Albspirit

Media/News/Publishing

Nue Bisaku: Profecia e Ibrahim Rugovës

 

Urime President shenjtërimin e Nënë Terezës. Urime për parashikimin Tuaj profetik të para një çerek shekulli se Papa Gjon Pali II-të dhe Nënë Tereza janë figura të shenjta të njerëzimit. Kjo porosi profetike po zyrtarizohet me 4 shtator 2016 nga Selia e Shenjtë në shtetin e Vatikanit nga miku i madh i shqiptarëve, Papa Françesku që ka fatin dhe meritën të vazhdojë dashurinë dhe respektin që e kishte edhe Gjoni Pali II-të për popullin shqiptar si populli i lashtë dhe besnik që nga koha e apostujve.

Shën Nënë Tereza po i bashkohet Shën Jeronimit, Shën Niketës, Shën Florit dhe Laurit, e shumë shenjtërve tjerë. Kësaj here një nderim kapital për kapacitetin që ka femra shqiptare.

Njëzet e katër orët e 4 shtatorit 2016 popullin shqiptar pak të njohur e bëjnë më të lumturin në botë. Më i lumturi sigurisht biografi i Nënë Terezës, i suksesshmi Dr. Don Lush Gjergji.

President i dashur Rugova, të gjithë e dimë se je në amshim, nuk të kemi harruar, përkundrazi të duam edhe më shumë, të konsiderojmë të shenjtë, e ata jetojnë njëkohësisht në qiell dhe në tokë.

Kur patëm nevojë për Ty të besuam të na udhëheqësh dhe nuk gabuam. Vuajtja e popullit tënd të forcojë për punë të mëdha. Ishe unikat, shëndrrite mirësi, humanizëm dhe civilizim të pashoq. Presidenca Juaj kishte tjetër bukuri, nuk të pëlqente madhështia dhe forca e diktatorëve, në vend të tyre shkëlqenin dy personazhe frymëzuese, Papa Gjon Pali II-të dhe Nënë Tereza. Atëherë dhe sot të dy shenjtër e Ju në mes, çka tjetër pos i shenjtë.

President bëhu gati për shenjtërim, po të vjen radha. Ju e meritoni e na kemi nevojë. Ne shqiptarët po luhatemi, po lëkundemi, po na duket i largët besimi. Pasi e kemi Gjergj Kastriotin tani edhe Nënë Terezën po u bashkove edhe ti ne e fitojmë një kopje, një alternativë të Trinisë së Shenjtë, pra një treshe të shenjtë autoktone. Ndoshta kështu do të na kthehet bekimi dhe të shkojmë përpara.

President dikush më ndërhyri se për shenjtërim nevojiten edhe dy kushte të rëndësishme, të jesh i pagëzuar dhe të kesh bërë mrekulli shëruese, pra të shpëtosh ndonjë jetë njeriu.

Të dyja i plotëson, pasi Bogdani që aq shumë e deshe do ta fal emrin e vet apostolik, kurse për shpëtim jetësh jo 2 ose 3 por një libër më së paku 200.000-300.000 vetash.

Sa do të fitonim sikur të kishim vetëm një ditë në mesin tonë, të sigurtë se do ta shpallni 4 shtatorin festë mbarëkombëtare dhe Shën Nënë Terezën për mbrojtëse të popullit shqiptar.

President po e përsërisë fillimin edhe një herë: Urime Shenjtërimin e Nënës Tereze. Nuk dij kush i meriton para Jush këto urime.

Please follow and like us: