Xhaka: Nuk kemi frikë nga Italia e Spanja
Sapo i afrohesh për ta intervistuar, e tregon në mimikë mungesën e dëshirës për t’iu përgjigjur interesimit të mediave.
Pavarësisht se është gjithmonë i gatshëm për këdo që i afrohet për të bërë foto, me gazetarët ndryshon raporti dhe e gjithë kjo për shkak të temës së ditëve të fundit në lidhje me lojtarët që kanë zgjedhur Kosovën.
“Jam gati të bëjmë foto, intervistë jo sepse e di se çfarë do të më pyesni. Unë nuk do të komentoj për atë që interesoheni ju.
Për pyetje të tjera, jam gati”, shprehet Taulant Xhaka, në nisje të një interviste për “Panorama Sport”.
Duket sikur jeni abonuar me titullin te Bazeli…
Po, më vjen mirë sepse e kemi nisur si duhet. Skuadra është e organizuar mirë dhe e ka nisur sezonin me ritmin e duhur.
Ju personalisht si ndiheni për këtë sezon?
Shumë mirë. Jam në formën time maksimale dhe tashmë vëmendja është e përqendruar te Kombëtarja. Uroj dhe dua shumë që ta nisim me këmbën e mbarë dhe të marrim tri pikët e para.
Javën e fundit dhuruat edhe asist…
Jam i kënaqur për veten, sepse të tilla gjëra janë vlerësim i punës së madhe që ne bëjmë çdo ditë. Që pas dëmtimit para Europianit, kam punuar shumë që të kem formën më të mirë. Fatmirësisht, dëmtimet i kam lënë pas dhe jam i gatshëm që këtë formë të mirë ta vë në dispozicion edhe të Kombëtares, në mënyrë që të ketë edhe ajo performanca sa më të mira.
Pjesëmarrja në Europian ka qenë eksperiencë e fituar, apo i druheni se lojtarët nuk do të kenë më të njëjtën impenjim?
Jo, jo as që e mendoj ndonjëherë këtë të fundit. Besoj që do të jetë eksperiencë për të gjithë ne. Tashmë e dimë se sa shumë duhet të bëjmë që të mund të kualifikohemi, ndaj nëse nuk do të japim 110%, është e qartë që s’do të kemi shanse.
Në një grup me Italinë dhe Spanjën. Si e shihni Shqipërinë të pozicionuar në këtë grup?
E shoh shumë mirë. Kuptohet, pa hequr asnjë presje të faktit se sa duhet të punojmë dhe çfarë duhet të bëjmë, por në të njëjtën kohë le të mos harrojmë që kemi arritur kualifikimin në një grup që ishte shumë i vështirë në Europian dhe që në fillim ishte ëndërr e largët. Në shumë ndeshje jemi përballur me dinjitet me ekipe të mëdha dhe kemi marrë rezultate të mira. Tashmë, pse jo ta bëjmë diçka të tillë edhe kundër Italisë e Spanjës.
Besoni realisht se kemi shanse kundër Italisë dhe Spanjës?
Unë besoj që po. E ritheksoj, nuk ishte aspak e lehtë për “Euro 2016”. Tashmë, nuk gjej asnjë arsye përse të mos besojmë. Futbolli është i paparashikueshëm dhe kjo përmbledh gjithçka.
Së fundmi, pas largimit të disa lojtarëve të Kombëtares drejt Kosovës, ju dhe vëllai juaj jeni përmendur shumë…
Më vjen keq, nuk kam koment.
Çfarë mendoni për zgjedhjen që kanë bërë Rrahmani, Shala, Rashica e Meha?
Është një çështje për të cilën nuk dua të komentoj. Forca Shqipëria!