ARMO shkon në pronësi te parajsat fiskale
Ionian Refining dhe Trading Co. -IRTC SH. A është kompania që do të përpunojë 65% të naftës që nxjerr Bankers Petroleum. Marrëveshja u publikua sot nga vetë kompania kanadeze, e cila zbuloi se IRTC ka nën kontroll rafineritë e naftës të Ballshit dhe Fierit.
Monitor njoftoi se IRTC është një kompani e regjistruar offshore në ishujt britanikë Virgin. Nga ekstrakti i saj në QKR rezulton se përfaqësues ligjor ështe Taulant Musabelliu, një person pranë biznesmenit Besnik Sulaj.
Musabelliu më herët rezulton se ka qenë administrator i kompanisë “Sulaj Progres Group”, në pronësi të biznesmenit Sulaj. I njëjti person është emëruar administrator në kompaninë Ionian Refining dhe Trading Co. -IRTC SH. A që do të shfrytëzojë ARMO-n.
Ministria e Energjisë zotëron 15 për qind të aksioneve të rafinerisë, e cila ishte e bllokuar më herët për shkak të borxheve që kishte akumuluar. Llogaritet se shuma e borxhit arrin në rreth 300 milionë dollarë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrol-it, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve.
Ionian Refining dhe Trading Co. -IRTC SH. A është regjistruar vetëm dy muaj më parë dhe rezulton të jetë shfrytëzuesja e rafinerisë së vetme në vend.