Rënia e një miti nga lufta/Revizionim i “Masakrës së Qefalonisë”
Në fund të shtatorit 1943 në Greqi u konsumua ajo që njihet si Masakra e Qefalonisë, në të cilën ushtarë italianë të divizionit Acqui iu kundërvunë me armë gjermanëve në ishullin jonian, duke pësuar humbje masive në jetë njerëzish. Kjo pasi Italia fashiste kishte kapitulluar.
Historiografia italiane e ka njohur këtë moment si Aktin e parë të një rezistence antifashiste në Itali, përfshirë këtu edhe spekullimin se i ashtuquajturi referendum që u zhvillua nga ushtarët, ishte shprehje e demokracisë. Kështu e quajti De Gasperi, kështu edhe Campi në vitin 2001.
Por si qëndron e vërteta? Sipas një libri të historianes Elena Aga Rossi cituar gjerësisht në një shkrim “Corriere della Sera” faktet historike janë të ndryshme. Së pari, të vrarët nuk janë 9000 siç referon deri më sot historiografia italiane, por diku mes 1600-2500.
Së dyti, historiania sugjeron se të dhënat flasin jo për një rezistencë antifashiste, por për një zgjidhje që u vlerësua më pragmatistja nga ushtarët italianë për t’u kthyer shpejt në shtëpi.
Së treti, i ashtuquajturi referendum, në fakt ishte rebelim ndaj komandantit të divizionit, gjeneralin, Antonio Gandin, i cili kishte idenë që të pranonte dorëzimi e negociuar te gjermanët në pritje të ndihmës nga angloamerikanët.
Edhe figura e gjeneralit çmontohet në këtë libër, teksa ndaj vlerësimeve të dhëna dikur deri edhe nga princi Umberto,msot historiania na flet për inkompetencë, anësi nga gjermanët e dit paaftësi për vendimmarrje.
Miti tjetër i aleancës italo-greke në luftë kundër gjermanëve i ngritur mbi ndihmën e supozuar të partizanëve grekë të Elas, nuk qëndron. Me të marrë armët, këta të fundit nuk morën pjesë fare në lufitme, ndërkohë që heroi i glorifikuar i kësaj ngjarjeje, togeri, Renzo Apollonio, i kredituar si i tillë falë shënimeve të ish-kreut komunist italian, Luigi Longo, del në dritë tjetër. Apollonio kishte qenë një bashkëpunëtor me milicinë naziste dhe aktet e tij janë larg të qenit një hero i “lëvizjes nga poshtë”, siç i pëlqen të majtës ta shohë.
Libri siç paraqitet në përmbledhjen e gazetës italiane hedh një vështrim të ftohtë dhe depërtues mbi një ngjarje që u kapitalizuar me një version hermetik në funksion të politikës. Italia kishte nevojë për një akt kundërfashist dhe e gjeti, duke mashtruar po aq sa edhe kolegët e Lindjes. Një shembull që duhet ndjekur edhe për bëmat e glorifikuara në anët tona.
http://www.corriere.it/cultura/16_settembre_04/cefaonia-eccidio-il-mito-…