Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Erdoğan miraton marrëveshjen me Izraelin

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka miratuar tri ligje, në mesin e të cilëve edhe “Marrëveshja Procedurale për Dëmshpërblim në mes të Republikës së Turqisë dhe Shtetit të Izraelit”

Presidenti Erdoğan miraton marrëveshjen me Izraelin

 Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka miratuar tri ligje, në mesin e të cilëve edhe “Marrëveshja Procedurale për Dëmshpërblim në mes të Republikës së Turqisë dhe Shtetit të Izraelit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga Qendra për Media pranë Presidencës së Turqisë, bëhet e ditur se Presidenit Erdoğan ka miratuar ligjet që përfshijnë Marrëveshjen me numër 6742 mes Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Japonisë për themelimin e Universitetit Turko-Japonez të Shkencës dhe Teknologjisë në Turqi, Marrëveshjen Procedurale me numër 6743 mes Republikës së Turqisë dhe Shtetit të Izraelit për Dëmshpërblim, si dhe Marrëveshjen me numër 6744 mes Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Venezuelës për bashkëpunim në fushën e energjisë, dhe të njëjtat ia ka përcjellë kryeministrit për t’u shpallur.

– Marrëveshja mes Turqisë dhe Izraelit

Sipas marrëveshjes së arritur me Izraelin, Izraeli, në formë të dëmshpërblimit ndaj familjeve të personave që humbën jetën në ngjarjen e Mavi Marmarasë më 31 maj të vitit 2010, do të transferojë 20 milionë dollarë në një llogari që do të hapet nga ana e Turqisë. Kjo shumë do të paguhet përnjëherë.

Turqia do ta informojë Izraelin për llogarinë në fjalë përmes rrugëve diplomatike. Izraeli do ta realizojë pagesën e kësaj shume brenda 25 ditëve të punës pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Ndërkaq, shpërndarja e shumës do t’i takojë ekskluzivisht Turqisë në përputhje me metodat e mundshme të shpërndarjes, që do të thotë se Izraeli nuk do të ketë asnjë përgjegjësi në këtë çështje.

Turqia dhe Izraeli kanë rënë në ujdi që nuk do të bartin përgjegjësi jurdike apo ndonjë përgjegjësi tjetër për ata që veprojnë ndaj palës tjetër ose në emër të palës tjetër, dhe se kjo gjë nuk do të komentohet se palët kanë pranuar përgjegjësi penale ose juridike për ata që veprojnë ndaj apo në emër të palës tjetër.

Marrëveshja do të sigurojë që Izraeli, ata që veprojnë në emër të Izraelit dhe shtetasit e Izraelit të përjashtohen nga çdo lloj përgjegjësie në lidhje me kërkesat juridike apo penale nga Republika e Turqisë ose persona fizikë dhe juridikë, që janë bërë apo mund të bëhen në të ardhmen në Turqi në mënyrë direkte apo të tërthortë.

Nëse paraqiten kërkesa për pagim parash nga persona fizikë apo juridikë të Turqisë ndaj qeverisë së Izraelit apo personave fizikë ose juridikë, duke anashkaluar dispozitat e lartpërmendura, të gjitha humbjet, shpenzimet dhe dëmet e qeverisë së Izraelit, atyre që veprojnë në emër të tij dhe qytetarëve të Izraelit, do të paguhen nga ana e qeverisë turke.

Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi në datën kur do të merret njoftimi i fundit nga palët përmes rrugëve diplomatike në lidhje me mbarimin e procedurave të nevojshme ligjore të brendshme.

Please follow and like us: