Albspirit

Media/News/Publishing

Gavrosh Levonja: Dje fajdet sot kanabisi

Dje fajdet sot kanabisi

 

Dikur, në fillim të viteve 90 fajdet, kontrabanda e naftës, firmat piramidale bënë që shqiptarët jo vetëm të siguronin mbijetesën, por edhe ta përmirësonin dukshëm atë. Sot, vendin e fajdeve e ka zënë kanabis-i. Fushata “antikanabis” dhe propagandimi i saj nga ana e qeverisë për t’i kontribuar përmirësimit të imazhit të saj, në të njejtën kohë demaskon dështimin e politikave ekonomike të kabinetit “Rama”. Gjithashtu shndërrimi i kultivimit të kanabisit në industrinë më fitimprurëse në Shqipërinë e sotme tregon, në të njejtën kohë dhe dështimin e qeverisë në plotësimin e angazhimit në drejtim të formalizimit të ekonomisë. Edhe ministri i punës duke i u drejtuar të rinjve socialistë ditët e fundit ku shprehej se “jemi afër plotësimit të angazhmit për hapjen e 300 mijë vende pune” me siguri në statistikat e përgatitura lidhur me këtë, ka pasur në konsideratë dhe frontin e gjerë të atyrë që I bëjnë shërbimet e nevojshme kësaj bime, falë së cilës sigurojnë mbijetesën.

Dhe s’ka si të jetë ndryshe. Si mund të pretendohet se janë krijuar vende pune në një kohë kur flitet për falimentim biznesesh, pasojë kjo e një “diktature fiskale” asfiksuese, kur bankat të pasigurta për të ardhmen e ekonomisë, nuk japin kredi etj. Tani, përsa i përket reagimeve e denoncimeve të vazhdueshme të opozitës, këto do të kishin efektin e shpresuar nëse Shqipëria dhe shoqëria e saj do të ishin në parametrat e normalitetit. Por në Shqipëri kam frikë se mbidoza në fushatën kundër paaftësisë së qeverisë për eliminimin e kultivimit e shpërndarjes së kanabis-it mund të kthehet në boomerang kundër aspiratës së opozitës për të ardhur në pushtet. E them këtë duke pasur parasysh periudhën e lulëzimit të fajdeve. Edhe opozita e athershme, ngriti zërin kundër skemave piramidale, por ama, zgjedhjet lokale të vjeshtës së vitit 1996 PD, asokohe në pushtet i fitoi bindshëm pa pasur nevojë të bënte shkelje si në ato parlamentare të majit të po atij viti.

Kjo pasi shqiptarët, pjesa dërmuese e të cilëve kishin “investuar” në piramida druheshin se një ardhje në pushtet e socialistëve do të shënonte fundin e industrisë së fajdeve. E njejta gjë mund të thuhet dhe sot lidhur me kanabis-in. Duke pasur parasysh 1996-ën, opozita duhet të mbajë qëndrime elastike; më shumë se të rendë pas hektarëve të mbjellë me drogë, mund ta paraqiste këtë si shprehje të dështimit të qeverisë për t’u krijuar shqiptarëve fronte punë normale apo duke demaskuar aksionet e policisë si të diferencuara që godasin njerëz të varfër dhe nuk cënojnë kultivuesit të cilët ndonëse “ilegalisht” punojnë për hesap të qeverisë.

Please follow and like us: