Albspirit

Media/News/Publishing

Donald Lu: Të gjithë e kanë frikë reformën!

Ambasadori Amerikan nuk i quan kërcënime pasojat që u ka treguar deputetëve ditët e fundit të korrikut kur ata duhet të votonin draftin për reformën në Drejtësi.

Në një intervistë për revistën “Mapo” ai thotë se ka biseduar me deputetët ballë për ballë, siç bëhet në një demokraci.

Secila palë i ka bërë pyetje palës tjetër dhe në fund ambasada i ka treguar për pasojat.

“Lejomëni tu them se të gjitha bisedat e mia mbi pasojat dhe mbi marrëdhëniet, janë bërë të tëra ballë për ballë, ashtu si ne bëjmë në një demokraci. Ashtu siç jemi ulur sot ne të dy duke biseduar për këto çështje, ashtu edhe ne u ulëm me shumë politikanë. Ata na bënë pyetje, ne u bëmë pyetje, dhe më pas biseduam edhe për pasojat. Dhe këtë e bëmë si rezultat i udhëzimit nga Uashingtoni”, thotë ambasadori amerikan.

I pyetur për marrëdhëniet me Ilir Metën, ambasadori Lu shprehet se “Z. Meta është kryetar i Parlamentit Shqiptar. Ai është gjithashtu prej një kohe të gjatë edhe partner i Shteteve të Bashkuara. A bie unë dakord me z. Meta për çdo gjë? Pa dyshim që jo. Por ne kemi marrëdhënie të mira dhe do të vijojmë të kemi një partneritet të fortë. Z. Meta gjithashtu viziton shpesh Shtetet e Bashkuara. Ai ka marrëdhënie të ngushta me disa nga anëtarët e Kongresit, dhe Ambasada Amerikane, ashtu si për të gjithë zyrtarët e lartë, ka ndihmuar në organizimin e takimeve të tyre në Uashington. Ne kemi punuar ngushtë me zyrën e zotit Meta për të gjitha vizitat e tij në Uashington”.

Kryediplomati amerikan në vendin tonë tregon se shumë njerëz të fuqishëm e kanë frikë reformën dhe këtu përfshihen politikanë, gjykatës, prokurorë, kriminelë dhe figura të krimit të organizuar.

Duke u ndalur te çështja e dekriminalizimit, ai thotë se është i befasuar që brenda një viti disa njerëz janë larguar nga politika. Dhe këtë e tregon me emra konkretë.

“Jam i befasuar nga disa ndryshime që kanë ndodhur brenda një viti e gjysmë. Më lejoni të rendis disa prej tyre. Shukri Xhelili, Mark Frroku, Armando Prenga dhe Elvis Roshi janë të gjithë duke u ndjekur penalisht. Arben Ndoka dha dorëheqjen nga Parlamenti, ndërsa Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin deputetit Koço Kokëdhima. Ilir Petraj dhe Gentian Muhameti u ndaluan që të merrnin pjesë në zgjedhje. Këto janë gjëra shumë të jashtëzakonshme dhe kanë ndodhur brenda një viti të vetëm”,thotë Lu.

Please follow and like us: