Albspirit

Media/News/Publishing

Mesazhet e Clinton, FBI publikon detajet e hetimit

FBI publikoi një sërë dokumentesh të lidhura me hetimin e përdorimit të e-mailit personal të Hillary Clintonit gjatë kohës kur shërbente si Sekretare e Shteti. 58 faqet e shënimeve përfshijnë një intervistë të kandidates demokrate në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, si dhe detaje mbi kompjuterin e saj privat në rezidencën e Nju Jorkut.

Byroja Federale e Hetimit e mbylli në korrik hetimin njëvjeçar, qëllimi i të cilit ishte të përcakonte nëse ish-kryediplomatja kishte shkelur ligjin me përdorimin e serverit privat. Shefi i FBI-së, James Comey nuk rekomandoi ngritjen e akuzave penale.

Comey doli në përfundimin se ndonëse Clinton dhe stafi i saj kanë qenë ekstremisht të kujdesshëm me informacionin e klasifikuar, nuk ka prova që të tregojnë se ajo ka ekspozuar me vetëdije materiale nevralgjikë. Sipas dokumenteve, Clinton i tha FBI-së se nuk ka kërkuar në mënyrë të veçantë leje për të përdorur serverin apo adresën personale të e-mailit, por se pjesëtarët e Departamentit të Shtetit ishin të ndërgjegjshëm për faktin që përdorte adresën private sepse ishte e dukshme për të gjithë ata me të cilët shkëmbente mesazhe.

Janarin e këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit pohoi për herë të parë se serveri i pasiguruar i banesës së Klintonit përmbante 22 mesazhe me informacion tepër sekret, të cilat nuk do të viheshin në dispozicion të publikut. Siç sqaroi asokohe zëdhënësi John Kirby, materiali përfshinte shtatë shkëmbime mesazhes, që kapin 37 faqe në total. Ai tha se e-mailet nuk do të publikoheshin, as duke fshirë rreshta të caktuar, siç është vepruar me emaile të tjera që i përkasin kohës kur ajo drejtonte Departamentin e Shtetit. Dokumentet nuk kishin shenjën “sekret” në kohën kur janë dërguar.

Please follow and like us: