Artur Zheji: Ka apo s’ka shpëtim Shqipëria?
Shqiptarët kanë sot një Shenjtore. Një Shenjtore të Madhe. Por të gjithë e dimë se përtej gëzimit dhe një krenarie herë të ligjshme dhe herë të pamerituar, kjo nuk mjafton.
Sepse Shqipëria ka prodhuar edhe prodhon, po ajo, shumë mercenarë, shumë djaj dhe shumë plangprishës që nuk e duan as veten, as tjetrin dhe as Vendin e tyre.
Ligësia direkte dhe keqbërja, në shtresat tona më të “larta” është zbutur dhe është kthyer në hipokrizi.
Në proklamimin e Idealeve të rreme dhe në përfitimin e madh përmes Gënjeshtrës kthyer në art, që mashtrojnë mjeshtërisht turmat.
Nënë Tereza është aty, trup vogël dhe si e turpëruar. Jo për preardhjen, që nuk ka fshehur kurrë!
Por për çudinë që Shqipëria prodhoi sëpaku 23 vite rresht (zyrtarisht 1967-1990), duke u vetëshpallur si i vetmi Vend ateist në Botë!
I vetmi vend që prishi me dhunë por pa revoltë, kishat, xhamiat dhe cdo objekt besimi.
Një prishje që vazhdon efektet e saja. Jo te e drejta e Lirisë së të Besuarit dhe e të Mosbesuarit! Por te “guximi” për të gënjyer tërësisht tjetrin dhe në fund edhe veten.
Sepse ne udhëhiqemi ende nga një klasë politike, që është rritur pa frikën e Zotit! Që bë qytetërimin europian është shndërruar në frikën nga Drejtësia, me kalimin e shekujve…
Sepse mbizotëron akoma morali, që kur ata Zot shkelësit, nuk u dënuan asnjëherë nga Perëndia, atëhere Drejtësia njerëzore është veçse bukë dhe djathë. Dhe mund të shkelet, të rishkelet, të shitet, të blihet dhe të peshohet me para apo frikësim, kudo dhe kurdoherë.
Nënë Tereza është aty, një Shenjtore e Botës që beson dhe që e njeh cfarë është pendesa dhe peshorja e të Mirës me të Keqen, por ende jo e Shqipërisë.
Të vjetrit tanë thoshin se: “Me një dallëndyshe nuk vjen Pranvera!”
Por të njejtit të Vjetër thoshin dhe thonë ende sot: “Mbas dallëndyshes së parë, vijnë edhe të tjerat!”
Qoftë kështu edhe me Shenjtërimin e Terezës së Kalkutës, ndoshta një ditë Tereza e Shqipërisë!…