Karimov i Partisë Komuniste na la, ngushëllime familjarëve
Kryeministri turk, Binali Yildirim tha të premten se preszidenti uzbek, Islam Karimov ka vdekur, megjithatë qeveria uzbeke tha se ai veçse është i sëmurë rëndë. Zoti Yildirim i shprehu ngushëllimet gjatë një takimi me kabinetin e tij, që u transmetua në televizion.
Ish-republika sovjetike, ka lidhje të ngushta etnike, kulturore dhe gjuhësore me Turqinë.
Agjencia Associated Press njofton se një diplomat i lartë kirkiz dhe një zyrtar i qeverisë afgane thonë se udhëheqësit e vendeve të tyre janë ftuar në funeralin e Karimovit të shtunën.
Agjencia e lajmeve Reuters, citon tre burime të thonë se udhëheqësi uzbek, vdiq në moshën 78 vjeçare.
Sipas njoftimeve udhëheqësi i Uzbekistanit, vdiq nga një goditje në tru, pa lënë ndonjë pasues të mundshëm për të marrë drejtimin e vendit të Azisë Qendrore me 32 milionë vetë.
Edhe agjencia ndërkombëtare ruse e informacionit po njofton se kanë filluar përgatitjet e funeralit në qytetin e lindjes së Karimovit, Samarkand.
Nënsekretari amerikan i Shtetit për Azinë Qendrore Daniel Rosenblum i shmangu spekullimet për vdekjen e Karimovit, në një intervistë për Shërbimin Uzbek të Zërit të Amerikës.
Qeveria uzbeke nuk i ka konfirmuar njoftimet, por më herët të premten kishte thënë se gjendja e tij ishte keqësuar me shpejtësi, që kur ishte shtruar në spital më 27 gusht.
Zoti Karimov e kishte sunduar Uzbekistanin që në vitin 1989, në fillim si kreu lokal i Partisë Komuniste dhe më pas si president i republikës së pavarur që nga viti 1991. Ai është kritikuar vazhdimisht nga perëndimi dhe grupe të të drejtave të njeriut për stilin e tij autoritar të të udhëhequrit. Karimovi nuk ka caktuar ndonjë pasues dhe analistët thonë se kalimi i pushtetit ka mundësi të realizohet pas dyerve të mbyllura, nga një grup i vogël zyrtarësh të lartë dhe anëtarë të familjes. Megjithatë, nëse nuk gjendet një kompromis, mosmarrëveshjet mund të destabilizojnë Uzbekistanin, që është në kufi me Afganistanin dhe është vënë në shënjestër të ekstremistëve islamikë. Uzbekistani është një eskportues i madh pambuku dhe është i pasur në flori dhe gaz natyror.