Loja Rama – Meta me emrat e ministrave të rinj
Artur Bego
Qetësinë e qeverisë e ka prishur prej dy ditësh dorëheqja e ministrit Edmond Haxhinasto. Ndërsa brenda ditës u zyrtarizua emri i ri, Sokol Dervishaj, që do të zëvendësojë ministrin e LSI-së te Rrugët e Transportet, zhurmnaja “ka marrë dhenë”.
Pothuajse gjysma e qeverisë “është ndryshuar” nga mediat në këto ditë të fundit.
Luan Rama i LSI-së, u tha se do të shkojë të ministria e Brendshme dhe se Saimir Tahiri do të kalonte te Drejtësia…, në vend të Ylli Manjanit.
Mimi Kodheli e Mbrojtjes “u shkarkua” dhe në vend të saj, dikush “emëroi” Luan Ramën…, por dikush tjetër “e zëvendësoi” me Pandeli Majkon…, ndërsa pati edhe ndonjë tjetër që këtë ministri, “ia dha” PDIU-së.
“Ndryshime” këto ditë ka pësuar edhe ministria e Energjetikës, ku është thënë se Damian Gjiknuri do e lërë postin për hir të PDIU-së.
Thashethemet mediatike kanë “shkarkuar” edhe Ilir Beqajn, për të “emëruar” në vendin e tij te Shëndetësia, Petrit Vasilin e LSI-së.
Jo më larg se dje, Mirela Kumbaron e Kulturës “e ngritën në ajër”, me një delta-plan a parashutë, për “t’ia dhënë” këtë ministri serish PDIU-së.
Sot ka dalë edhe një “qeveri tjetër”, ku “e sakrifikuara” për hatër të PDIU-së, është Milena Harito e Inovacionit…
… E kështu me radhë…
Natyrisht, mediat, veçanërisht portalet on-line të lajmeve, në garën e ethshme, por të pakuptimtë, për “vërtetësinë” dhe “shpejtësinë” e lajmit, servirin secila “qeverinë e tyre”.
Por, “dardha e ka bishtin mbrapa”.
Këto “qeveri”, disa media “nuk i kanë nga mendja e vet”. Nisur nga identifikimi i afërsisë së tyre politike, me PS apo LSI, nuk është e vështirë që të kuptosh se “burimi i informacionit”, “rrjedh” nga këto seli.
Ndërsa kryeministri Edi Rama, të paktën deri në 11 shtator, ditën e zgjedhjeve të pjesshme në Dibër, do të mbajë “pas vetes” apo e thënë ndryshe “të lidhur” PDIU-në, nuk është çudi, që si pjesë e lojës politike “ta ushqejë” këtë parti me nga një ministri çdo ditë.
Nga ana tjetër Rama, “me një gur vret dy zogj”… E thënë ndryshe, “duke futur në lojë” PDIU-në, i bën presion aleatit të tij “problematik” Ilir Meta, që edhe mund të mos ia ketë nevojën për “të mbajtur në këmbë qeverinë”.
Por edhe Ilir Meta vetë nuk ka pse të mos i përgjigjet kësaj loje të kryeministrit. Me “pompimin” e emrave të rinj të ministrave të vet, ai i demonstron Edi Ramës, se ministrat e LSI-se janë të gatshëm të lënë postet, shkurt të lënë edhe qeverinë.
Nga ana tjetër, zhurmnaja e nxitur, ku për çdo ministër “të ikur” ka një mundësi për ta zëvendësuar PDIU, aleati i madh I kryeministrit në qeveri, nuk ka pse të mos pretendojë degjenerimin dhe zhvlerësimin e këtij procesi, “ndryshimesh në qeveri”. Sigurisht për të treguar se ato bëhen fakt, pa zhurmë e thashetheme, sikurse me rastin e largimit të Nasip Naços e Edmond Haxhianstos, pa qenë nevoja që te PDIU të shohin ëndrra me veshje kostume ministrash.
Nuk është fort e besueshme, por s’ka pse as të përjashtohet si mundësi, që Ilir Meta, me mbajtjen ndezur të zhurmnajës së “ndryshimeve në qeveri”, t’ju bëjë presion të vetëve, për të mos i dalë nga rreshti.
Dhe përpos, gjithë këtyre “lojërave” e “djallëzive”, që Rama e Meta i bëjnë njëri-tjetrit, apo edhe të vetëve, qofte larg apo qofte afer me këtë zhurmnajë, mbeten mediat, të cilat në emër të “konkurrencës”, “vërtetësisë” apo “shpejtësisë” së lajmit, kanë kohë, deri të dielën tjetër, të paktën deri në 11 shtator, të vazhdojnë me “ndryshimet në qeveri”.