Britania emëron ambasadorin në Iran, për herë të parë qysh më 2011
Britania ka emëruar ambasadorin në Iran, për herë të parë qysh në vitin 2011.
Nicholas Hopton, ish-ambasador në Jemen dhe Katar, do të marrë rolin.
Më herët, ai ka shërbyer në një pozitë më të ulët në ambasadën britanike në Teheran.
Njoftimi nga Zyra e Jashtme britanike vjen një vit pas rihapjes së ambasadës britanike në Republikën Islamike, e cila është mbyllur në nëntor të vitit 2011, pasi është sulmuar nga një grup protestuesish.
“Përmirësimi i marrëdhënieve diplomatike na jep mundësinë të diskutojmë më drejtpërdrejt çështjet”, tha sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson.
Marrëdhëniet e Iranit me Perëndimin kanë nisur të përmirësohen pas marrëveshjes bërthamore, të arritur vitin e kaluar.
Me këtë marrëveshje, Teherani ka kufizuar në mënyrë të konsiderueshme programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare kundër tij.