Albspirit

Media/News/Publishing

Vetingu dhe tre mundësitë e Presidentit Nishani

Vetingu dhe tre mundësit e Presidentit Nishani

I miratuar gjatë një seance të jashtëzakonshme me 88 vota, ligji i vetting-ut i është përcjellë të hënën presidentit, i cili sipas Kushtetutës ka fuqinë ligjore të shprehet brenda 20 ditëve.

Në këto hark kohor, presidenti Bujar Nishani ka tre mundësi: të mos shprehet fare për ligjin e vetting-ut, çka do të thotë që nëse merren kufijtë maksimalë të afatit, më 21 shtator, ligji botohet menjëherë në fletoren zyrtare.

Opsioni tjetër është ta kundërshtojë duke ia rikthyer Kuvendit, çka do të sillte një rimbledhje të politikës në Parlament dhe rimiratim të ligjit.

Dhe opsioni i tretë, ta miratojë vetting-un, që do të kërkojë më pas edhe 15 ditë të tjera gjersa ligji të hyjë në fuqi.

Pas kësaj, i konsideruar si “vetting-u” por që kuptimi i tij në shqip është “rivlerësimi kalimtar” i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, do të pasojë me afate të tjera të vendosura ndaj njerëzve të drejtësisë.

Llogaritet të jenë në total 800 gjyqtarë, prokurorë, ndihmës të tyre dhe këshilltarë që do të plotësojnë katër formularë. Brenda 30 ditëve formularët që lejojnë monitorimin e komunikimit dhe financave, kontrollin e figurës dhe deklaratat e pasurisë duhet të dorëzohen tek një komision që do të duhet të ngrihet dhe që do të gëzojë mbrojtje të veçantë nga shteti.

Në formularë gjyqtarë e prokurorë të të gjithë sistemit duhet të deklarojnë edhe për familjarët deri në shkallë të katërt nëse kanë patur kontakte me njerëz nga bota e krimit, qoftë edhe komunikim elektronik nga persona të panjohur.

Ata pyeten në formular: a kanë pranuar dhe shkëmbyer para dhe dhurata nga kriminelët dhe a kanë dijeni që edhe persona të tjerë të lidhur me ligjin të kenë kryer diçka të tillë?

Formulari tjetër i deklarimit të pasurisë parashikon se, në rast të mosdeklarimit të saktë të pasurisë parashikohet shkarkimi nga detyra.

Sipas ligjit, formularët dërgohen pranë komisionit që kërkon të njëjtat afate për t’u përzgjedhur, ndërkohë që brenda 60 ditëve DSIK dhe ILDKPI ka kohë t’i kthejë përgjigje komisionit për formularët, çka do të thotë se do të jetë fillimviti 2017, koha kur do të ketë përgjigje për njerëzit që ndëshkohen apo i shpëtojnë vetting-ut.

Por ligji ofron edhe mundësinë e dorëheqjes nga detyra në pikën 56 të tij, dorëheqje që duhet t’i dorëzohet presidentit, çka sjell edhe mosnënshtrimin e kontrollit nga vetting-u. Çka do të thotë se kushdo nga njerëzit e drejtësisë që do të plotësojë këta formularë do të duhet të mendohet.

Por deri atëherë do të ketë zhvillime të tjera, pasi brenda shtatorit në Shqipëri mbërrin një ekip i vëzhguesve ndërkombëtarë që do t’i bashkangjiten procedurave të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe do të duhet të miratohet paketa e ligjeve kryesore, më kryesori prej të cilëve ai për ngritjen e SPAK.

Please follow and like us: