Akademia e Shkencave i përgjigjet Ramës: Kritikat bëja vetes. Ne nuk kemi para
Këshilli Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave i ka kthyer sot përgjigje kryeministrit Rama, i cili dje lëshoi kritika, duke e konsideruar punën e Akademisë se shembullin e rrënimit të saj ndër vite ndërsa i sugjeroi anëtarëve të merren me studime që prekin drejtpërdrejt Shqipërinë siç është problemi i përmbytjeve.
Përmes një letre të gjatë Akademia e Shkencave i thotë Ramës që kritikat është mirë t’ja drejtosh vetes.
“Kritikat e z. Kryeministër për gjendjen e drejtimit në Akademinë e Shkencave ne i lexojmë në thellësi, por jemi të bindur se këto kritika janë po aq me vend t’i adresohen vetë Qeverisë, e cila gjatë tri vjetëve ka lënë shumë pak gjurmë për të realizuar detyrat e programit të saj për shkencën, miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, ku thuhet: Qeveria do të mbështesë rritjen e kontributit shkencor të Akademisë së Shkencave sipas vizionit shkencor për zhvillimin e vendit”, shkruhet në letër.
Më pas Akademia thotë në letër se i është drejtuar disa herë qeverisë me shkresa zyrtare për shtim fondesh, e fundit i përket datës 29 prill 2016, por nuk është marrë parasysh asnjë kërkesë.