Traktat mbi tolerancën
I shkruar në vitin 1763 nga Volter “Traktati i tolerancës” është kthyer në bestseller jo vetëm në Francë pas ngjarjeve në revistën satirike “Charlie Hebdo”.
Product Description
I shkruar në vitin 1763 nga Volter “Traktati i tolerancës” është kthyer në bestseller jo vetëm në Francë pas ngjarjeve në revistën satirike “Charlie Hebdo”.
“Toleranca dhe harmonia fetare, nuk i ka bërë keq askujt, është mostoleranca ajo që ka shkaktuar këtë kasaphanë në të cilën jemi bashkëjetues”. Kështu shkruan Volter më vitin 1763 në librin “Traktat mbi tolerancën”, një nga librat më të mirë të shkruar ndonjëherë për besimin fetar dhe raportin mes fesë dhe individit. Në qendër të rrëfimit të Volterit është historia e Zhan Kalasit, një tregtar protestant i cili akuzohet për vrasjen e djalit të tij, pasi ai dëshironte të ndryshonte besimin fetar, duke u kthyer në katolik. Ngjarja ku bazohet libri ka ndodhur në Francë, në një zonë të Tuluzës. I bindur për pafajësinë e të atit, Volteri e merr sërish çështjen në dorë duke shkruar këtë traktat mbi tolerancën. Aty ai paraqet të gjitha gjasat e rreme dhe mangësitë e padisë së procesit kundër plakut Kalas dhe shpjegon se si paragjykimi kundër protestantëve shtyu njerëzit dhe gjykatësit të merrnin vendimin më të rëndë: dënimin me vdekje. Gjykata e Tuluzës, më 9 mars të vitit 1762 , megjithëse ky nuk ishte një krim i kryer prej tij, pasi i biri kishte vrarë veten. Torturat ndaj Kalasit e bënë atë të pranonte krimin. Volter e merr këtë histori të ndodhur në Tuluzë për ta kthyer në një himn të akuzave që bëheshin në emër të fesë, dhe se si kjo e fundit shpesh keqinterpretohej duke u akuzuar dhe për krime. “Atje ku rreziku mbart edhe anë të mira, frika davaritet dhe mëshira fashitet. Por, kur një baba i pafajshëm bëhet pre e gabimit, pasionit, apo fanatizmit; kur i akuzuari ka për mbrojtje vetëm virtytin; kur nëse dënojnë dikë, gjykatësit e fatit të tij ia hedhin pa u lagur dhe ky dënim quhet thjesht një gabim; kur ia shkojnë kokën në satër dikujt, por nuk u hyn gjemb në këmbë, atëherë zëri i popullit çan qiejt, gjithkush kërkon të ruajë kokën, duket që askush nuk është i sigurt para një gjykate të ngritur për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe të gjithë zërat së bashku thërrasin për të kërkuar shpagim. Në këtë mesele të çuditshme, bëhej fjalë për fe, vetëvrasje dhe atëvrasje. Çështja ishte nëse babai dhe nëna kishin mbytur birin e tyre për hir të Zotit, nëse vëllai kishte mbytur vëllain, nëse miku kishte mbytur mikun, apo nëse ishte edhe faji i gjykatësve që kishin shpënë mbi rrotën e vdekjes një baba të pafajshëm, apo që i kishin falur jetën një nëne, një vëllai, një miku fajtor”, shkruan Volter në kapitullin e parë të librit. I konsideruar gjithnjë si një nga traktatet më të mira të shkruara ndonjëherë për besimin dhe mënyrën sesi duhet ta shohim atë, ky libër është kthyer këto kohë në një nga librat më të shitur në Francë pas ngjarjeve në revistën satirike “Charlie Hebdo”, ku humbën jetën 20 vetë. Redaktori i “Charlie Hebdo”, Stephane Charbonnier, i cili humbi jetën gjatë sulmit fatal, kishte shkruar dy libra bazuar në historinë e Volterit. Më shumë se dy shekuj jetë, libri i Volterit vazhdon t’i flasë kohës dhe shoqërisë së sotme, duke apeluar mbi rëndësinë e tolerancës fetare. Shtëpia botuese “Saras” pritet ta nxjerrë shumë shpejt librin në treg për lexuesin, duke e futur gjuhën shqipe në hartën e gjuhëve në të cilat ka folur ky libër. I përkthyer nga Fari Laçka, libri i cili mund të quhet dhe një ese e gjatë filozofike, nuk tregon thjesht një histori, por të bën të lexosh përmes saj. Duket sikur Volter e parashikon të ardhmen, atë çfarë po ndodh sot në emër të fesë, trazirat në Lindjen e Mesme, apo vrasjet në emër të IS. Në paragrafin e parë të librit ai shkruan se “kjo është jo vetëm një ‘nga ngjarjet më të pazakonta që meritojnë vëmendjen e brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm’, por edhe një mësim i mirë që duhet të nxjerrin të gjitha kombet e shoqëritë e sotme”. Traktat mbi tolerancën është ese e shkruar në vitin 1763 nga shkrimtari dhe filozofi i shquar francez, François Marie Arouet, ose siç njihet ndryshe, Volter. Lindur më 21 nëntor të vitit 1694, ai ishte një nga ata filozofë të shekullit të Përndritjeve, një figurë shumë komplekse që u dallua për mprehtësinë, kritikat e ashpra drejtuar fesë, në veçanti asaj katolike, mbrojti lirinë e besimit, të shprehjes, ndarjen e shtetit nga kisha dhe luftoi sidomos kundër dogmave fetare dhe mostolerancës. Shekulli i tetëmbëdhjetë kur jetoi Volteri, është kohë ndryshimesh të mëdha në shumë aspekte të jetës, veçanërisht në shkencë e filozofi dhe siç thotë ky shkrimtar ‘në shpirtrat e mendjet e njerëzve ka ndodhur një revolucion’… “Drita po përhapet nga të gjitha anët”, shkruan ai në vitin 1765. Por, edhe në këtë atmosferë të re ku ishte futur shoqëria njerëzore, siç shprehet ai përsëri “te njeriu ka mbetur ende zgjyra e fanatizmit”. Ndaj dhe ky shkrimtar i jashtëzakonshëm bëhet pishtar i lirisë dhe armik i përbetuar i paragjykimeve, fanatizmave, dogmave dhe fesë, por asaj feje që në disa periudha e zhyti njerëzimin në padituri dhe rrënim, pavarësisht se, me sa kuptojmë nga ato që shkruan, vetë Volteri e pranon se Zoti ekziston. Kjo ese është një kambanë e cila lajmëron se fanatizmi i ka rrënjët ende të forta dhe vështirë se mund të shkulen nga mendja dhe shpirti i disa njerëzve, të cilët besojnë te feja ose verbërisht, ose qëllimthi për të përfituar prej saj. Mjeshtërinë e tij e kanë vlerësuar të gjithë ata që kanë lexuar edhe vepra të tjera të njohura, apo të panjohura. Mjafton të përmendim këtu Zagigun, apo Kandidin, dy pamflete të fuqishme kundër dhunës, urrejtjes, vrasjeve, luftërave e gjëmave të historisë, shtypjes dhe zvetënimit të qenies njerëzore. Historia e Zhan Kalasit është kthyer në një histori simbol të krimeve në emër të fanatizmit fetar. Si njohës i mirë i çështjeve fetare dhe ligjore, gjatë gjithë esesë shkrimtari sjell fakte mbresëlënëse nga epoka, shoqëri dhe bashkësi të ndryshme fetare dhe duke i gërshetuar me njëra-tjetrën, ai përfundon librin pikërisht aty ku ka zanafillën, rehabilitimi i figurës së plakut Kalas si nder i tolerancës dhe turpi i mostolerancës, një tregues i qartë se deri ku mund ta shpjerë fanatizmi mendjen dhe shpirtin e njeriut. Volteri është një nga ata luftëtarë të cilin arsyeja e udhëheq gjithmonë drejt qëllimit që i ka vënë vetes: të jetë avokati mbrojtës i dinjitetit njerëzor dhe armik i përbetuar i çfarëdo lloj shtypjeje, tiranie e fanatizmi. Ashtu si në shumë vepra të tjera, ironia e tij shumë e hollë dhe therëse, nxjerr më në pah paradokset njerëzore të ndikuara nga rryma e teori të ndryshme fetare. Nuk ngurron ky shkrimtar i guximshëm të kritikojë edhe figura të njohura fetare, në shënjestrën e të cilit vihen edhe vetë ‘mëkëmbësit e Zotit mbi tokë’, papët e Romës, duke treguar se vetëm duke pasur guximin t’u kundërvihemi dukurive të tilla, atëherë do të mund njeriu që ta shndërrojë shoqërinë dhe vlerat e krijuara deri më sot në një qytetërim më fisnik, më të dhembshur e fundja, thjesht më njerëzor.
Lutje Zotit*
Volter
Tani nuk po u drejtohem njerëzve, por ty, Zot i të gjitha qenieve, botëve dhe kohërave. Nuk e di nëse lejohet që krijesa të dobëta, të përhumbura në pafundësi dhe të papërfillshme në gjithësi, të guxojnë të të kërkojnë diçka ty që ke dhënë gjithçka, në bazë të rregullave të pandryshueshme dhe të përjetshme, të denjosh të shikosh me zemërgjerësi gabimet që edhe pse vijnë nga natyra jonë, të mos bëhen mynxyrat tona. Nuk na ke dhënë zemrën të urrejmë, e duar të theremi. Bëj që t’i ndihim njëri-tjetrit për të mbartur barrën e kësaj jete të vështirë kalimtare; që dallimet e vogla mes rrobave në trupat tanë të dobët, mes gjuhëve tona të cekëta, mes zakoneve qesharake, mes ligjeve të papërsosura, mes opinioneve të pamend, mes kushteve kaq të ndryshme në sytë tanë, por që s’kanë dallim para teje; që të gjitha këto çikërrima mes thërrmijave të quajtura njerëz të mos jenë shenja urrejtjeje dhe përndjekjeje; që ata të cilët ndezin qirinjtë në mes të ditës për të kujtuar emrin tënd, të përkrahin ata që kënaqen me dritën e diellit që u fale; që ata të cilët mbulohen me pëlhurë të bardhë për të thënë se duhet të të duam, mos urrejnë ata që thonë të njëjtën gjë, por nën rasën e zezë; që adhurimi ynë të jetë njësoj, qoftë në një gjuhë të lashtë, qoftë në një të re; që ata të cilët veshin petkun e kuq, që zotërojnë një grusht baltë nga kjo tokë dhe që kanë copëza metali vezullues, të gëzojnë përultësisht atë që e quajnë madhështi dhe pasuri dhe të tjerët t’i shohin pa smirë. Sepse ti e di që për këto kotësira nuk ka, as pse të zilepsesh, as pse të mburresh. Kurrë mos u harroftë se njerëzit janë vëllezër! Paçin urrejtje vetëm për tiraninë që rëndon mbi shpirtra, ashtu siç neveriten nga banditizmi që rrëmben me dhunë frytet e punës dhe të djersës. Nëse gjëmat e luftës nuk shmangen dot, mos e urrejmë, mos e shqyejmë njëri-tjetrin në prehrin e paqes dhe ta përdorim këtë jetë për të bekuar njësoj nga Azia në Amerikë, në mijëra gjuhë, mirësinë tënde që na ka sjellë në këtë botë.
* Pjesë nga libri