Albspirit

Media/News/Publishing

1987/Barsoleta shkodrane për Enver Hoxhën: Bëjeni si të doni, vetëm të gjallë mos e bëni më

Një punonjës i uzinës elektronike pati telashe dy vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës. Shkak për këtë u bë një barsoletë që ai tregoi në prani të një operativi të Sigurimit të Shtetit, pa e ditur misionin e tij. Ngjarja është pjesë e dosjeve të sigurimit dhe është zbuluar nga ish –drejtori i Arkivit të Shtetit, Kastriot Dervishi.

“Dikur pranë reparteve ushtarake vepronte Sigurimi i Ushtrisë. Ky shërbim që varej nga Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit kishte synim të parandalonte “veprimtarinë armiqësore” në radhët e ushtarakëve. Në të vërtetë, punëtori operativ, në mungesë të kësaj veprimtarie mblidhte lloj-lloj bisedash që bëheshin në reparte ushtarake, qofshin edhe barsoleta. Një e tillë është kjo e vitit 1987. Në dokumentin që ka zbardhur raportin, emri Enver Hoxha, sipas rregullit të kohës zëvendësohej me fjalët “udhëheqësi kryesor i partisë” ose “themeluesi i partisë”. Po e referoj në origjinal të thënies. Punonjësi i uzinës elektronike në Tiranë, në qershor 1987, sipas bashkëpunëtorit kishte rrëfyer këtë barsoletë: Do të të tregoj një gjë të bukur për bustet. Kur vdiq Enver Hoxha u vendos që të ngrinin buste për nder të tij. Një bust do të ngrihej në Korçë, një në Vlorë, një në Gjirokastër dhe një në Shkodër. Për këtë skulptorët filluan të merrnin mendimin e njerëzve. Kur pyetën korçarët ata i thanë se Enverin e duam të duket i pashëm dhe i ri. Gjirokastritet e deshën të zgjuar, të fortë e të qeshur. Vlonjatet e donin trim dhe të ashpër. Kurse kur pyetën shkodranët si e donin, ata u përgjigjën: “Bëjeni si të doni, vetëm të gjallë mos e bëni më”.

Please follow and like us: