3600 të ish të përndjekur politikë “përjashtohen” nga dëmshpërblimi
Janë plot 3600 ish të burgosur politik që janë “përjashtuar” nga dëmshpërblimi për vitet e burgut. Të paktën ky është pretendimi i Institutit të të Përndjekurve Politikë, të cilët kanë ngritur zërin, por deri më tani nuk i është dhënë zgjidhje. Sipas kreut të këtij Instituti, Bilal Kola, një ngërç në një vendim të qeverisë ka sjellë këtë pështjellim. Sipas tij, në ligjin për dëmshpërblimin e kësaj kategorie ka një klauzolë. Kështu, nëse një ish i përndjekur politik nuk është kujtuar të plotësojë dosjen deri më datë 1 korrik 2009, atëherë ai përjashtohet nga skema. Me këtë klauzolë, kanë humbur të drejtën për të marrë lekët e burgut plot 3600 të burgosur. Mësohet se Instituti ka pasur disa letërkëmbime me qeverinë, por deri më tani nuk i është dhënë zgjidhje. Janë me dhjetëra ish të burgosur politik që kanë ngritur këtë shqetësim, por s’kanë marrë zgjidhje. Instituti pretendon se qeveria duhet të bëjë atashimet përkatëse për këtë klauzolë, pasi ka me qindra ish të dënuar politik që janë larguar nga Shqipëria menjëherë sapo kanë lënë burgun në vitet ’90. Bilal Kola pretendon se qeveria duhet të bëjë atashime në ambasadat tona jashtë vendit, pasi ka një kategori të madhe që nuk e kanë mësuar se marrin një dëmshpërblim të tillë.