Kadare, i pesti në listën e të nominuarve për çmimin “Nobel”
Me veprën e tij, Ismail Kadare ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) duke e bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore
I nominuar disa herë për Nobelin letrar por ende pa një çmim të tillë, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare lakohet sërisht si një ndër favoritët kryesorë mes kandidatëve botëror për çmimin më të madh të arritjeve letrare. Ndonëse ka mbetur më pak se një muaj për të shpallur nobelistin e vitit, faqja britanike“Nicer Odds” ka bërë një përzgjedhje me kandidatët kryesor. Sipas renditjes, vendin e parë e kryeson shkrimtari japonez Haruki Murakami, i konsideruar prej vitesh ndër kandidatët kryesorë. Pas tij vjen novelisti amerikan Philip Roth dhe në vendin e 5të listohet Ismail Kadare, i konsideruar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga autorët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, Kadare ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) duke e bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore. Ndër titujt më të njohur të Kadaresë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kështjella, Kronikë në gur, Dimri i madh, Ura me tri harqe, Prilli i thyer, Dosja H, Piramida, Pallati i ëndrrave, etj. Në javët e ardhshme do të mblidhen anëtarët e Akademisë së Suedisë për të vendosur se për kë do të shkojë çmimi i madh Nobel që do të shpallet në muajin tetor dhe do të dorëzohet në dhjetor.