Ndahet nga jeta poeti dhe publicisti i njohur, Lirim Deda
Lirim Deda ka lindur në Nivicë të Kurveleshit, Tepelenë, më 16 shkurt 1936.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shtatëvjeçaren dhe gjimnazin në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Mbaroi studimet për oficer në Shkollën e Bashkuar, si dhe studimet në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në vitet 1961-1965 ka punuar si gazetar i kulturës në shtypin ushtarak dhe pastaj deri në vitin 1969 u dërgua në Shkodër, Kukës, Tropojë, si sekretar i rinisë i Korpusit të Veriut. Rikthehet në shtypin ushtarak, Kryeredaktor i Revistës “10 Korriku” në vitin 1973. Punoi në detyrë deri në vitin 1975. Lirimi ka qenë anëtar i kolegjiumit të gazetës “Drita”, si dhe anëtar i Komiteti Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë. Ka punuar në Sopot të Librazhdit në brigadat e punës deri në vitin 1990. Në vitet 1990 punon redaktor në gazetën “Fjala e lirë” dhe në gazetat “Ku vemi”. Më tej punon si redaktor në Shtëpitë botuese “Onufri”, “Egnatia” e “Xhuvani”. Zgjidhet dhe kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të rrethit të Elbasanit. Në vitet 2000-2012 punoi si kryeredaktor i gazetës “Labëria”. Ka qenë bashkëpunëtor i gazetës “Ndryshe”. Është anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Është redaktor në Shtëpinë Botuese “Alsa”.
Libta të botuara
Librin e parë me poezi dhe poema “Këngët e marshimeve” e botoi në vitin 1966 dhe pastaj me radhë: “Miqve dhe armiqve” 1968, “Në vijën e patrullimit” 1969, “E dua këtë tokë 1970, “Kolana e poezisë së zgjedhur shqipe” 1970, “Tregimet e Veriut” 1971, ‘Zambakë nga Hanoi” 1972, ‘Kënga e fitimtarëve” 1973, “Shënime për shokët letrarë” (shënime kritike, 1974), “Në Kinën e madhe” (reportazhe, 1974), “Balladë vietnameze” (reportazhe, 1979), “Zëri i tokës” 1980, “Gjurmë të arta” 1995, “Eja të blesh zemrën time” 1996, “Rrufe pikëllimi” 1997, “Trëndafili i zi” 1998, “Bukuria të verboka” 1999, “Djepvarri im, trimja Labëri” 2002, “Kush e vrau dashurinë” (shënime kritike-2006). Romanet: “Foleja e vetëtimave”, 2009 dhe “Valle në shtëpinë e vdekjes”, 2011.
Vlerësuar me çmime të parë
Në festivalet mbarëkombëtare të Radio Televizionit Shqiptar, si dhe në festivale të ndryshme të folkut e muzikës nëpër rrethe si në Gjirokastër, Shkodër e Elbasan, Lirim Deda si autor i teksteve ka fituar këto çmime të para: “Gjurmë të arta”, Kujtim Laro, L. Deda në Festivalin e 12-të të Këngës në RTSH; “Lulëkuqja”, Limos Dizdari, L. Deda, në Festivalin e 13-të të Këngës në RTSH; “Për ty Tiranë”, Avni Mula. L. Deda; “Sa 100 shqiponja”, R. Zdrava, L. Deda; “Kënga e zëmrave”, Alfons Balliçi, L. Deda; “E dua këtë tokë”, Prenk Jakova, L. Deda; “Dy milionë ushtarë”, Çesk Zadeja. L. Deda. ”. Dy këngët e tij në Festivalin e 12 dhe të 13 në RTSH, mbetën ndër këngët më të bukura të artistes së madhe Vaçe Zela.