Mata Hari, historia e agjentes më të bukur të historisë
Kur bëhet fjalë për spiunazh, në krye të çdo renditjeje qëndron gjithmonë Mata Hari. Bukuroshja holandeze cilësohet si agjentja më e mirë femër në histori. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, francezët dyshonin se ajo spiunonte për gjermanët, edhe pse ajo një gjë të tillë e bënte edhe për francezët. Pavarësisht mbrojtjes së saj, ajo punoi si agjente e dyfishtë dhe ishte besnike ndaj Francës. E arrestuan në vitin 1917 dhe e ekzekutuan 8 muaj më vonë.
Historia
Margaret Gertruda Cele lindi në 7 gusht të vitit 1876 në qytetin holandez të Lauverden, në familjen e një mjeshtri kapelesh. I ati falimentoi shumë shpejt dhe s’dihet ku u zhduk, e ëma vdiq. Jetimen e mori në edukim një xhaxha. Vajza rritej, por përherë dhe më tepër jeta e mjerë provinciale e mërziste. Një herë duke lexuar gazetën, që merrej me kombinimet bashkëshortore, hasi në propozimin e dorës dhe zemrës së një kapiteni të ushtrive koloniale , Rudolf Makleon. Ajo do të martohej me të por jeta bashkëshortore do të kthehej në një ferr. Burri filloi të sillej gjithmonë e më keq. Shërbëtori i tij, të cilin e kishte shtyrë deri në dëshpërim u përpoq që t’i helmonte fëmijët. Djali Norman vdiq ndërsa e bija Gertruda, mezi arriti të shpëtojë. Për të qarkullojnë shumë legjenda, por disa thonë se ka vdekur gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore. Të tjerët thonë se ka shpëtuar dhe ka jetuar në Xhakarta ku është marrë me spuinazh njëlloj si e ëma. Gjatë luftës së Koresë thonë se është kapur nën emrin Vilhelmina Van Diren dhe është pushkatuar për spiunazh. Por a ishte vërtetë kjo vajza e Mata Harit? Kjo pyetje nuk mori kurrë përgjigje.
Valltarja e bukur
Gjithsesi Margaret u nda nga Rudolfi dhe gjeti punë si kalorëse në një cirk parizian, më pas kaloi në estradë. Kishte një farë pamjeje enigmatike si lindore, zotëronte plasticitet dhe mbi të gjitha kishte njohuri në fushën e valleve dhe të ritualeve të banorëve gjysmë të egër të Javës dhe të Sumatrës ku kishte jetuar me bashkëshortin e parë. Drejtori i cirkut e ndihmoi të futet në jetën mondane dhe sallonet e saj. Mori emrin ekzotik Mata Hari që do të thotë “syri i mëngjesit” a diçka e tillë, pasi askush nuk e di me saktësi. Ajo do të interpretonte në spektakle të paparë, me valle rituale përzierë me striptizëm dhe Parisi, Vjena , Berlini. Amsterdami, Roma dhe Monte Karlo paraluftës ranë në gjunjë para saj. Fitoi shumë dhe bleuvilae letra me vlerë. Por nuk dihet sesi një ditë u zhdukën të gjitha këto dhe ajo mbeti ngushte duke iu fshehur kreditoreve…
Rekrutimi
Sipas të dhënave ajo është bërë spiune e gjermanëve përpara luftës së vitit 1914 menjëherë pas ndarjes me kapitenin Makleod, atëherë kur kishte nevojë për mjete vetjake sado modeste. Në favor të këtij versioni qëndron fakti se figuron si agjenti H-21 në shërbimin e fshehtë gjerman, dhe me gërmën H shënoheshin agjentët e vjetër. Sipas një versioni tjetër, në korrik të vitit 1914, Mata Hari ka shkuar nga Parisi në Gjermani dhe aty e zuri lufta. Kërcimtarja është parë në një lokal duke ngrënë mëngjes me kreun e policisë së Berlinit dhe ky ka qenë i vetmi fakt që vërteton se ajo ka punuar për të. Në gjyq ajo tregoi: “Në Gjermani policia gëzon të drejtën e censurës për kostumet që përdoren në teatër. Mua më thanë se isha zhveshur më shumë sesa duhej. Prefekti erdhi të më kqyrte dhe aty u njohëm”. Këtu mund të shtohet se kreu i policisë, njeri i njohur në qytet vështirë se mund të shfaqej ne shoqërinë e një gruaje , jo më pak të njohur nëse ajo do të kishte qenë vertete agjente e tij. Veç kësaj policia i qëndronte larg spiunazhit, e sidomos atij ushtarak.
Vendimi fatal
Megjithatë Mata Hari ishte gjithmonë nevojtare për të holla. Në këto kushte ajo mori një vendim fatal për veten e saj: ‘Nëse shërbimi gjerman më dha kaq shumë për hiçgjë pse të mos mjel dhe atë francez?” Mata Hari kërkoi një takim me shefin e kundërzbulimit, kapitenin Ladu dhe sebep për një takim të tillë nxori kërkesën për një leje kalimi në qytetin kufitar Vitel, në të cilin e kishte ftuar kryetari i Bashkisë pak kohë më parë. Bisedoi gjatë me Ladunë dhe hyri në shërbim të francezëve, pa përmendur fare faktin se i përkiste ndërkohë edhe zbulimit gjerman. Kur u ndanë Ladu, shumë inteligjent, i la të kuptonte se e këshillonte të mos punonte në dy fronte njëkohësisht, pasi mund të përfundonte shumë keq. Mata Hari iu përgjigj me një frazë të stërholluar, që donte të thoshte se ajo do t’i qëndronte deri në fund besnike shërbimit francez.
Veprimtaria në Spanjë
Duke lënë Mata Harin në Spanjë, Ladu vepronte me siguri. Zbulimi francez kishte kapur shifrën me të cilën atasheu ushtarak gjerman në Madrid komunikonte me komandën në Berlin. Pak kohë më parë një agjent i çoi Ladusë një telegram të deshifruar: “Në Madrid ka ardhur agjenti H-21. Ai arriti të penetrojë në zbulimin francez. Kërkon udhëzime dhe të holla. Jep të dhënat që vijojnë për vendndodhjen e reparteve…po ashtu tregon se shtetari francez N është në marrëdhënie të ngushta me një princeshë të huaj”. Në telegramin e kthimit thuhej : “Agjenti H-21 të kthehet menjëherë në Francë dhe të vazhdojë punën. Të marrë çekun Kremer prej 5 mijë frangash në Kotuar d’Eskont”. Siç u sqarua më pas jo të gjitha të dhënat për repartet franceze ishin të sakta. Nga i dashuri i saj rezidenti gjerman Hans fon Kale, Mata Hari mësoi se gjermanët ishin në dijeni të desantimit të planifikuar të anglezëve në një port maroken dhe ishin bërë gati ta godisnin atë. Ajo për të shmangur tragjedinë shkoi menjëherë tek rezidenti francez në Madrid, kolonel Davinju dhe raportoi për atë çfarë kishte mësuar.. Por gjermanet duke e ditur kodin e francezëve kapen telegramin e Davinjus dhe i tërhoqën vërejtje të rëndë Hans fon Kale, që nga ana e tij pati dyshime të forta për Mata Harin dhe u grind shumë keq me të duke e akuzuar se: “U kishte dhënë francezëve një informatë që nuk duhej të dilte”. Por në të gjithë këtë histori Mata Hari kuptoi atë që shërbimi francez nuk kishte kuptuar prej kohësh. Gjermanët deshifronin të gjitha mesazhet e tyre. Ajo shkoi përsëri tek Davinju dhe e lajmëroi duke shpëtuar kështu me mijëra jetë njerëzish. Por Mata Harri nuk u shpërblye asnjëherë. Ajo shkoi në Paris për të marrë milionin e premtuar nga Ladu…
Arrestimi
Më 13 shkurt policia franceze e arrestoi. Ku ta dinte Mata Harri se ajo ishte konsideruar fajtore për fundosjen e 17 anijeve të aleateve dhe vrasjen e qindra ushtarëve. Duhej një fajtor dhe për këtë Mata Harri ishte e përshtatshme. Hetimi vazhdoi disa muaj. Në 24 korrik 1017 ajo shkoi në gjyq. Gjendjen e saj e përkeqësonte dhe fakti se të gjitha hetimet bazoheshin në truallin pjellor të opinionit publik të shqetësuar nga dështimi i të ashtuquajturit Operacioni Nivel-mësymja pranverore e trupave franceze. Për këtë dështim akuzoheshin spiunet gjermane dhe mbi të gjithë Mata Harri. Edhe pse specialistët e shpjegonin këtë dështim me një sërë shkaqesh të tjera profesionale, duhej një kokë turku. Mata Hari dhe legjenda e thurur për të ishte ideale. Akuzohej për spiunazh dhe për përfitime të shumave të mëdha nga gjermanët në këmbim të lajmeve. Edhe pse Mata Harri u shpjegoi se një pjesë të mirë të parave ajo i kishte fituar nga shërbime të tjera, asgjë nuk piu ujë. Ajo u dënua njëzëri me vdekje.
Fundi
Margarita Cele e priti vdekjen e vetme ne qelinë e burgut Sen-Lazar. Në momentin kur shkuan për ta marrë në qeli ajo u përgjigj: “Kaq shpejt? Që pa gdhirë!”. Nuk piu cigaren e fundit që i dhanë, por një gotë grog. Propozimit të pastorit për t’u falur i është përgjigjur: “Nuk kam dëshirë t’u falem francezëve. Megjithatë njëlloj janë. Jeta asgjë, asgjë dhe vdekja. Vdekja, gjumi, ëndrrat, ç’rëndësi kanë të gjitha? A nuk janë njëlloj? Sot apo nesër, në shtrat apo në shëtitje? Gjithçka është e gënjeshtërt”. E lejuan të shkruajë tre letra të shkurtra: një për farë nëpunësi të lartë, një për vajzën dhe një për të dashurin Vadim. Pranë derës së burgut qëndronin pesë makina. Në atë mëngjes të vrenjtur dhe tërë lagështi ajo u pushkatua në rrethinat e poligonit Vensen. Në momentin e pushkatimit duke shikuar në qiellin e lagësht të mëngjesit, kërkoi të mos ia lidhnin sytë dhe buzëqeshi…
Jeta, aventurat dhe sidomos vdekja e Mata Harit krijuan shumë mite. Informatori anglez Bernard Njumen ka shkruar: “Përgjithësisht nuk dëshiroj të them se dikur nuk ka ekzistuar një grua informatore, veprimtaria e së cilës të jetë e shquar. Mes tyre ke qenë një Mata Hari, por edhe ajo nuk ka kryer as të qindtën e asaj ç’ka i atribuohet në aventurat romantike”.
Jeta tokësore e Mata Harit vazhdoi nëpër ekrane dhe në shumë filma ku spikasin “E turpëruara” me Marlen Ditrih në 1931 dhe “Mata Hari” e luajtur nga Greta Garbo.