Albspirit

Media/News/Publishing

Tahiri, show mediatik arave e gërxheve, motorët e ujit çajnë detin me kanabis

 

Prej ditësh ministri i Brendshëm Saimir Tahiri bën show me gazetarë shqiptarë e të huaj arave e gërxheve të mbjella me bimë narkotike, ndërsa trafikantët shqiptarë çajnë detin drejt Italisë.
Përballë showt të ministrit shqiptar, është policia italiane që përballet me trafikantët shqiptarë.
Policia financiare italiane e Otrantos ka sekuestruar në orët e para të mëngjesit të sotëm dy motorë uji me prejardhje nga Shqipëria.
Ata janë identifikuar nga roja bregdetare e komunës së San Fokës në rajonin e Pulias, ndërsa po lundronin në ujërat italiane me drita të fikura.
Menjëherë policia italiane ka nisur aksionin e ndjekjes së tyre.
Njëri prej drejtuesve të njërit prej motorëve të ujit ka mundur të mbërrijë në tokë në territorin e San Fokës, duke braktisur mjetin lundrues.
Ndërsa drejtuesi tjetër është bllokuar në mes të detit dhe është denoncuar nga policia italiane.
Ai është  19-vjeçari nga Vlora me iniciale S. K., ndaj të cilit Prefekti i Lecces ka lëshuar urdhrin e dëbimit e të riatdhesimit.
Por gjatë këtij aksioni policia italiane nuk ka mundur të gjejë lëndën narkotike, të cilët mendohet se dy motorët e ujit po transportonin nga Shqipëria
Ky episod është mjaft i ngjashëm me atë të datës 22 gusht ku pak metra më larg se San Foca, në San Kataldo u sekuestruan dy motorë uji me 224 kg marijuanë në vlerë 2 milionë euro e u arrestua një shtetas shqiptar 37-vjeç.

Please follow and like us: