Albspirit

Media/News/Publishing

Sokol Shameti: Kryeministri që hesht

 

Sokol Shameti

 

Nuk kemi për ta pasur ndonjëherë fatin të dëgjojmë përgjigjet e sinqerta të kryeministrit të qeverisë për shumë nga pikëpyetjet më therrëse që ngrenë sot qytetarët mbi pasojat direkte të keqqeverisjes së tij.

Fëmija e një familjeje të varfër u varros i gjallë nga buldozerët e klientelës së pushtetit në një landfill korrupsioni. A është ky një krim shtetëror apo një aksident? Nëse është krim shtetëror, atëherë kryeministri, qeveritarët e tij dhe kanakarët e saj në biznes, janë kriminelë dhe duhet të japin llogari.

Nëse është një aksident – çka sigurisht që nuk mund të ndodhë në një vend me qeveri të zgjedhur nga të varfërit por të vënë në shërbim të pasurimit të të pasurve mbi gjakun e të varfërve – atëherë e gjithë hipokrizia e tij e kohës së Gërdecit shfryhet si një kamerdare e shpuar.

Kryeministri është në hall, prandaj zgjedh të heshtë. Për ta shpëtuar legjitimitetin e qeverisë së tij që erdhi në pushtet e mbajtur mbi shpatullat e iluzioneve që ky kryeministër thuri për të bindur të varfërit dhe punëtorët se ai do të ishte një ndër ta, kryeministri hesht dhe majmet sikur s’ka ndodhur asgjë.

Një valë e paparë dhune të fortësh, kriminaliteti dhe kultivimi kanabisi është shtrirë tejembanë vendit. Në një shtet ku asnjë shitës ambulant majdanozi nuk i shpëton syrit vigjilent të policisë, a tregon masiviteti i kësaj paligjshmërie përlyerje të qeverisë në krim?

Por kryeministri hesht e duke heshtur qesh. Qesh me ata që i merrnin seriozisht konferencat e stuhishme të shtypit nga selia e Partisë Socialiste në kohën e opozitës. Tallet me ata që besonin se ai vërtet indinjohej me Lazaratin, të fortët, policinë e korruptuar të Saliut të bërë njësh me bandat.

Kryeministri ofendon duke ua injoruar shqiptarëve shqetësimin për atë çka ndodh sot njëqindfish më keq, e shqiptarët rrinë urtë dhe bëjnë sikur s’e ndijnë këtë heshtje fyese që gajaset me ta që besuan se krimi dhe droga nëse lulëzojnë në kohën e Saliut, janë shenjë e kriminalizimit të shtetit. Nëse shpërthejnë në kohën e Edit janë provë se policia po kacafytet keq me krimin.

Një kartel i kompanive të sigurimit vendos të rrjepë edhe një shtresë tjetër lëkure nga shqiptarët e varfër duke e çuar në 300% rritjen e çmimeve të sigurimit brenda 3 vjetësh. Por kryeministri hesht. Hesht sepse s’mund të thotë se gjithë pompozitetin e tij të kohës së opozitës kur fliste për ulje çmimesh e për një jetë më të begatë e dinjitoze për të gjithë, e ka marrë lumi.

Për të është më e kushtueshme të pranojë se është gënjeshtar, ndaj më mirë të shfaqet si memec, ose si naiv që bën sikur nuk kupton.

Një rrugë e ndërtuar me paratë e shqiptarëve dhe me borxhe që i paguajnë shqiptarët përgatitet t’u falet privatëve, por kryeministri nuk ndihet. Nuk flet sepse gjithçka që do të thoshte sot do ta brente si tunel malin e fjalëve që ai vetë dikur ka thënë rreth kësaj rruge specifikisht dhe rreth sakrificave të shqiptarëve për ndërtime rrugësh të inaguruara nga Saliu, përgjithësisht.

Sikur të fliste Rama sot në mbrojtje të koncesionit të Rrugës së Kombit, atëherë do të mjaftonte vetëm riprodhimi i një deklarate të partisë së tij kundër koncesionit të ndërtimit të saj vaktit, për të nxjerrë në dukje falsitetin e tij të atëhershëm. Ndaj Rama më mirë s’e çel gojën hiç dhe vazhdon përpara. Si Saliu, në rrugën e Saliut.

Një marrëveshje e ulët në kurriz të interesave shqiptare po gatuhet me rastin e demarkacionit kufitar Kosovë-Mal i Zi. A nuk është ky një rast kur Shqipëria mund të reagojë dhe të flasë fjalën e saj si e interesuar direkte që asnjë ujdi të mos përfundojë në disfavor të shqiptarëve? Por kryeministri që dikur bërtiste kundër paktit detar, fsheh sot kokën si struci dhe bën sikur kjo çështje s’i takon ndonëse Kushtetuta thotë të kundërtën.

Nga njëra anë s’lë rast pa e reklamuar dhe përkundur veten në rolin e liderit të të gjithë shqiptarëve të rajonit, flet dhe negocion në emër të tyre me Serbinë e me kë të mundet, e nga ana tjetër mbyll sytë, veshët dhe gojën teksa një qeverisje e papërgjegjshme dhe e korruptuar në Kosovë, po i shet Malit të Zi një sipërfaqe të barabartë me atë të Himarës me gjithë Vuno e Dhërmi.

Kryeministri nuk mund të thotë sot se e gjithë histeria e tij e kohës së paktit detar ishte vetëm një akt teatral. Se atij nuk i bëhej vonë për fatet e shqiptarëve por vetëm për karrigen e atij që vendos për këto fate. Ndaj më mirë, ai hesht.

Dhe problemi është që jo vetëm përgjigje për këto pyetje nuk do të ketë, por sa më hermetike do të bëhet qeverisja e këtij satrapi, aq më brutale do të jenë përpjekjet e tij për të krijuar iluzionin sikur në fakt nuk është kështu.

Ja pse ky kryeministër është shndërruar në një personazh virtual fejsbuku për të cilin një ditë mbesa ime 5 vjeçare u shpreh me bindje se fare nuk ekziston në jetën e përditshme.

Janë këto pyetje të sikletshme dhe pamundësia për të folur për to, arsyeja pse ai nuk guxon më të shfaqet në konferenca të hapura për shtyp apo në intervista (si ajo diskredituesja, e para dhe e fundit në Euroneës).

Është kjo arsyeja e pranisë së këtij kryeministri vetëm në “komunikime” të para-seleksionuara onlajn, në intervista të sponsorizuara nga lobi i tij si dhe në rastin më të mirë në ndonjë panel me partiakë të vetët të cilët ai i thërret “analistë” dhe me të cilët ai bën sikur zihet në debate ku ndonëse zhurmohet goxha, mësohet më pak sesa në një funeral të heshtur.

Dhe në fakt, sikurse e ka stiluar me të drejtë dikush para pak kohësh, ky është vërtet një funeral. Funerali i legjitimitetit të kësaj qeverie.

Please follow and like us: