Shenjtërimi i Papa Gjon Palit II, Papa që Lumturoi Nënë Terezën
Ishte Papa Gjon Pali ai që Lumturoi Nënë Terezën në vitin 2003, pas mrekullisë së parë të Gonxhe Bojaxhiut, e cila iu përgjigj lutjeve të një gruaje indiane për ta kuruar nga tumori.
Shenjtërimi i saj nxjerr në pah idealin e Karol Vojtiles, që të gjithë e quajnë jo rastësisht “I madhërishmi”. Papa Gjon Pali i Dytë donte që kisha katolike të ishte “një kishë e varfër në shërbim të të varfërve”. E kush më mirë se Nënë Tereza e personifikonte idealin e tij?
Mbi një milionë persona mbushën sheshin e Vatikanit për të marrë pjesë në ngjarjen historike të kishës katolike. Të dielën, kur data shënonte 24 prill, në vitin 2014 u Shenjtërua Papa Gjon Pali i Dytë dhe Papa Gjoni i 23, në një ceremoni të bashkë-kremtuar nga Papa Françesku dhe Benedikti i 16-të, të cilet nuk ngurruan ta nisnin meshën e veçantë duke dhuruar një përqafim.
Me profile të ndryshme nga njëri-tjetri, Papa Gjon Pali i Dytë dhe Papa Gjoni i 23, ata kishin një të përbashkët: ishin njerëz të guximshëm që përjetuan tragjeditë dhe nuk u mposhtën nga to. Kështu i cilësoi formula e shenjtërimit atyre që i sollën kishës një frymë të re dhe e futën atë në një epokë moderne.
Besimtarët katolikë e kanë cilësuar si një ditë të shenjtë dhe nuk ngurruan ta prisnin agimin e asaj të diele duke u lutur në shesh. Disa të tjerë festuan me këngë dhe krijuan një atmosferë festive anembanë Vatikanit. Fundja, kështu e meritonte shpirti i dy shenjtorëve, të cilët kështu donin ta shihnin botën përherë: me njerëz që kishin besim në Zot dhe mes tyre të ekzistonte gëzimi.
Të shumtë ishin polakët, të ardhur nga dheu i Papa Vojtilës. Por numëroheshin me mijëra besimtarë nga mbarë bota, 120 delegacione të huaja si edhe zyrtarë të lartë. Siguria atë ditë ishte maksimale me 10 mijë forca rendi në dispozicion. Ceremonia u ndoq në ekranet gjigante të vendosura në sheshe, por vëmendje kishte e gjithë bota., me sytë e drejtuar nga Papët, që secili kishte shënuar 2 mrekulli në jetën e tyre, aq sa kisha katolike njeh për të nisur procesin e Lumturimit e më pas Shenjterimin.
Papa Gjon Pali i Dytë është një figurë që frymëzoi gjenerata të tëra. Vitaliteti i tij ishte i reflektueshem. Karol Vojtila vizitoi në jetën e tij 129 vende të botës, me forcën e tij të besimit ai ndihmoi në rindërtimin e besimit pas rënies së komunizmit. Kështu ai riktheu ideologjinë e besimit të njerëzve në Zot, aty ku dukej se hija e tij ishte zhytur në skutat më të errta të regjimit komunist, që imponoi me doemos ateizmin. I tillë ishte dhe për shqiptarët. Në një tokë ku dukej se shpresa ishte shuar pas regjimit diktatorial, Papa Gjon Pali II u ul në gjunjë dhe puthi tokën shqiptare, tokën e shpallur nga Enver Hoxha në vitin 1967 ateiste.
Por pas ardhjes së tij në Shqipëri duket se gjërat morën për mbarë. Nuk dihet nëse ishte bekimi i tij ai që i dha Shqipërisë këtë bashkëjetesë të shembullt fetare për të cilën e admiron gjithë bota. Dijetarët e fesë thonë se Karol Vojtila e donte shumë Shqipërinë e veçanërisht Nënë Terezën, ndaj duket se edhe stafetën e Shenjtërimit ia la pikërisht asaj.