Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Saraçi, bashkëpunim me Rita Orën për koncertin e Vatikanit 

 

Rita Ora

Rita Ora do të këndojë një këngë të orkestruar nga Shpëtim Saraçi, në Vatikan.

“Ky, ky është Krishti Mbret/ që barinjtë e ruajnë dhe engjëjt i këndojnë/shpejtoni, shpejtoni t’i çoni lavdi/ foshnjës, birit të Marisë!” Një nga himnet më të bukura të Krishtlindjes do të këndohet në Vatikan nga këngëtarja nga Kosova, Rita Ora. Në datën 3 shtator, në vigjilje të ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës, në koncertin që zhvillohet me këtë rast, ajo do të këndojë këngën “What child is this”, e shkruar nga William Chatterton Dix, në 1865. Mes shumë versionesh që njeh kjo këngë, këtë herë ai do të interpretohet nën orkestrimin e mjeshtrit Shpëtim Saraçi. Këtë këngë Rita Ora e ka interpretuar në një duet me tenorin e madh italian Andrea Bocelli, në dhjetor të vitit 2015, drejtpërdrejt në ekranin e RAI 1, por këtë herë ajo do të jetë e vetme në skenë dhe ka preferuar një tjetër orkestracion. Ai i është besuar Shpëtim Saraçit, i cili sapo ka përfunduar arranxhimin. Siç rrëfen Saraçi, ka qenë dirigjenti i njohur Bujar Llapaj, i cili do të drejtojë koncertin homazh në Vatikan, që e ka kontaktuar dhe i ka kërkuar të bëjë një transkriptim të këngës që Ora ka kënduar me Bocelli­n, por që ajo vendosi ta këndojë solo. “Bëhet fjalë për një trajtim të ri, të cilin ajo do ta këndojë nën shoqërimin e violinistit Shkëlzen Doli dhe orkestrës filarmonike të Kosovës, nën drejtimin e Bujar Llapajt”, tregon Saraçi, entuziast për këtë bashkëpunim të ri, me një nga yjet e momentit të muzikës pop dhe R&B, në botë. Ky himn, i cili këndohet në një nga periudhat më të bukura të vitit, do të shënojë dhe një lloj rilindjeje në karrierën e Saraçit, pas një periudhe të vështirë shëndetësore, por që ai gjeti forcën dhe kurajën për ta lënë pas e për të rinisur atje ku e kishte lënë, madje edhe me më shumë dëshirë për jetën e frymëzim.

KONCERTI

Në datën 3 shtator, në “Basilica Papale di San Paolo Fuori Le Mura”, do të zhvillohet koncerti “Himni i Nënë Terezës”, me ideatore dhe producente Dijana Toska. Do të marrin pjesë në të yjet më të mëdhenj të operistikës shqiptare e botërore, Ermonela Jaho e Saimir Pirgu, sopranoja protagoniste e koncertit, Inva Mula, baritoni Gëzim Myshketa, tenori Ramë Lahaj e këngëtarja Rita Ora. Zërave të mrekullueshëm të këngëtarëve do t’i bashkohet edhe violina e mjeshtrit Shkëlzen Doli. Këngëtarët do të shoqërohen nga kori dhe orkestra filarmonike e Kosovës, drejtuar nga Baki Jashari. Pjesë e kësaj ceremonie do të jenë edhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, fituesja e medaljes së artë olimpike, Majlinda Kelmendi, Don Lush Gjergji dhe aktorët e rinj Lum Veseli e Andi Bajgora, të cilët me interpretimin e tyre në filmin e shkurtër “Shok” çuan Kosovën në “Oscar”. Koncerti që do të nisë në orën 19:30 është parashikuar të zgjasë 90 minuta dhe do të ketë si kulm himnin kushtuar Nënë Terezës, realizuar nga pianisti dhe kompozitori shqiptar, Genc Tukiçi, mbi një motiv të Lorenc Antonit dhe me tekst të vetë Gonxhe Bojaxhiut, shkruar më vitin 1928, përgjatë rrugës nga Irlanda në Kalkutë. Himni u interpretua për herë të parë nga sopranoja Inva Mula, më 5 shtator 2015 në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, në një koncert kushtuar shenjtores shqiptare, organizuar nga Dijana Toska.

Please follow and like us: