Albspirit

Media/News/Publishing

Ankara, Avramopoulos: BE-ja, e gatshme të ndihmojë Turqinë drejt liberalizimit të vizave

Ankara, Avramopoulos: BE-ja, e gatshme të ndihmojë Turqinë drejt liberalizimit të vizave

Komisioneri i Bashkimit Europian për Emigracionin ka bërë të ditur gjatë kësaj të enjteje se, Turqia ka bërë progres sa i përket marrëveshjes për të siguruar lëvizjen e lirë të shtetasve turq në hapësirën e zonës “Schengen”, megjithatë Ankaraja ka ende disa kritere për të përmbushur përpara implementimit të saj.

Duke folur në një konferencë për shtyp nga Ankaraja, komisioneri europian Dimitris Avramopoulos tha se BE-ja është e gatshme të ndihmojë Turqinë në përmbushjen e detajeve të fundit të kësaj marrëveshje, që do t’u mundësonte “shumë shpejt” lëvizjen e lirë qytetarëve të saj në vendet e BE-së, por pa përcaktuar një afat kohor të qartë.

Ankaraja dhe Brukseli arritën një marrëveshje më herët gjatë këtij viti, sipas së cilës Turqia do të kontrollonte fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve sirianë në Europë, në këmbim të të cilit do t’i ofrohej lëvizja e lirë në BE për qytetarët e saj.

Nga ana tjetër, ministri turk për Çështjet europiane, Omer Celik, gjatë së njëjtës konferencë u shpreh se Turqia nuk do të aplikojë marrëveshjen e ripranimit me BE-në, e cila nënkuptonte ndaljen e fluksit të emigrantëve ilegalë drejt Europës, nëse nuk do të siguronte atë që i është premtuar nga BE-ja, lëvizjen e lirë të qytetarëve turq në “Schengen”.

Celik tha gjithashtu se Turqia është e angazhuar në respektimin e marrëveshjes së marsit me Brukselin në lidhje me emigracionin, dhe se po përmbushte të gjitha përgjegjësitë e saj.

Please follow and like us: