Albspirit

Media/News/Publishing

Vizita që nxiti lirinë e fesë

Në gusht të vitit 1989 Nënë Tereza pas shumë refuzimesh arriti të rikthehej në Shqipëri. Komunizmi ishte në ditët e fundit të tij dhe pranimi i vizitës ishte një hapje e ndrojtur dhe vizita ishte parë edhe si një shenjë e ndryshimit që po vinte, veçanërisht për lirinë fetare.

Misionarja katolike ishte shumë pak e njohur në Shqipërinë komuniste ku informacioni ishte i kontrolluar me detaje. Mbërritja e Nënë Terezës në Tiranë u konsiderua “vizitë private”, apo “vizitë jozyrtare” pavarësisht nga motivimi burokratik, ardhja  ishte rikthimi në vendin e vet, ardhje në “gjini” dhe pse për shumë vite kjo e drejtë i ishte mohuar me justifikime absurde politike dhe pa asnjë bazë morale e njerëzore.

Dëshmitarët e vizitës kujtojnë se i gjithë qëndrimi në Tiranë u prezantua me lajme të kontrolluara, duke ofruar vetëm takimet me zyrtarët e regjimit, apo vizitën në Varrezat e Dëshmorëve. U njoftua edhe vizita e saj në varret e Nënës Drane dhe motrës Age, në varrezat e Tiranës dhe vizitën ne spitalin onkologjik, e shoqëruar nga Dr.Adelina Mazreku.

Gjithçka ishte brenda kornizave të burokracisë komuniste, një vizitë protokollare, me pak publik të zgjedhur, megjithatë në takimin që Nënë Tereza bëri me ish-Presidentin Ramiz Alia, dukej qartazi sjellja që rrëzonte gjithë kornizën e burokracisë së komunizmit.

Zyrtarisht Nënë Tereza kërkoi hapjen në Shqipëri të misionit bamirës që drejtonte. U largua më 8 gusht për t’u rikthyer një vit më pas për të hapur misionin bamirës. Në këtë udhëtim të dytë shoqërohej edhe nga disa motra të misionit.

Misioni i parë ishte në Tiranë në rrugën Siri Kodra e më pas u përhap në gjithë Shqipërinë. Vizita e tretë ishte në mars të vitit 1991, kur Nënë Tereza vizitoi dhe qytetet e Shkodrës Durrësin, Elbasanin e Korçën.

Udhëtonte bashkë me motrat e misionit me synimin e hapjes se qendrave të reja. Pas një pune të gjatë trevjeçare në Shqipëri të misionit të Nënë Terezës në fund mori edhe letërnjoftimin shqiptar.

Në tre vitet e vizitave të Nënë Terezës në Shqipëri ishte e para që priti Papa Gjon Palin në vizitën e tij në Shqipëri në fillim të viteve ‘90.

Ardhja e saj në Shqipërinë komuniste më shumë se një rikthim në vendin e të parëve, ishte një nxitje e madhe për ndryshimin që sapo kishte nisur në Shqipëri. Pranimi i shqiptares së madhe, misionares katolike përkon me kohën kur u rikthye liria e besimit në Shqipëri. Disa muaj më pas regjimi komunist shikonte në heshtje sesi shqiptarët masivisht nisën të hapin kishat e xhamiat në gjithë vendin.

Please follow and like us: