Albspirit

Media/News/Publishing

NËNË TEREZA NË MUZEUN HISTORIK KOMBËTAR

 

Image result for melsi labi

 

Melsi Labi*

 

 

Këto ditë të para të shtatorit vëmendja e atyre që vizitojnë Muzeun Historik Kombëtar është përqëndruar te këndi i Nënë Terezës. Ndonëse objektet janë të pakta ky kënd tërheq kërshërinë e vizitorëve, me anë të stendave që përmbjanë foto nga aktiviteti bamirës i misionares së madhe. Ndët objektet e ekspozuara bie në sy një kryq në të cilin paraqitet Krishti i kryqëzuar si edhe një libër me urata kishtare, që titullohet “Të lëvdojmë së bashku Zotin”. Këto sende kishtare, Nënë Tereza në vitin 1991, ia ka dhuruar patër Zef Pllumbit. Ky i fundit më 1997, ia dhuroi Muzeut Historik Kombëtar. Objekt me rëndësi është ruzaria e Nënë Terezës, me të cilin ajo lutej vazhdimisht për shpëtimin e botës. Këtë ruzare Nënë Tereza ia pati dhuruar motër Terezinës, më 10 mars 1991. Tjetër objekt është një peshqir, të cilin e ka përdorur Nënë Tereza gjatë ditëve të qëndrimit në shtëpinë e Z. Tonin Shpati. Në muajin prill të vitit 1991, Nënë Tereza vizitoi kishën Françeskane në Tiranë, ku ndër të tjera ka dhuruar një ujëbekore si edhe pesë gota bronzi me motive floreale. Këto relike të bamirëses së madhe patër Zef Pllumbi më 14 nëntor 1997 ia dhuroi Muzeut Historik Kombëtar. Në kuadër të shenjtërimit të Nënë Terezës, në emër të institucionit që drejtoj i bëj thirrje atyre që kanë relike të Nënë Terezës t’i bien në Muzeun Historik Kombëtar, më qëllim që të ekspozohen në mënyrë dinjitoze, ashtu siç e meriton bamirësja e madhe me origjinë shqiptare.

Gonxhe Bojaxhi (1910-1997) ka lindur më 27 gusht të vitit 1910 në Shkup. Ajo ishte vajza më e vogël e Nikollë Bojaxhiut, i cili ishte tregtar i lëndëve të ndërtimit. Nikollë Bojaxhiu shquhej për ndjenja patriotike, prandaj jugosllavët e helmuan. Kjo ngjarje e hidhur për jetën e Nënë Terezës ka ndodhur në vitin 1919. Në atë kohë Gonxhja ishte në moshën 9-vjeçare. Sipërmarrja e të atit falimentoi dhe nënë Dranja mbeti e shkretë me tre fëmijët. Për të përballuar jetesën Dranja filloi të merrej me tregëti qilimash, qëndismash etj. Në një dokument që i ka rezistuar kohës paraqitet dëshia e krezmimit të Gonxhe Bojaxhiut.

Në nëntor të vitit 1928 kur ishte në moshën 18-vjeçare, Gonxhja hyri në kongregacionin “Motrat e Loretos” në Irlandë ku morri emrin Mari Tereza për nder të Shën Terezës. Më 6 janar të vitit 1929 Mari Tereza shkoi si misionare në Kalkuta të Indisë. Atje filloi të jepte mësim në kolegjin e vajzave St. Mary derisa në vitin 1944 u emërua drejtoreshë. Më 17 gusht të vitit 1948 ajo veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe pasi përfundoi një kurs mjekësie pranë Motrave Misionare në Patna, u kthye përsëri në Kalkuta. Aty vizitoi lagjet e varfëra, duke ushqyer të uriturit dhe duke mjekuar të sëmurët. Menjëherë rreth saj filluan të bashkoheshin edhe shumë nga ish nxënëset e kolegjit. Në vitin 1960 motrat e Nënë Terezës qenë të përhapura në të gjithë Indinë, ndërsa në harkun kohor ndërmjet viteve 1980-1990 Nënë Tereza hapi shtëpi misioni nëpër vendet e kampit socialist duke përfshirë Republikat e ish Bashkimit Sovjetik, Kubë, Shqipëri etj.

Për punën bamirëse asaj i janë akorduar shumë çmime, duke filluar që nga Çmimi Indian Padmashri në vitin 1962 dhe deri tek Çmimi Nobel për Paqen në vitin 1979. Në vitin 1997, Nënë Tereza kishte rreth 4000 motra, të cilat kryenin misionin në 610 shtëpi bamirësie në 123 vende të botës. Tërë jetën e saj ia kushtoi të varfërvve dhe njerëzve në nevojë derisa fjeti më 5 shtator të vitit 1997. Pa kaluar as dy vjet nga vdekja e shenjtores, Papa Gjon Pavli II lejoi të fillonte procedura e kanonizimit. Kështu më 20 dhjetor të vitit 2002 u miratua dekreti për mrekullitë e shenjtores.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 dhe u varros në Kalkutë. Dy vjet më vonë, në korrik 1999, Papa Gjon Pali II dha leje të posaçme, që Nënë Tereza të hynte në procedurën e shenjtërimit. Më 19 tetor 2003, Papa Gjon Pali II organizoi një ceremoni të madhe në Vatikan për lumturimin e Nënë Terezës. Ky vendim i Papës Gjon Pali II erdhi menjëherë pas aprovimit nga Kongregacioni i Selisë së Shenjtë për Çështje të Shenjtërimit. Nënë Tereza ka shëruar një grua indiane, e cila quhej Monika Bersa që vuante nga një tumor. Dita e lumturimit të Nënë Terezës përkonte me 25-vjetorin e ngjitjes në fronin e Vatikanit të Papës Gjon Pali II. Kongregacioni i Selisë së Shenjtë për Çështje të Shenjtërimit i përbërë nga Kardinalë me emër ka aprovuar mrekullinë e Nënë Terezës, prandaj më 4 shtator 2016 do të zhvillohet ceremonia e shenjtërimit të saj.

Familja e Nënë Terezës

Pas luftës së dytë botërore, në kohën që Gonxhja ishte bërë murgeshë dhe i vëllai Lazëri kishte emigruar në Itali, Dranja dhe motra Agata lanë Shkupin dhe u vendosën në Tiranë. Shtëpia ku kanë jetuar motra dhe nëna e Gonxhe Bojaxhiut gjendet në Rrugën e Kavajës, në Tiranë. Në këtë shtëpi-muze gjenden qilimi ku lutej Nënë Tereza, si dhe një seri me veshjet murgërore si dhe sandalet e saj. Motra Agata ka punuar në Radio Tirana si përkthyese gjuhës serbokroatishte.

Lazër Bojaxhiu kujton me dhimbje dramën e fshehtë të Nënë Terezës: “Murgesha e përulur, e cila u pati ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u kishte dhënë dashuri dhe përkrahje qindra njerëzve fatkeqë dhe të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet”. Drane Bojaxhiu vdiq më 1974, në moshën 83-vjeçare, në Tiranë. Kjo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar duke shtrënguar në kraharor një fotografi të vjetër të njomur me lotë. Lazër Bojaxhiu u largua nga Shqipëria pas pushtimit fashist. Madje një gjykatë në Tiranë e ka dënuar me vdekje si “kriminel”. Tashmë jeton në Palermo dhe është drejtor i degës siçiliane të një enti farmaceutik. Përpjekjet e Lazrit dhe të Nënë Terezës për të takuar nënën dhe motrën e tyre në Tiranë ishin të shumta. Të gjitha përpjekjet e bëra nga Kenedi, De Goli, nga Mbreti Gustav Adolf i Suedisë qenë të kota. Nënë Tereza nuk arriti që ta shihte nënën dhe motrën e saj.

Nënë Tereza në Shqipëri

Në muajin gusht të vitit 1989, Nënë Tereza bëri vizitën e parë në Shqipëri. Gjatë ditëve të qëndrimit në atdheun e të parëve të saj ajo u takua me Presidentin Ramiz Alia. Në këto takime u vendos që motrat e saj të vinin në Shqipëri për të hapur një spital. Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi Nënë Terezën me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë. Mbas dekorimit iu dha leja për të hapur misionin e Motrave të Nënë Terezës. Në vitin 1991 Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri, për të inaguruar kishën katolike në Tiranë. Në kujtim të shenjtores me origjinë shqiptare, kohët e fundit janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës në Muzeun Historik Kombëtar është zhvilluar një simpozium, në të cilin fjalën e rastit e ka mbajtur prof. Dhimitër Shuteriqi. Aeroportit të Rinasit i është vënë emri “Nënë Tereza”, Qendra Spitalore Universitare gjithashtu ka marrë emrin “Nënë Tereza”. Sheshi që ndodhet përpara Universitetit të Tiranës quhet “Nënë Tereza” etj.

 

 

*Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar

 

 

Please follow and like us: