Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova, më afër apo më larg liberalizimit të vizave?


Njohës të zhvillimeve evropiane thonë se Kosova do të vazhdojë të përballet me procedura të shumta dhe ngadalësim të procesit të liberalizimit të vizave.

Këto komente pasuan vendimin e një dite më parë të Komitetit për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme të Parlamentit Evropian, për të mbështetur raportin dhe propozimet e raportueses për Kosovën në këtë Parlament, Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Kosovën, por, nuk i dha asaj “mandatin për fillimin e negociatave me Këshillin e Bashkimit Evropian për Kosovën”.

Komiteti, kërkon që Kosova të përmbushë çështjet e mbetura siç janë lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Ky është komiteti i dytë që miraton propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në fillim të muajit korrik, komiteti për punë të jashtme i Parlamentit Evropian, votoi në favor të liberalizimit të vizave, që ishte edhe hapi i parë në procedurat e votimit të këtij procesi në PE.

Raportuesja Fajon tha të hënën se tash çështja është në duart e Kosovës dhe sapo të marrë njoftimin për përmbushjen e kushteve ajo do ta çojë çështjen në institucionet tjera të Bashkimit Evropian.

Autoritetet thanë se vendimi i djeshëm i hap rrugë Kosovës drejt këtij procesi ndërsa shprehen të bindur se pas plotësimit të kushteve të mbetura, deri në fund të këtij viti mund të merret vendimi për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës.

Por, vëzhguesit thonë se zhvillim pozitiv është fakti që çështja nuk do të kthehet më në komitetin për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, por, rruga drejt liberalizimit mbetet ende e gjatë.

Njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku thotë se deri te liberalizimi I vizave kërkohet edhe një rrugë e gjatë dhe e vështirë, pasi që sipas tij kërkohet mbështetja e të gjitha vendeve për një gjë të tillë.

“Prandaj ata të gjithë që provojnë të japin data ose të shprehin të themi që në një afat të caktuar kohor Kosova mund të përfitojë në këtë moment liberalizmin e vizave është premtim imagjinar për shkak se nuk mund të paragjykohet dhe parashikohet qëndrimi i shteteve se çfarë qëndrimi shtetet do të kenë në Këshillin e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Hulumtuesja në Grupin për studime juridike dhe politike Albana Merja thotë se Kosova po vazhdon të humbë mbështetjen që kishte në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave, duke ju referuar faktit se 25 deputetë të Komitetit për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme të Parlamentit Evropian, votuan të hënën në favor të Kosovës, ndërsa 24 ishin kundër.

“Gjithmonë parlamenti ka qenë pro çdo lloj iniciative për Kosovën edhe që ka qenë i vetmi institucion që në thelb të gjithë shpresonin që nuk do të kishte asnjë problem pasi që në përgjithësi, deputetët veç e veç, apo edhe në grupet parlamentare, kishin dalë me deklarata pozitive për Kosovën. Por, dje u pa që konsensusi nuk është më aq i madh madje mund të themi që tani pas votimit të djeshëm në atë komision është që vetëm 50 për qind e mbështesin dhe 50 për qind nuk e mbështesin më aq hapur të drejtën e Kosovës për të ecur përpara drejt liberalizimit të vizave”, tha ajo.

Një pengesë e radhës sipas njohësve të këtyre zhvillimeve mund të jetë zvarritja e këtij procesi.

“Pra në thelb, e gjithë që ndodhi dje është një procedurë më shumë për Kosovën dhe një ngadalësim i procesit në vazhdimësinë e tij”, tha Albana Merja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Lajmi i keq është se disa nga shtetet që e kanë njohur Kosovën nuk janë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën si rezultat i ngecjes së Kosovës në shumë stade”,tha njohësi i zhvillimeve evropiane, Avni Mazrekaj.

Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2012 dhe propozimin katër vjet më pas, por qytetarët e saj edhe më tej janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Shëngen, që përfshinë pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian.

Please follow and like us: