Albspirit

Media/News/Publishing

Propozimi për Britaninë, Partneritet Kontinental

Propozimi për Britaninë, Partneritet Kontinental

Vendimi i qytetarëve britanikë për dalje nga BE, duhet të marrë një formë konkrete. Përgjegjësia i takon palës britanike, që pasi të jetë përgatitur politikisht dhe të jetë organizuar teknikisht, të kërkojë aktivizimin e nenit 50, për nisjen e procesit të daljes nga BE. Por, që pas mbylljes së rezultateve të referendumit, një sërë ekspertësh politikë dhe specialistë të botës akademike janë fokusuar mbi formën apo modelin, që duhet të marrë marrëdhënia e Britanisë së Madhe me BE, duke propozuar një sërë formatesh bashkëpunimi.

Propozimi i fundit i bërë publik këtë javë nga Instituti Brujgëll në Bruksel (“Evropa pas Brexit: Një propozim për partneritet kontinental”) vjen vetëm dy javë para Samitit të Bratislavës, ku do të mblidhen krerët e 27 vendeve evropiane. Një Samit, ku diskutimet do të shtrihen jo vetëm mbi një ri-fokusim të projektit evropian, por edhe mbi formatet e propozuara për të inkuadruar marrëdhënien e ardhshme me Britaninë e Madhe.

Janë dy elementë, që tërheqin vëmendjen në propozimin e ofruar nga Instituti Brujgëll.

Elementi i parë, lidhet me formatin shumë të ngushtë bashkëpunues, që duhet të ketë Britania e Madhe me Unionin. Duke e akomoduar atë në pozicionet e saj të kërkuara, për më pak integrim politik dhe qasje të thelluar ndaj integrimit ekonomik. Një bashkëpunim, që duhet të marrë formën e një Partneriteti Kontinental (PK), duke krijuar edhe Këshillin e tij, ku do të jenë pjesëmarrës edhe institucionet e BE. Sipas autorëve, qëllimi i këtij Partneriteti Kontinental është “të mbështesë integrimin e thellë ekonomik, pjesëmarrje të plotë në lëvizshmërinë e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve dhe një farë lirie të përkohshme të lëvizjes së punëtorëve, por duke përjashtuar lirinë e lëvizjes së punëtorëve dhe integrimin politik.”

Strukturat e organizimit do të përfshijnë, krijimin e një Këshilli ku do të marrin pjesë edhe institucionet e BE. I strukturuar në nivele të ndryshme formacionesh, qëllimi sipas autorëve, është “të diskutohen dhe negociohen detajet e rregullave të tregut të përbashkët dhe politikave të tjera.” Pra, fuqia e këtij mekanizmi shtrihet tek leximet e draft-legjislacioneve të BE, dhe të drejtën për të propozuar amendamente, apo ndryshime ligjore, përgjatë rrugës së procesit legjislativ, që njeh mekanizmi i BE. Kjo e drejtë për të propozuar ndryshime ligjore, gjatë rrugës së hartimit të ligjeve, do të jetë e një natyre politike dhe jo ligjore, në kuptimin që asgjë nuk do të ndryshojë në procesin legjislativ që ka BE, por gjatë këtij procesi, mendimi, opinioni dhe propozimet ligjore e vendeve që do të marrin pjesë në PK, do të kenë hapësirë për t’u trajtuar dhe marrë parasysh. Por, fjalën e fundit dhe fuqinë për të refuzuar propozimet ligjore e ka BE dhe PK nuk ka mundësinë e të drejtës së vetos. Gjithsesi, edhe këtij mekanizmi refuzues, sidomos në tema që janë të ndjeshme për vendet përkatëse, i hapet rruga për krijimin e një institucioni juridik (Gjykatë) për zgjidhjen e përplasjeve të ndryshme.

Ky është dhe momenti, që krijohet një mekanizëm detyrues apo imponues, pasi në fazën që BE vendos përfundimisht, duke miratuar legjislacionin në fjalë, dhe duke mos marrë parasysh opinionin apo propozimet e Këshillit të PK, vendet që bëjnë pjesë në këtë Këshill, kanë detyrimin të përfshijnë në legjislacionin e tyre kombëtar, legjislacionin e miratuar nga BE mbi Tregun e Përbashkët. Nëse ky zbatim nuk ndodh, atëherë vendet e PK do të përballen me shtrëngesa në pjesëmarrjen e tyre në Tregun e Përbashkët. Sipas autorëve, “ Anëtarët e PK, duhet të pranojnë masat përforcuese, dhe jurisprudencën që ruan liritë përkatëse të Tregut të Përbashkët. Në të kundërt, integriteti dhe koherenca e Tregut të Përbashkët do të shkatërrohej.”

Mënyra e sipërme e përzgjedhjes së formës së bashkëpunimit, që ofrohet nga ky propozim, në fakt nuk del shumë nga kuadrati funksionues i mekanizmit të BE, në kuptimin që edhe në formatin aktual bashkëpunues, çdo vend anëtar edhe pse mund të ketë kundërshtime dhe rezistencë ndaj një legjislacioni konkret, që vjen i miratuar nga BE, vullneti i tij mundet nga logjika e shumicës së votave dhe kalimit për miratim, në të gjithë fazat e procedurës. Pra, në këtë kuptim, edhe propozimi që ofrohet, nuk del shumë jashtë kësaj skeme, por roli dhe pesha e vendeve, që do të marrin pjesë në Këshillin e PK, sigurisht që është më i kufizuar dhe i më i dobësuar, në krahasim me rolin dhe peshën që një vend anëtar luan brenda mekanizmit ligjor të BE.

Elementi i dytë, që tërheq vëmendjen në këtë propozim, është krijimi apo skicimi i modelit evropian në vijim. Një model, që nëpërmjet krijimit të këtij Partneriteti Kontinental, do të funksionojë në formën e dy rrathëve, ku BE do të përbëjë rrethin kryesor me struktura mbi-kombëtare dhe vendet, që kërkojnë linja bashkëpunimi jo shumë të ngushta politike apo të thelluara, si Britania e Madhe, do të kenë mundësi të marrin pjesë në rrethin e dytë të jashtëm, me struktura ndërqeveritare. Por, në këtë rreth autorët sugjerojnë që të përqendrohen edhe zgjerimet e ardhshme të Unionit, si p.sh, zgjerimi ndaj Turqisë, apo zgjerimi ndaj Ukrainës.

Në fakt, modeli i propozuar i dy rrathëve, risjell në vëmendje, propozimet e vazhdueshme politike sidomos franceze dhe gjermane mbi Evropën e dy klasave, si një organizëm që do të bëjë të mundur progresin e mëtejshëm mes vendeve të Eurozonës, që kanë dëshirë për thellim të mëtejshëm ekonomik si edhe politik dhe vendeve të tjera, që shfaqen më të rezervuara dhe të frenuara ndaj këtij avancimi. Por, në ndryshim nga projekti i Evropës së dy shpejtësive, apo Evropës së dy klasave, që mund të krijojë një lloj frymëmarrje reale për avancim në projektin evropian, Evropa e dy rrathëve, me një rreth të vendeve anëtare të BE, dhe me një rreth të vendeve, që nuk janë pjesë e saj, mbart riskun e rëndesës së mëtejshme të procesit legjislativ të Unionit, që edhe në formën aktuale që është, vlerësohet si ndër më të komplikuarit. Por, gjithsesi, rëndësia e tij, konsiston në krijimin e një formati shumë të domosdoshëm për bashkëpunim të thelluar jo vetëm me Britaninë e Madhe, por mund të nxjerrë nga ngërçi politik prej disa dekadash edhe perspektivën e bashkëpunimit të nevojshëm BE-Turqi.

Që prej vendimit për dalje të Britanisë së Madhe nga BE, propozimet mbi modelet e bashkëpunimit nga ekspertë të fushës janë të shumtë. Por, ajo që është e rëndësishme lidhet me objektivitetin dhe ftohtësinë e nevojshme politike, për domosdoshmërinë e krijimit të një marrëdhënie shumë të ngushtë bashkëpunimi me Britaninë e Madhe. Ftohtësi, që fillimisht u shfaq vetëm nga Kancelarja gjermane Merkel, por që gradualisht po fiton terren, sigurisht e ndikuar edhe nga kërkesa britanike për kohë dhe mos aktivizim të menjëhershëm të Nenit 50, për të nisur procedurën e daljes.

 

Please follow and like us: