Martin Shkreli: Nëse fiton Trump, unë bëhem mbret i Shqipërisë
Martin Shkreli, shqiptari i cili u bë i njohur për ngritjen e çmimit të një ilaçi jetik, 5 mijë herë më shumë sesa e kishte blerë, ka deklaruar se do të mbështesë kandidatin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale.
Kjo tregon se jo të gjithë shqiptarët nuk e duan Donald Trump. Ka edhe nga ata që e mbështesin në kandidaturën e tij për President të Shteteve të Bashkuara. Pra, Martin Shkreli, që para disa muajsh mori nofkën “shqiptari më i urryer në internet” ka deklaruar se do të mbështesë kandidatin Trump. Kjo është zhvendosja e radhës politike e “djalit të keq të farmaceutikës” që krijoi një dallgë të paparë antipatie kur ngriti “brenda natës” çmimin e një ilaçi jetik 5,000 herë më shumë sesa kishte qenë përpara se të blinte monopolin për të.
Djali i fëmijëve emigrantë që dikur lavdërohej si një gjeni në Wall Street, po përballet me padi të rënda federale për abuzim me investuesit, punëdhënësit dhe firmat e fondet që ka drejtuar në vite. Shkreli dukej se ka qenë fillimisht mbështetës i Hillary Clinton, por pas deklaratave të ashpra të saj që e paraqitën atë si një simbol të abuzimeve të një industrie farmaceutike të dalë jashtë kontrollit, ai zhvendosi mbështetjen e tij te Bernie Sanders, duke i dërguar publikisht një çek, prej 2,500 dollarësh
. Më vonë fushata e senatorit deklaroi se e kishte refuzuar çekun dhe ia kishte përcjellë një fondacioni bamirës. Pas kësaj, Shkreli filloi zhvendosjen te Republikanët, duke përfunduar dje në një mbështetje të hapur për Donald Trump. Shkreli që me disa veprime të tij i ka bërë njerëzit të vrasin mendjen nëse kanë të bëjnë me një grykës të pangopur që pasurohet në kurriz të punës kërkimore të shkencëtarëve e mjekëve dhe në kurriz të të sëmurëve nevojtarë, apo është një ekstrovert që kërkon në mënyrë të pareshtur të jetë në vëmendjen e të tjerëve edhe nëse çmimi është urrejtja apo neveria masive.
Ai sigurisht nuk është i pari në “Farmën e Madhe” që lejohet nga ligji të abuzojë me çmimet e ilaçeve dhe shërbimeve, mirëpo sigurisht nuk ka shoq në brutalitetin dhe mungesën e taktit me të cilën e transmetoi strategjinë e tij në treg. Media dhe aktivistë që e shohin me shqetësim kandidatin Donald Trump kanë nxituar ta japin këtë lajm mbështetjeje ndoshta si një mjet për ta përforcuar karikaturën me të cilën përshkruajnë miliarderin republikan. Për hir të së vërtetës, Donald Trump e ka quajtur Martin Shkrelin “një birbo të përkëdhelur”, kur plasi skandali i ilaçit Daraprim.
Lajmi e ka nxjerrë Shkrelin në qendër të vëmendjes së rrjeteve sociale, një situatë të cilën ai e dashuron. Shkreli ka maninë t’u përgjigjet një për një atyre që e kritikojnë apo ofendojnë dhe armiqtë e Donald Trump thonë se ai në fakt vepron si një “Trump i vogël”. Një shkëmbim ishte veçanërisht interesant për lexuesin shqiptar, bëhet fjalë për një gazetar i cili e ka cilësuar atë “Tërësisht budalla apo budallai i kompletuar (zgjidhni kë të doni)”. Përgjigja nga Martin Shkreli ishte: “Do të ndryshoj kur të bëhem Mbreti i Shqipërisë dhe të marr median nën kontroll…”. Pas kaq kohësh një tufë e madhe njerëzish po e urrejnë njëkohësisht. Por gjithsesi ai është i lumtur.