largët, që s’dëshironte asgjë tjetër –dhe kishte çaste, kur më dukej vërtet kështu- veç të ishte me mua, e ngjashme me mua, i një Albertine, shëmbëllimi i së cilës më përkiste mua dhe jo të panjohurës. Nëse dashuria lind nga një gjendje ankthi që na shkakton një person, nga pasiguria a do mund ta mbajmë atë apo do të na lerë, ajo dashuri mban vulën e turbullirës që e shkaktoi dhe e ka të pamundur të kujtojë se si e përfytyronim të njëjtin person më parë. Kështu mbresat e mia të para nga një Albertinë me detin në sfond,  mezi kishin mbijetuar në dashurinë time për të: në të vërtetë, këto mbresa të dikurshme zënë një vend të papërfillshëm në një dashuri të tillë;  me tërbimin e saj,  vuajtjen, nevojën për ngushëllim dhe strehim te një kujtim i ëmbël, qetësues ku duam të strukemi dhe të mos dimë më asgjë për personin që duam, edhe sikur të kishte diçka të tmerrshme që duhej ditur- madje, akoma më keq, me dëshirën për të jetuar vetëm me kujtimet e dikurshme- një dashuri e tillë ka një tjetër brumë!

Ndonjëherë, e fikja dritën para se ajo të vinte.  Ashtu në errësirë, e orientuar thjesht nga dritëza e një thëngjilli, ajo shtrihej përbri meje.  E ndieja me duar, me faqe, pa mundur ta shoh me sy, me ata sy që shpesh druheshin se mos e shihnin të ndryshuar. Kështu falë kësaj dashurie të verbër, ajo mbulohej me një dhembshuri më të madhe se zakonisht. Herë tjetër, zhvishesha, shtrihesha, ndërsa Albertina rrinte ulur buzë shtratit, kështu ia nisnim lojës ose bisedës që ndërpritej nga puthjet; të përfshirë nga dëshira, e vetmja që na nxit të kemi interes për ekzistencën dhe karakterin e një personi tjetër, jemi besnikë ndaj vetes (ndonëse i ndërrojmë njëra pas tjetrës qeniet që dashurojmë), sa që një herë, duke u parë në pasqyrë në çastin kur përqafoja Albertinën duke e quajtur “shpirt i vogël”, çehrja e përvuajtur dhe e përndezur e fytyrës sime, e ngjashme me çehren që duhej të kisha pasur me Zhilbertën por që tani nuk më kujtohej më, e ngjashme me atë që do kisha një ditë pranë një femre tjetër nëse do më duhej të ndahesha nga Albertina, më bëri të mendoj që pavarësisht se kush ishte personi ( instinkti bën që e dashura e momentit të na duket gjithnjë si personi i duhur), unë përmbushja detyrën e një përkushtimi të zjarrtë dhe torturues që i -blatohej  rinisë dhe bukurisë femërore. E megjithatë, dëshira, që i thurte himn hyjnor rinisë, kujtimeve, përfshirë ato nga Balbeku, pleksej, në nevojën që kisha për ta pasur afër Albertinën çdo mbrëmje, me diçka që deri më sot ishte e panjohur për mua, të paktën në jetën dashurore, në mos kisha një ide të turbullt për të në jetën e zakonshme. Ishte një fuqi ngushëllimi e atillë që s’e kisha ndjerë më që nga mbrëmjet e dikurshme në Kombre, kur mamaja, e përkulur mbi shtratin tim, më uronte natën e mirë me një puthje. Sigurisht, s’do më vinte mirë asokohe,  po të më thoshin që po tregohesha i lig, lëre pastaj po të më thoshin që po kërkoja ta privoja dikë nga kënaqësia. Sigurisht, që s’e njihja dhe aq mirë veten atëherë, sepse dëshira për të pasur Albertinën në shtëpinë time ishte po aq e mbrapshtë sa dhe dëshira për ta veçuar nga njerëzit, ku çdokush mund ta shijonte sipas qejfit, vajzën në lule të moshës, prania e së cilës jo vetëm s’më bënte shumë të lumtur mua, por privonte dhe të tjerët nga kënaqësia. Ambicia, lavdia nuk më hynin në sy. As urrejtjen s’e përballoja dot. E megjithatë, të zotëroje fizikisht dikë do të thoshte të ngadhënjeje mbi të gjithë rivalët.  S’do ta shpjegoj kurrë ashtu si duhet, por mbi të gjitha ishte një ndjenjë ngushëllimi. Më kot, para se Albertina  të  vinte në shtëpi, dyshoja për besnikërinë e saj, e përfytyroja në dhomën e Monzhuvanit, sapo ulej përballë meje e veshur me penjuar, ose siç ndodhte më shpesh, sapo ulesha në cep të shtratit, ia zbrazja dyshimet e mia, ia dorëzoja që të më  lehtësonte nga barra, me përuljen e një besimtari që bën lutjen e tij. Tërë mbrëmjen, e mbledhur kruspull si çapkëne mbi shtratin im, ajo mund të luante me mua si macja me miun; hunda e saj e vogël bojë rozë, majuci i të cilës bëhej dhe më i vockël nën vështrimin prej kokete që i jepte hijeshinë e njerëzve paksa topolakë, i jepte një çehre rebele dhe kokëshkretë; ndonjëherë linte një cullufe flokësh të zinj t’i binin mbi faqen prej dylli rozë dhe me sytë gjysmë të mbyllur dhe krahët e hapur, dukej sikur thoshte: “Bëni ç’të doni me mua”; kur vinte çasti për të ikur dhe ajo avitej për të më thënë natën e mirë, ishte ajo ëmbëlsi, pothuajse pjesë e pandarë e jetës sime, që puthja në të dy anët e qafës së saj të fortë, që atëherë s’më dukej as e zeshkët dhe as me prekna, sikur cilësitë fizike  të ishin tregues të një mirësie fisnike tek Albertina.

E kishte radhën Albertina të më thoshte natën e mirë duke më puthur nga dy anët e qafës, floknaja e saj më përkëdhelte si një flatër me pupla të serta dhe të buta. Dhe pse ato puthje paqeje as që krahasoheshin me njëra tjetrën,  Albertina më rrëshqiste në gojë blatimin e gjuhës së saj, si një  blatim i Shpirtit të Shenjtë, më jepte bukën e kungimit, më mbushte me një ndjesi paqeje po aq të ëmbël sa ajo që më jepte mamaja kur vendoste mbrëmjeve, në Kombre, buzët mbi ballin tim.

(pjese nga libri)

Shqiperoi:Edit Dibra

Please follow and like us: