Vendimi i KE për Apple, Tim Cook: Çmenduri politike
Për shefin ekzekutiv të Apple, Tim Cook, vendimi i Komisionit Europian që kompania të paguajë 13 miliardë euro taksa të pashlyera në Republikën e Irlandës është një çmenduri dhe i motivuar politikisht.
Ai tha për televizionin irlandez RTE se Apple-it nuk i ishin ofruar lehtësime taksash në Irlandë dhe shprehu besimin se vendimi do të rrëzohej në Apel. Të martën, Komisioni Europian deklaroi se Irlanda i kishte garantuar benefite taksash prej 13 miliardë eurosh gjigandit të teknologjisë, duke shkelur rregullat e konkurrencës së bllokut. “Është thellësisht acaruese, zhgënjyese dhe është e qartë se vjen nga një vend politik e nuk ka baza në fakte apo në ligj”, u shpreh kreu i Apple, duke këmbëngulur se kompania ka vepruar gjithmonë në mënyrë të drejtë.
Cook përgënjeshtroi pretendimet e komisionit se Apple ka paguar një taksë koorporate prej vetëm 0.005% për një prej filialeve të saj me bazë në Irlandë në vitin 2014.
“Kjo nuk është e vërtetë. Nuk e kam idenë se nga ka dalë ky numër. E vërteta është se ne kemi paguar 400 milionë dollarë taksa në Irlandë atë vit mbi bazë të taksës së ligjshme prej 12.5%”, vijon më tej Cook. Sipas tij, Apple kishte paguar taksa mbi produktet e shitura në vende të ndryshme në Europë dhe taksa shtesë mbi fitimet në SHBA me vlerë prej 35%.
Ndërkohë, kabineti irlandez u mblodh të mërkurën për të diskutuar mbi vendimin e KE-së. Por ai dështoi të binte dakord mbi një pozicion të caktuar dhe do të takohet sërish të premten për të vendosur nëse do të apelojë kundër vendimit të komisionit.