Gonxhe Bojaxhiu, nga një murgeshë tek titulli Shen Tereza
Sot, më 4 shtator, në Vatikan përjetova një ditë të papërsëritshme historike, ku me kongresmenin amerikan e mikun tim personal Eleiot Engel, morëm pjesë, krahas shumë shqiptarëve nga trojet tona dhe krahas një bote të madhe njerëzish, për të parë ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Francesku, i cili dukej më i disponuar se kurrë.
Sot çdo shqiptar, këtu në Vatikan dhe në vendetet tona e jashtë tyre, në këtë ditë shtatori të paharueshëm, përjetuam një kerenari të paparë dhe një gëzim e lumturi të pafund që bija dhe motra jonë e gjakut, Nënë Tereza u bë Shenjtëreshë.
Sot për ne shqiptarët nuk është vetëm një ditë e madhe historike, po edhe një ditë e bashkimit dhe e përgjegjësisë kombëtare si në kohën e Gjon Kastriotit- Skenderbeut.
Bija e mdhe, nobelistja shqiptare, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu nga kjo ditë, nga ky 4 shtator 2016, do të thirret me emrin e madh Shen Tereza, një titull që Vatikani i jep asaj për përkushtimin me shpirt dhe zemër ndaj të varfërve, të sëmurëve, të pastrehve dhe të pafiqishmëve.
Humanistja dhe misonarja e famshme shqiptare Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza e tash pas shenjtërimit nga Papa Francesku në Vatikan, Shen Tereza, i dha botës gjënë më të shenjtë, paqen dhe dashurinë mes njerëzve dhe ndaj njerëzimit, që janë vlera të pavdekshme të këtij planetit kontraverz.
Miliona njerëz nga e gjithë bota së bashku me shqiptarët krenarë e përcollën ceremoninë e madhe të shekullit, Shenjtërimin e Nënë Terezës, në Vatikan, ku paqa është mbi të gjitha për njerëzimin. Për këtë paq dhe për këtë ditë punoi shqiptarja jonë e madhe Nënë Tereza.
Mua më përcolli një fat i jashtëzakonshëm që m’u dha rasti të marrë pjesë këtu në Vatikan, në këtë ngjarje të shekullit , me miqtë dhe shokët e mi, e sidomos me kongresmenin Eliot Engel.
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në SHBA.