Bushati: Ju tregoj “lojën” e Ramës, ndërmjet Idrizit dhe Metës
PDIU e Shpëtim Idrizit po e zgjeron pushtetin nën qeverinë e Edi Ramës. Një drejtori e re, ajo e Arkivës Qëndrore iu dha dje. Para disa ditësh mori doganën e Durrësit. Përflitet se “çamët” do të marrin ministrinë e kulturës ose në të kundërt drejtori të rëndësishme, që kanë të bëjnë sërish me doganat, që Shpëtim Idrizi i njeh shumë mirë si ish –drejtori i përgjithshëm i tyre në qeverinë e Fatos Nanos, apo me tatimet. Në Dibër, mazhoranca thuajse ia ka lëën PDIU –së drejtimin e fushatës.
Edi Rama e ftoi PDIU –në në koalicionin qeveritar në zgjedhjet e vitit të shkuar, të parat me ndarjen e re administrative. Këto ishin edhe të parat zgjedhje ku Edi Rama e Ilir Meta provuan të masin forcat, jo veç e veç si dy konkurente luajalë, por si dy partnerë në pabesi, që punuan kundër kandidatëve respektivë, si në Pogradec, Lezhë e gjetkë.
Me PDIU, PS dhe LSI bëjnë bashkë më shumë se 84 votat që duhen për të kaluar ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, siç ishte ai i Vettingut në seancën e jashtëzakonshme të kësaj fillimjave.
Por votat e saj PDIU kishte pranuar t’i bashkonte që me marrëveshjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2015.
Ndaj dhe dhënia e drejtorive të rëndësishme apo të një ministrie, siç pritet të ndodhë, nuk ka lidhje me bashkimin e votave në kuvend.
Zgjedhjet lokale, akuzat për Metën në aferën CEZ – DIA, arrestimet e disa drejtorëve të LSI dhe së fundi reforma zgjedhore shënuan kuotat më të ulëta të marrëdhënies Rama – Meta, aq sa kreu i LSI kërcënoi edhe me qeveri teknike në fund të korrikut.
Ky ishte edhe momenti kur PDIU e Shpëtim Idrizit u pa si varkë shpëtimi për Ramën. Në korridoret e politikës qarkulluan disa versione në prag të votimit të reformës, se Rama do të arrite ta mbante qeverinë nëse Meta do të paraqiste një mocion mosbesimi, me votat e Idrizit dhe të disa deputetëve të tjerë, qoftë edhe brenda grupit të LSI.
Me Idrizin në krah, Edi Rama e ndjen tani veten më të sigurtë dhe jo gjithaq nën presionin e Metës.
Këtë siguri ai e shfaqi edhe në darkën e 1 gushtit në Durrës, ku u përfol se Rama i tha Metës se duhet t’i mbajë larg duart nga qeveria, pasi ajo ishte qeveria e tij.
Këtë vendosmëri ndaj kërkesave të vazhdueshme të Metës për t’i dhënë qeverisë “impulse të reja” dhe për të larguar ndonjë ministër të veçantë, Rama e fitoi vetëm pasi u sigurua se me votat e PDIU –së mund të qeveriste pa kokëçarjet e Metës deri në fund të mandatit.
Me 5 mandatet e PDIU në xhep, kryeministri ndihet i lehtësuar nga trysnia që ushtronte pesha e Metës mbi të. Por ai nuk është çliruar nga “pengmarrja”. Ashtu si LSI, edhe “çamët” po ia përdorin kartonat për të zgjeruar tregun e tyre. /Lapsi.al