Albspirit

Media/News/Publishing

Clinton nuk do të vizitojë Meksikën para zgjedhjeve të nëntorit


Zonja Clinton i tha dje rrjetit ABC se ajo do t’i përqëndrojë përpjekjet tani për tani në krijimin e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara. Po dje, zonja Clinton e quajti takimin e zotit Trump me presidentin Pena Nieto “një incident të turpshëm ndërkombëtar,” dhe tha se Trump nuk di si të bisedojë në mënyrë të efektshme me kreun e një shteti.

Zonja Clinton u tha gjithashtu përkrahësve në Klivlend të Ohajos se administrata e saj do të luftojë për të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve. Ajo sulmoi zotin Trump për bizneset e tij të falimentuara dhe përmendi aludimet lidhur me trajtimin e keq që u bëhet punonjësve të tij.

Më pas ajo u tha gazetarëve se është thellësisht e shqetësuar rreth “ndëryrjes së qeverisë ruse në zgjedhjet amerikane”.

“Duhet t’i marrim seriozisht këto kërcënime dhe sulme”, shtoi ajo. Zonja Clinton kritikoi gjithshtu rivalin Trump që “i nxit rusët të vazhdojnë aktet e piraterisë”, një referencë ndaj komenteve të kandidatit republikan që u kërkoi rusëve të gjenin e-mailat e humbura të zonjës Clinton.

Rusia dyshohet të ketë ndërhyrë në sistemin e kompjuterave të Komitetit Kombëtar Demokrat në fillim të vitit, duke zbuluar se disa nga zyrtarët e këtij komiteti favorizuan zonjën Clinton ndaj konkurrentit tjetër demokrat Bernie Sanders në zgjedhjet paraprake.

Zoti Trump ishte gjithashtu në Ohajo të hënën ku u takua me anëtarë të sindikatave dhe fajësoi presidentin Barack Obama që i ka lejuar korporatat amerikane të zhvendosin vendet e punës në Meksikë.

Qëndrimi zakonisht i ashpër dhe ndonjëherë i moderuar i kandidatit Trump për imigracionin u bë edhe më i lëkundur të hënën. Ai i tha një audience javën e kaluar në Arizona se imigrantët pa dokumenta që kërkojnë status ligjor në Shtetet e Bashkuara duhet të kthehen fillimisht në vendin e tyre.

Por dje ai u tha gazetarëve se ata mund të mos kenë nevojë të kthehen në vendet e tyre, duke shtuar se nuk hiqte nga tryeza “alternativat e tjera”. Ai tha se do të arrinte një vendim përfundimtar në të ardhmen.

Avionët e fushatës Trump dhe Clinton ishin në të njëjtën kohë dje në aeroportin e Klivlendit, por kandidatët nuk u takuan. Nuk ishte rastësi që të dyja fushatat ishin në shtetet e Amerikës qëndrore në Ditën e Punës.

Anketat e fundit i japin zonjës Clinton një epërsi 44 ndaj 41 përqind në Ohajo, dhe 4 pikë në nivel kombëtar.

Please follow and like us: