Negocioi vetëm për veten dhe fundin e tij. Koalicioni qëndron në këmbë vetëm në sajë të presionit të SHBA
Deklarimet e ambasadorit amerikan për çështje apo emra të përveçëm në politikë janë kuptuar si një konfirmim ose përputhje mes qëllimeve të njërës apo tjetrës palë dhe planit amerikan për Shqipërinë. Së fundmi Donald Lu përshëndeti rezultatet e ligjit të dekriminalizimit duke u shprehur nominalisht për deputetë që merituan, sipas tij apo standardeve amerikane të demokracisë, të dalin jashtë politikës. Në një kuptim emrat e përmendur mund të konsiderohen pjesë e listës së zezë së Shteteve të Bashkuara që u përdor edhe si formë presioni ndaj deputetëve për të miratuar reformën në drejtësi.
Ajo që mbetet e paqartë është qëndrimi i ambasadës amerikane ndaj një pjesë të politikës e perceptuar si prapavija kriminale e pushtetit që mban në këmbë jo vetëm qeverinë aktuale, por edhe atë të kaluar.
Është fjala për LSI-në dhe kryetarin e saj Ilir Meta, kumbarin e dy aleancave që qeverisën Shqipërinë 7 vitet e fundit. Implikimi i LSI-së në 3 vitet e fundit që bashkëqeveris me Edi Ramën nuk është thjesht çështje perceptimi. Në veçanti amerikanëve emri i LSI-së dhe Ilir Metës u ka dalë përpara në aksionin e DEA-as për rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës ku rezultoi i përfshirë ish-drejtori i Transporteve të Sarandës, Klement Balili, zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga një këndvështrim perceptimi ishte se amerikanët negociuan me Edi Ramën fundin politik të Ilir Metës, dhe kjo u duk në konferencën për shtyp të kryetarit të kuvendit ku ai paralajmëroi destabilizm të Shqipërisë nëse projektohej një reformë për të futur në burg Ilir Metën. Më pas Meta hyri në lojë si negociator dhe duket se amerikanët ranë dakord për ta amnistuar vetëm e vetëm të merrnin garancinë për miratimin e reformës në drejtësi. Deklarimet e fundit të ambasadorit amerikan duket se i japin fund dilemës se cili është plani amerikan për Ilir Metën. Ai tashmë nga një pikëpëmje është partner i SHBA-së dhe kësisoj garancia për të mbajtur në pushtet Edi Ramën edhe 4 vjet të tjera, gjë që bilanci i qeverisjes nuk ia garanton.
“Z.Meta është kryetari i Parlamentit Shqiptar. Ai është gjithashtu prej një kohe të gjatë edhe një partner i Shteteve të Bashkuara. A bie unë dakord me z.Meta për çdo gjë? Pa dyshim që jo! Por ne kemi marrëdhënie të mira dhe do të vijojmë të kemi një partneritet të fortë. Z.Meta gjithashtu viziton shpesh Shtetet e Bashkuara. Ai ka marrëdhënie të ngushta me disa nga anëtarët e Kongresit dhe Ambasada Amerikane, ashtu si për të gjithë zyrtarët e lartë, ka ndihmuar në organizimin e takimeve të tyre në Uashington. Ne kemi punuar ngushtë me zyrën e z.Meta për të gjitha vizitat e tij në Uashington”-theksoi ambasadori Lu në intervistën e fundit për MAPO.
Duket se ambasada amerikane është e interesuar në dekurajimin e opozitës shqiptare për aq kohë se “plani” amerikan nuk parashikon ndryshim të aktorëve të pushtetit. Kjo quhet luftë politike sa kohë që ambasada dhe ambasadori nuk u frenuannnë rolin e negociatorit apo të presionit pozitiv për reformën: ata dolën hapur në mbështetje të qeverisë duke detyriar Ilir Metën të bëhet shtojcë e Edi Ramës. Të paktën për ca kohë.