Albspirit

Media/News/Publishing

Bashkim Zeneli: Europa fillon te shtëpia jote

Kancelari legjendar gjerman, Helmut Kohl, tashmë në prag të 87-ave ka nxjerrë në qarkullim një tjetër libër me vlera shumë të mëdha: “Me shqetësimin për Europën, një apel”. I ndodhur në Gjermani, e mora dhe të 120 faqet e tij i lexova pa i ndarë. Europa, problemet dhe vështirësitë e saj, sfidat, përpjekjet e mëdha në dekada, besimi në të ardhmen, nevoja e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, lufta kundër tendencave nacionaliste, janë çështje që kancelari i shtron me vizion të qartë e me besim për të ardhmen tonë të përbashkët.

Europa nuk është vetëm kontinenti ynë; Europa është e duhet të jetë e ardhmja jonë. Me zhvillimet aktuale gjeopolitike, me përplasjet, me tendencat hapur të shteteve nacionaliste në jo pak vende, me kërcënimet, me luftërat dhe paaftësisë për t’u dhënë fund atyre, me luftën kundër terrorizmit, me qëndrimet e Rusisë në politikën e sotme, e sidomos, pas aneksimit të Krimesë, të gjitha këto e të tjera, mund të themi pa frikë se Europa është sot çështje e luftës dhe paqes.

Helmut Kohl, në faqet e librit shpjegon me argumente bindëse pse Europa e shekullit të 21-të është po aq e rëndësishme, vendimtare për paqen dhe lirinë. “Europa, -shkruan Kohl, -është fati ynë. Është përgjegjë- si dhe detyrim njëkohësisht. Europa është një shans historik dhe ne duhet të dimë ta kapim atë”. Kohl shpjegon shumë qartë përpjekjet e mëdha për të ndërtuar Europën e Bashkuar mbas Luftës së Dytë Botërore, si një histori të pashembullt suksesi.

Ai çmon punën titanike të “baballarëve themelues” si Alcide de Gasperi, Jean Monnet, Robert Schuman, por edhe të Konrad Adenauerit, edhe të Winston Churchill-it, i cili në fjalën e famshme para studentëve të Universitetit të Zyrihut, në shtator 1946, bëri thirrje për të ndërtuar “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Me vështrimin aktual, kancelari shprehet se “një lajm jo shumë i mirë është bilanci europian i viteve të fundit: Europa, me kapërcimin nga shekulli 20 në shekullin 21, nuk është në gjendjen e saj më të mirë”.

Kriza e viteve të fundit, sidomos ajo financiare, disa zhvillime të gabuara, apo tendencat e rritura nacionaliste, çështjet e refugjatëve, të terrorizmit etj. etj., kanë lëkundur idetë dhe synimet për Europën. “Sot, -shkruan Kohl, -shohim rikthim në tendenca të shteteve nacionaliste apo thjesht politikave vetjake e rajonale që shprehen me egoizëm dhe thjesht për interesa të veçanta e të vetmuara”.

Ai flet për një mungesë të madhe përgjegjësie të mjaft shteteve, të një injorance politike në diskutimin e raporteve dhe përgjegjësinë për projektin e Europës. Projekti i Europës, shkruan Kohl, nga shumë vende po kuptohet në mënyrë shumë të thjeshtëzuar dhe jo “si shansi i vetëm për paqen dhe lirinë në Europë, me gjithçka që u përket atyre: demokracinë, të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës, stabilitetin dhe mirëqenien sociale dhe vendosmërinë dhe përgjegjësinë tonë për kufijtë e Europës dhe për botën si e tërë”.

Duke folur për “Eurosklerozën”, që pasohet edhe me euroskepticizmin e sotëm të rritur, kancelari shkruan: “Përse harrojmë çfarë është arritur dhe si është arritur për paqen dhe lirinë? Mos vallë jemi çmendur të gjithë sot dhe kemi humbur arsyen, e bashkë me të edhe përgjegjësinë?”. Është e njohur se Europa ka qenë përherë një proces i hapave të vegjël, por i hapave të sigurt e, mbi të gjitha, i vizionit dhe perspektives së qartë.

Sigurisht, asgjë nuk ka qenë e lehtë, por burrat e mëdhenj të shtetit, politikanët e përgjegjshëm, i dhanë Europës një dinamikë përherë e në rritje dhe vendosën qartas shinat për të ardhmen. Duke u ndalur në ditët e sotme, Helmut Kohl shkruan: “Është e vërtetë, Europa nuk është në një situatë të mirë. Europa qëndron para sfidave të mëdha, Europa ka probleme, shtetet e veçanta kanë probleme… por edhe është po kaq e vërtetë se sfidat dhe problemet janë të zgjidhshme… është një gabim i madh të mendosh se sot sfidat janë bërë shumë më të vështira dhe komplekse, në krahasim me më parë”.

Midis shumë e shumë problemeve të ekonomisë, financiare, euros, të zgjerimit, të luftës kundër terrorizmit, Europa nuk po i jep zgjidhje të qartë problemit të refugjatëve. Gjermania, me gjithë shqetësimet për praninë e madhe të refugjateve, është një model që, jo vetëm nuk po ndiqet nga mjaft vende të Europës, por edhe po kritikohet pa asnjë argument. Shumë vende anëtare të BE-së po mbajnë qëndrime krejt pasive: disa ngrenë mure, të tjerë postblloqe në kalimet kufitare; disa vende flasin se nuk pranojnë myslimanët…

Kjo nuk duhet aspak të jetë Europa e sotme! Kohl u bën thirrje të gjithë politikanëve skeptikë dhe kritikë që t’i shohin me këmbë në tokë problemet, të mos gjykojnë aspak nga interesat e çastit të një vendi, apo të interesave elektorale për të qëndruar në pushtet. Kërkohet jo vetëm besueshmëri shumë e lartë në projektin Europë, por edhe vullnet politik për të parë përpara me guxim.

“Nuk do lejuar asnjë justifikim oportunist i politikës së ditës, thekson Kohl, por as edhe interesa politike partiake, apo kalkulime e pritshmëri për avantazhe zgjedhore”. Duke parë më tej te situata e sotme, Kohl pyet: “Përse na duhet Europa? Pyetja është legjitime dhe e thjeshtë për t’iu përgjigjur: Neve na duhet Europa, sepse Europa është një çështje e luftës dhe paqes…, ajo që po ndodh në Ukrainë na e bën këtë edhe më të qartë… Europa nuk është as poezi dhe as folklor siç mendojnë eurofanatikët, ose ëndërrimtarët naivë…

Përkundrazi, Europa është sot më shumë se kurrë një çështje ekzistenciale dhe që na bën të kthejmë kokën në përvojën e tmerrshme të së djeshmes”. Sot më shumë se kurrë, sidomos mbas daljes pas 43 vjetëve të Britanisë nga BE-ja, nuk ka asnjë alternativë tjetër veç Europës. Të gjithëve na duhet Europa, por na duhet me vepra, me standarde, me koncepte të qarta demokratike, me shtet të së drejtës. Na duhet ne ballkanasve, na duhet ne shqiptarëve.

Duket se po humbin kohë e po prodhojmë shumë demagogji. Europa fillon pa dyshim te shtëpia jote. Pavarësisht nga sa flitet, më duket se e kemi marrë disi me amatorizëm këtë mision. Jemi ne (dhe jo vetëm ne, por të gjithë ballkanasit) që kemi nevojë për Europën dhe jo aq sa i mbushim mendjen vetes se Europa ka më shumë nevojë për ne.

Aq më pak janë të papranueshme deklaratat shpesh delirante, apo disi edhe “kërcënuese” me alternativa të tjera…, nëse nuk na i hapin negociatat… Kancelari Kohl, duke folur për aspiratën europiane të vendeve të rajonit, thekson se “ato duhet të përmbushin detyrimet e tyre… dhe se nuk duhet ndërruar ‘cilësia me sasi’ dhe as nuk duhet mbivlerësuar shprehja që dëgjohet shpesh se ‘kursi i reformave është kursi i anëtarësimit’. Reformat të çojnë drejt anëtarësimit, po jo si qëllim në vetvete. Ai flet për nevojën e përgjegjësive të mëdha politike të udhëheqësve në vendet aspirante të BE-së.

Kancelari Kohl nënvizon me forcë nevojën e bisedimeve të dialogut midis vendeve. Problemet dhe përplasjet, me frymën e Brukselit, nuk duhen zhvilluar vetëm aty. Udhëheqësit politikë të vendeve anëtare apo aspirante duhet t’u rikthehen më shumë se kurrë politikave të mëparshme të takimeve e bisedimeve. Ai çmon në mënyrë të veçantë përvojën e SHBA-ve në këtë drejtim si një model i jashtëzakonshëm.

Ato duhet të priren nga vullneti i mirë, ashtu siç ishte përvoja e Perëndimit me Lindjen para mbarimit të Luftës së Ftohtë. Ai tërheq vëmendjen se “historia ka mësuar se kontinenti ynë ka vuajtur shumë gjatë nga rivalitetet e kombeve europiane…, shfaqjet e nacionalizmit dhe të rrezikut të luftës në Europë nuk janë kapërcyer për të gjitha kohët; pengmarrësit e këqij të së kaluarës mund të përsëriten vazhdimisht”.

Ai ndalet gjatë në nevojën që udhëheqësit politikë të marrin përgjegjësi për fatet e vendeve të tyre, të punojnë me guxim dhe me vizion europianist, të përballen me sfida dhe të lënë mënjanë interesat partiake apo për të qëndruar në pushtet. Libri i Kancelarit Kohl “Me shqetësimin për Europën, një apel” është me vlera të mëdha, me një aktualitet të plotë e të prekshëm. Ai bën thirrje, nga faqja e parë deri në atë të fundit, për të besuar te projekti Europë, për të punuar për Europën, për të ndërtuar Europën, aspiratën e madhe të popujve të kontinentit.

Detyrat për të ardhmen, shkruan Kohl, nuk duhet t’i themi thjesht me fjalë të bukura, por me një përgjegjësi të madhe politike… Çështja duhet shtruar: nga vijmë, çfarë kemi arritur, cila do të ishte alternative, çfarë duhet të bëjmë? Kështu duhet menduar çdo ditë, kështu duhet punuar çdo ditë. Kush e vesh thjesht me demagogji aspiratën europiane, luan me të ardhmen dhe pa dyshim rrezikon paqen dhe lirinë.

Please follow and like us: