Albspirit

Media/News/Publishing

V.S Naipaul: Në mes të udhëtimit

herbert

 

 

 

Duke qenë se jam rritur në një ishull të vogël – Trinidadi[1] nuk është më i madh sesa Goa[2] – madhësia gjithnjë më ka magjepsur. Vetëm të kundrosh lumenj të gjerë e male të larta gjatë një udhëtimi 24-orësh me tren është një kënaqësi e veçantë që të ofron bota e jashtme. E tani, pas gjashtë muajsh qëndrimi në Indi, magjepsja ime për madhësinë ka marrë nuancat e një trazimi të brendshëm. Këtu të zë syri një pafundësi përtej caqeve të imagjinatës, një qiell kaq të paanë dhe të thellë sa perëndimet e diellit nuk shijohen me një vështrim të vetëm, por duhet t’i vëzhgosh intensivisht dhe gradualisht, një peizazh që shndërrohet monoton nga madhësia dhe bëhet i frikshëm nga vetë thjeshtësia e aftësia e tij për të të sfilitur: të korra të pakta në ara të vogla e të pjerrëta, njerëz me gjatësi nën mesataren e përgjithshme, kafshë të kequshqyera, fshatra e qyteza plot pluhur, të cilat, ndonëse zhvillohen, i kaplon një atmosferë rrënuese e shprishëse. Vjen agimi, bie nata; në stacionet hekurudhore, të padallueshëm nga njëri-tjetri, me tabela identifikuese sikur i kanë vënë qëllimisht për të mos u vënë re, ndalojmë dhe më pas i lëmë prapa – interlude të papritura dhe të mistershme plot me mizëri zhurmash njerëzore; dhe megjithatë udhëtimi vazhdon derisa pafundësia humbet kuptimin e mirëfilltë, bëhet e padurueshme dhe, nga kjo përsëritje e pafund që të telendis, çdokush dëshiron të marrë arratinë.

Të pranosh këtë nënkupton atë çka është tepër e qartë. Por në Indi ajo çka duket sheshit është dërrmuese. Shpeshherë, gjatë këtyre gjashtë muajve të kaluar, kam përjetuar momente përafërsisht histerike, sa herë që kam tentuar të harroj Indinë, kur në stacione kam qëndruar në salla pritjeje të klasit të parë – jo dhe aq për të pasur ca privatësi, por më shumë për mbrojtje, për të mos u gjendur mes trupave thatimë të shtrirë nëpër platforma, për të qenë larg qenve të uritur që lëpinin e përpinin mbetjet e ushqimeve, për të mos dëgjuar rënkimet e një qeni që goditej a sulmohej më kot për qejfin e dikujt. Me një moment të tillë jam përballur në Bombei, që në ditën e parë të mbërritjes time në Indi, kur e ndjeva se India ishte si një sulm ndaj shqisave. Një moment të tillë do ta kuptoja më së miri pesë muaj më vonë, në Xhamu[3], ku konturohet një terren gjeografik sa i thjeshtë aq edhe kërcënues – në veri, kodrat lartësohen gradualisht; në jug, përtej spiraleve të tempujve, rrafshnaltat, pafundësia e tyre tanimë e përjetuar, të ngjallin ankth.

Gjithsesi, ndër këto momente përsëritëse, ka pasur aq shumë të tjerë, kur frika dhe padurimi ua kanë lënë vendin entuziazmit dhe kënaqësisë, kur një qytet, i eksploruar më thellë nga ç’mund të vëzhgohet nga dritarja e trenit, të përçon idenë se ndjesia sfilitëse vetëm pluskon në sipërfaqe, se në Indi, më shumë se në çdo vend tjetër që kam vizituar, gjërat ndodhin. Kur dëgjon goditjen e çekanit mbi metal në një qytezë të Punjabit[4] apo kur viziton impiantin kimik në Hyderabad[5], ku pjesa më e madhe e pajisjeve janë projektuar dhe prodhuar sipas metodave indiane, kupton se njeriu është pjesë e një revolucioni industrial, për të cilin, ndoshta për shkak të mungesës së reklamimit, askush nuk do ta kishte besuar realisht. E kur sheh ndërtesat e reja, të shumta në numër, thuajse në të gjitha qytetet e Indisë, dëshmon se, duke lënë mënjanë për një moment kulturën e vjetër të këtij vendi, perspektiva estetike indiane është rigjallëruar dhe është në gjendje për të krijuar – nga materiale që vijnë nga vende të tjera – gjëra thelbësisht indiane.

Kam qenë në fshatra të panjohura – pak apo aspak të zhvilluara. Dhe aty ku më parë do të kisha ndier vetëm dëshpërim, tani e kuptoj se i dëshpëruar është vëzhguesi dhe jo vendasi. Kam mësuar të shoh tej pisllëkut dhe trupave të shtrirë mbi krevate me nyje litarësh, si dhe të dalloj shenja përmirësimi dhe shprese, sado të zbehta qofshin: rrugë të kalldrëmta, ndonëse mund të jenë plot mbeturina; orizi i mbjellë në rreshta dhe jo i hapërdarë gjithandej; shkalla e urtësisë me të cilën një fshatar përballet me një zyrtar apo vizitor. Pra, arrij të vërej gjëra kaq të vogla, në dukje të papërfillshme: me kalimin e muajve më është mësuar syri.

Sidoqoftë, ajo çka duket sheshit është dërrmuese. Sapo ndjesia e frikës ndaj një krahine të veçantë sa vjen e shuhet si pasojë e lidhjeve që krijon aty, vjen momenti të largohesh prej andej, mes rrafshnaltave të pafund, me të cilat asnjëherë nuk familjarizohesh plotësisht, të cilat të trishtojnë; dhe sërish të kthehet ndjesia për të marrë arratinë.

Megjithatë, nga shumë pikëshikime, madhësia e një vendi është vetëm një fakt fizik. E ndoshta për shkak të madhësisë së vendit të tyre, indianët ndiejnë nevojën të kategorizohen në një shkallë të ulët, të kufizohen, të reduktohen në proporcione të menaxhueshme.

“Nga je?” Kjo është një pyetje që më bën çdo indian. Për ata njerëz, të kufizuar brenda hapësirës së të menduarit në nivel komuniteti, fshati apo krahine, përgjigjja ime se unë jam nga Trinidadi, iu duket e çuditshme.

“Por ti dukesh si indian!”

“Epo, në fakt indian jam, por ne kemi jetuar për breza të tërë në Trinidad.”

“Por ti dukesh si indian!”

Ky dialog ndodh tri apo katër herë në ditë, kështu që shpesh i shmangem shpjegimit dhe u them: “Në të vërtetë, unë jam meksikan.”

“Ah!” Ç’lehtësim. Vijon një pauzë. “Me çfarë merresh?”

“Shkruaj.”

“Merresh me gazetari apo shkruan libra?”

“Libra.”

“Shkruan histori me sherifë, krime apo romanca? Sa libra shkruan në një vit? Sa fiton?”

E atëherë më duhet të sajoj diçka tjetër: “Jam mësues.”

“Për çfarë je diplomuar?”

“Kam bërë një master.”

“Vetëm një master? E ç’lëndë jep?”

“Kimi. Edhe pak histori.”

“Sa interesante!” tha një burrë në autobusin e linjës Pathankot – Srinagar[6]. “Edhe unë jam mësues kimie.”

Ishte ulur përballë meje. Na mbeteshin edhe disa orë deri në fund të udhëtimit.

Në këtë tokë të pafund të Indisë, është e domosdoshme të hapesh, të tregosh funksionin dhe statusin tënd në univers. Kjo është shumë e vështirë.

Përvoja jetësore në Indi më ka ndihmuar të kuptoj më mirë marrëdhëniet racore ose komunitare. Si një indian, unë nuk jam gjendur asnjëherë në një rrugë ku çdokush është indian, ku të përzihem në mënyrë të padallueshme mes turmave. Një gjë e tillë ka qenë çuditërisht lehtësuese për mua, ngaqë, gjatë gjithë jetës, unë kam qenë i prirë të mendoj se duhet të vlerësohem për dallimin nga të tjerët dhe vetëm në Indi kam arritur të kuptoj se sa i domosdoshëm është ky stimul për mua, se sa i kushtëzuar kam qenë nga shoqëria shumëracore e Trinidadit dhe më pas nga jeta ime si “i huaj” në shoqërinë angleze. Më ka pëlqyer gjithmonë ideja e të qenët pjesëtar i një minoriteti. Të qenët pjesëtar i një komuniteti prej 439 milionë indianësh qenka tmerruese.

Si një kolon, në kuptimin e dyfishtë të dikujt që është rritur në një koloni të administruar nga monarkët britanikë dhe të dikujt që ka jetuar i shkëputur nga jeta metropolitane, qoftë indiane apo angleze, unë vetë erdha në Indi me pritshmërinë për të gjetur një ambient metropolitan. Kisha besuar se në shumë drejtime madhësia e kësaj toke do të kishte reflektuar në sjelljen e njerëzve. Kam zbuluar, siç e kam përmendur më sipër, psikologjinë e një qelize të vetmuar dhe kosheres së bletëve. Dhe jam mahnitur nga ngjashmëritë. Si në Indi, ashtu si edhe në Trinidad, nuk ka metropol. Ky i fundit ndodhet diku gjetkë, në Europë apo Amerikë. Aty ku kisha parashikuar të shihja madhështi, trashëgimi kulturore dhe vetësiguri, unë u përballa me të gjitha qëndrimet koloniale që kanë lidhje me mosbesimin dhe pasigurinë ndaj vetvetes.

“Çmendem pas të huajve”, më tha bashkëshortja e një biznesmeni të suksesshëm. Dhe kjo lloj manie lidhet me dëshirën për të ngrënë ushqime të huaja, për të përdorur pajisje sanitare gjermane apo për të gjetur një nuse europiane për të birin, i cili më pas do të kishte “burrërinë” të shpallte haptas në ndonjë drekë: “Ej, a ju kam thënë se unë shpenzoj tre mijë rupi në muaj?”.

“Ti je turist, ndaj nuk arrin ta kuptosh realitetin e këtushëm”, më tha mësuesi i kimisë në autobusin për në Srinagar. “Ky është një vend i poshtër. Nëse më krijohet mundësia, ia bëj naftën që nesër.”

Te disa që i përkasin një klase të caktuar të shoqërisë indiane, zakonisht ata që kanë të ardhura më të larta, ekziston një shtysë e papërmbajtshme për t’i treguar një vizitori se ata nuk duhet të futen në kategorinë e të varfërve, se nuk bëjnë pjesë në Indinë e fëlliqur, se vlerat e standardet e tyre janë më të larta dhe se ata jetojnë të nëpërkëmbur nga një vend që u siguron atyre mirëqenien. Çdo produkt i huaj i dorës së dytë, qoftë njeri apo mall, është i preferuar për këta indianë. Ata janë të mendimit se, edhe për ta edhe për europianët, India nuk është gjë tjetër veçse një vend që duhet shfrytëzuar përkohësisht. Sa e çuditshme të përballesh, në një Indi të lirë, me këtë sjellje prej zaptuesi, me këtë sjellje prej plaçkitësi – një sjellje e harbuar – te këta njerëz, të cilëve shoqëria në zhvillim u ka krijuar kaq shumë oportunitete!

Kjo sjellje prej plaçkitësi demonstrohet në shoqëritë koloniale emigrante. Ajo ka krijuar, ashtu si edhe në Trinidad, filistinizmin[7] patetik të atij personi që quhet renonçant (një fjalë e gjetur frënge, e cila përshkruan një vendas që braktis kulturën e tij dhe kërkon të përqafojë kulturën franceze). Dhe në Indi, ky filistinizëm, një miksturë e rëndomësisë dhe vulgaritetit të Lindjes dhe Perëndimit – ato salla të trishtuara vallëzimi, ato kabare të trishtuara “perëndimore”, ata donzhuanë me xhaketa lëkure – është tejet i neveritshëm. Këtij filistinizmi i shtohet doza kur disa indianë, të cilët, pasi jetojnë dy apo tre vjet në një vend të huaj, “mburren” se ata nuk janë as nga Lindja e as nga Perëndimi.

Spektatori i kësaj skene, duhet ta pranojmë, rrallë e vë re vështirësinë. Bashkëshortja e biznesmenit, tepër e zellshme për të shfaqur shijet e saj perëndimore, konsultohej rregullisht me astrologun e saj dhe shkonte çdo ditë në tempull për të garantuar vazhdimësinë e fatit të saj të mirë. Mësuesi i kimisë, i cili ankohej për mungesën e disiplinës dhe vrazhdësinë e indianëve, pa të keq, sapo arritëm në stacionin e autobusit në Srinagar, filloi të ndërronte rrobat në publik.

Trinidadiani, cilado qoftë raca e tij, është kokë e këmbë kolon. Indiani, çfarëdo që të pretendojë, i ka rrënjët në Indi. Ndërkohë që trinidadiani, një kolon, përpiqet të përqafojë kulturën e metropolit, indiani, të cilin e kam shpjeguar, metropolitan për arsye të veçantisë së vendit të tij, si dhe arritjeve të Indisë në të kaluarën dhe në dekadën e fundit, shfaq tendencën të bëhet kolon.

Aty ku dikush kishte parashikuar të gjente krenari, në fakt zbulon prirjen për të plaçkitur. Aty ku ai kishte parashikuar të gjente metropolin, në fakt zbulon prirjen për kolonializëm. Aty ku ai kishte parashikuar të gjente madhështinë, në fakt zbulon kufizimin. Goa, pothuajse e çliruar, i ngjan një shteti kaotik. Pesëmbëdhjetë vjet pas pavarësisë, politikani si lider kombëtar me sa duket është zëvendësuar nga politikani si prijës fshati (një tip që e kam menduar të veçantë në komunitetin indian kolonial të Trinidadit, një tip për të cilin politika është vetëm një lojë, nga e cila ai fiton nga kontratat që lidh Departamenti i Punëve Publike). Për prijësin fshatar indian, India është veçse një grupim fshatrash. Në këtë mënyrë, vizioni për Indinë si një vend madhështor duket si i imponuar, ndërsa çuditërisht pafundësia e vendit rezulton një perceptim zhgënjyes.

Megjithatë, në fund të fundit, mbetet një koncept për Indinë. Por çfarë? Diçka më shumë se klasa e mesme urbane, politikanët, industrialistët, fshatrat e thellë. Çfarëdo qoftë, kjo apo ajo, siç na thonë shpesh, është India “e vërtetë”. Dhe njeriu fillon të thellohet se pse përdoret kjo fjalë. India është vetëm një fjalë, një ide mistike që përfshin brenda vetes gjithë ata lumenj dhe rrafshnalta të pafund, nëpër të cilat gjarpërojnë trenat, gjithë ato fytyra anonime të përgjumura që sheh në platformat e stacioneve hekurudhore dhe rrugët e kalldrëmta të Bombeit, gjithë ato ara që nuk mirëmbahen, gjithë ato kafshë të rrëgjuara, gjithë ajo tokë e fishkur dhe e plaçkitur. Ndoshta kjo është India, kjo pafundësi, të cilën askush nuk do të mund ta kuptojë ndonjëherë: India është një dhembje, për të cilën çdokush ka ndjeshmëri, por nga e cila askush nuk dëshiron ta shkëpusë përgjithmonë vetveten.

 

 

[1] Një nga dy ishujt që përbëjnë shtetin e Trinidadit dhe Tabagos, i cili gjendet në Karaibe. (Të gjitha shënimet janë të përkthyesit.)

[2] Shtet në Veri të Indisë.

[3] Krahinë në Veri të Indisë.

[4] Shtet në Veriperëndim të Indisë.

[5] Kryeqyteti i shtetit Andhra Pradesh, që shtrihet në Jug të Indisë.

[6] Qytete në Indi.

[7] Në fushën e filozofisë dhe estetikës, filistinizmi përshkruan zakonet, karakterin dhe mënyrat e të menduarit të një filistini; është një qëndrim social i antiintelektualizmit që zhvlerëson artin, bukurinë, spiritualizmin dhe intelektin.

Please follow and like us: