Shqiptarët e Floridës inaugurojnë hapjen e shkollës shqipe “Vatra”
Në 3 shtator 2016, në qytetin Clearwater të Floridës, në prani të mjaft prindërve dhe nxënësve shqiptarë, të ardhur nga qytetet e zonës së Tampa Bay, Palm Harbor, Pinellas Park, Largo, Clearwater dhe Saint Petersburg, u organizua hapja e shkollës shqipe “falas” nën iniciativën e Vatra Tampa “Përse o Mami Shqip s’më Flet”. Kjo ngjarje mbresëlënëse dhe mjaft domethënëse u organizua nëpërmjet një pune këmbëngulëse, efikase e frutdhënëse nga ana e drejtuesve të degës “Vatra” Tampa, si kryetari Tasim Ruko, arkëtari Jason Sulisufaj, sekretarja Zamira Rubjeka, nënkryetari Isuf Spahiaj, anëtarët e bordit dhe vatranët Greta Monty, Arian Kushta, Piro Poloska, Lulëzim Nurkaj, Eduard Sucaj, mësuesit Yllka Bejo dhe Martin Marra dhe dashamirësit Landër Lena, Fadil Neziri, Hasan Rubjeka, Filip Naci, Loni Liti etj. Materialet e para shkollore për këtë shkollë u nisën nga qendra e Vatrës në NY, duke përfshirë Abetaren e njësuar dhe fletoren e punës. Qendra “Vatra” NY është në pritje të furnizimit të plotë nga bashkia e qytetit të Kamzës dhe Konsullatës së Kosovës në SHBA për dekimin dhe kontributin. Me ndjenjë gëzimi e krenarie, me buzëqeshje në fytyrë, si tufa lulesh të bukura në duart e nxënësve, që do të ulen në bankat e kësaj shkolle, banderola me mbishkrimin mjaft domethënës “Mirë se erdhët nxënës të dashur”, e bënin më festiv mjedisin përreth. Shumëkush nga të pranishmit, e cilësonin këtë ngjarje tepër të veçantë dhe mbresëlënëse për vatranet dhe komunitetin shqiptar të Floridës, edhe për faktin se ata ndiheshin dy herë të gëzuar; së pari për çeljen e shkollës shqipe dhe së dyti për krenarinë e ligjshme, që u jepte shenjtërimi i Nënë Terezës, kësaj figure të shquar shqiptare, ikonës së humanizmit me vlerë botërore. Kjo ditë e bukur, që sapo ka nisur trokun e vet stina e bukur e vjeshtës, përkon me cicërimat e gëzuara të fëmijëve, të cilët ende pa zënë mirë vendet e tyre në tavolinat e studimit, nisin e tregohen tepër kureshtarë, teksa prekin e shfletojnë për herë të parë faqet e Abetares, librit të gjuhës, librave për kulturën, si dhe mjaft revista dhe libra të shkruar nga shkrimtarë të njohur shqiptarë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur mes emocioneve të lindura në këto momente, z. Tasim Ruko, kryetar i degës “Vatra Tampa Bay”, do të shprehej: “Sot kemi ndezur në vatrën tonë një zjarr, i cili na detyron edhe më shumë për ta mbajtur përherë të ndezur, sepse është zjarri që do të na ngrohë të gjithë ne emigrantëve mbarëshqiptarë”. Ndërsa pedagogia e njohur në Pinellas County, Yllka Bejo, e cila prej trembëdhjetë vjetësh vazhdon të japë mësim në shkollën e mesme dhe me eksperiencë prej 37 vjetësh në mësimdhënie, mori fjalën ku shprehu kënaqësinë që shkolla u hap në prag të kanonizimit shenjtërimit të Nënë Terezës, që ka qenë dhe mbetet idhulli i saj. Znj. Bejo është një mësuese patriote që do të kushtojë kohë dhe punë për mësimdhënien me parimin “Çfarë të bëj unë për Kombin, jo çfarë të bëjë Kombi për mua”. Znj. Bejo ishte rrethuar me fjalë mirënjohjeje, respekti nga të gjithë ata që e kanë uruar drejtpërsëdrejti nëpërmjet telefonatave dhe mesazheve të shumta, do të falënderonte të gjithë prindërit e nxënësve dhe vatranët, duke thënë se: “Çdo fjalë dhe urim i tyre janë motiv frymëzimi, ku gjuha shqipe, është një dhuratë e vyer, që unë i jap brezave shqiptarë këtu në Florida. Ju falënderoj të gjithëve ju që keni ardhur nga disa qytete dhe keni sjellë fëmijët tuaj, të cilët nesër do të jenë e ardhmja jonë. Padyshim se edhe shenjtërimi në këtë ditë i Nënë Terezës, na ka bekuar dhe neve.” Nënkryetari i degës z. Isuf Spahiaj nga Drenica e Kosovës dhe një kontribuues aktiv prej 10 vjetësh në komunitet, përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe uroi një vit shkollor të mbarë mësuesve dhe nxënësve. Z. Spahiaj u shpreh se gjuha shqipe bashkon shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje drejt një Shqipërie të Madhe. Sekretarja e “Vatra Tampa” përfitoi nga rasti të falënderonte sponsorët, z. Ed Sucaj, që mundësoi uniformat kuq e zi të fëmijëve, znj. Greta Monty, që ofroi falas mikrofona dhe sponsorë të tjerë, si z. Piro Poloska, z. Jason Sulisufay, z. Tasim Ruko dhe z. Arian Kushta. E prisja me padurim këtë ditë për dy vajzat e mia, Monikën dhe Anxhelën, tregon e emocionuar Fatmira Methasani nga Tirana. Ndërkohë, Genci Kullaj me bashkëshorten nga Kruja, teksa kishte mësuar më parë për shkollat shqipe në Nju Jork, Miçigan (MI) dhe shpreson se edhe këtu në Florida (FL) do të hapej një shkollë e tillë. Jam i gëzuar që tashmë të tre fëmijët e familjes sonë do i sjell edhe në këtë shkollë, ku flitet gjuha e bukur shqipe. Mes emocioneve që padyshim të ofrojnë ngjarje të tilla, prindi Fadil Neziri nga Kërçova e Maqedonisë, flet kokë më kokë me djalin dhe vajzën e tij, të cilët posa kanë prekur ndër duar abetaren. Befasues pa zhurmë e bujë, ishte momenti i prezantimit, kur amerikania dhe mësuesja në shkollat amerikane Katherine Hill, kishte sjellë të bijën e saj dymbëdhjetëvjeçare, Kadance Hill. “Kam mëse një vit që interesohem së bashku me vajzën për të mësuar gjuhën shqipe, sepse jam njohur me disa shqiptarë këtu dhe na pëlqen kultura, gjuha dhe zakonet shqiptare.” Znj. Hill është e informuar që gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra në botë. Vërtet bukur, një amerikane do të mësojë në shkollën shqipe mes fëmijëve shqiptarë. Shembull i veçantë frymëzimi për ne shqiptarët. Biseda rrjedh e kristaltë, këndshëm edhe në koktejin e organizuar me këtë ditëlindje të shkollës “Vatra” në Florida, ku bisedat mes prindërve dhe gugatjet si pëllumba të bardhë midis fëmijëve, bëjnë që kjo ditë të mbetet gjatë në kujtesë.
FADIL SHEHU, FLORIDA