Albspirit

Media/News/Publishing

Pan Sutong-u, ndërtuesi i rrokaqiellit më të lartë në Kinë

Kurora e ndërtesës më të lartë në Kinë ndërron duar shpesh sot, por sipas medies kineze së shpejti do t’i përkasë “Goldin Finance 117” në qytetin e Tianjin-it. Me një lartësi strukture 597 metra, gjiganti i ri i Tianjin-it, i quajtur edhe “shkopi lëvizës”, ia kalon edhe Kullës së Shangait (që ndonëse është 632 metra, e ka strukturën kryesore të gjatë vetëm 580 metra), dhe renditet i dyti pas “Burj Khalifa” të Dubait në listën globale të ndërtesave më të larta.

“Goldin Finance 117” do të jetë edhe simboli i distriktit të ri të biznesit që Pan Sutong-u 53-vjeçar po ndërton në rrethinat e Tianjin-it. Kjo ndërtesë do të fillojë të prodhojë të ardhura vetëm pasi të përurohet në fund të këtij viti, por megjithatë një gjë e tillë, ashtu si edhe humbjet e mëdha nga luhatjet në bursa vitin e kaluar, nuk e kanë ndaluar Pan Sutong-un të vazhdojë të jetë një miliarder. Dhe ai nuk e fsheh se shpreson që me “Goldin Finance 117” të hyjë në histori. “Unë dua të ndërtoj një qytet të tërë, gjë për të cilën ndërtuesit e tjerë mund të mendojnë se nuk mund ta bëjnë dot … Kjo është një vepër arti që unë shpresoj se do të jetë e përjetshme. Përfytyroni, pas 300 ose 400 vjetësh, njerëzit do të pyesin: cili e ndërtoi këtë? Dhe ata do të marrin vesh është ndërtuar nga Pan Sutong-u,” shprehet biznesmeni ambicioz.

Pan Sutong-u ka lindur në Shaoguan, në provincën kineze Guangdong në vitin 1963, dhe fëmijërinë e kaloi gjatë viteve të vështira të Revolucionit Kulturor. Ai u rrit nga gjyshja e vet, por pikërisht në vitin e fundit të Revolucionit Kulturor, 1976, kur ishte vetëm 13 vjeç, gjyshja i vdiq dhe Pani u dërgua në Kaliforni të ShBA-së. Ai qëndroi aty për tetë vjet, për t’u kthyer më pas përsëri në Kinë. Pan Sutong-u mori hua para nga të afërmit për të nisur biznesin e vet në Hong-Kong. Në vitet ’80 tregtia e pajisjeve elektronike po njihte lulëzim dhe i riu vendosi të përfshihej në të. Pasurinë e parë Pan Sutong-u e bëri nëpërmjet tregtimit të pajisjeve elektronike të firmës japoneze “Matsushita”, pararendësja e gjigantit “Panasonic”, nëpërmjet kompanisë “Matsunichi”. Më vonë, në vitin 1993, Pan Sutong-u vendosi që kompania e tij të kalojë nga shitja në prodhim. “Matsunichi” nisi të bënte MP3 dhe pajisje karaokeje dhe pas një dhjetëvjeçari, zuri 90 % të tregut për prodhimin e ekraneve të karaokeve për tregun në lulëzim të KTV-ve në Kinë.

Për të promovuar kompaninë e vet, Pan Sutong-u iu drejtua ndër të tjera sportit. Ai bleu një ekip futbolli në vitin 1996, të cilin e quajti “Matsunichi”. Ndërsa në vitin 2005, Pan Sutong-u përzgjodhi notarin e famshëm, medalistin olimpik Michael Phelps si zëdhënës të pajisjeve MP3 të “Matsunichi”-t. Sipas medies, Michael Phelps zgjodhi për të bashkëpunuar me “Matsunichi”-n, sepse i pëlqente të dëgjonte muzikë për t’u relaksuar dhe për t’u përqendruar para garës. Përveç reklamave televizive dhe pjesëmarrjes në konferencat për shtyp për paraqitjen e produkteve të reja, Michael Phelps është parë shpesh duke përdorur pajisje MP3 të markës “Matsunichi” para garave.

Biznesi i pajisjeve elektronike ishte i suksesshëm, por si një sipërmarrës me talent Pan Sutong-u e dinte se nuk mund të mbështetej vetëm në të. Në vitin 2007 ai vendosi ta diversifikonte biznesin e vet, duke blerë sipërfaqen ku po ndërtohet tashmë “Goldin Finance 117”. Një vit më pas kompania e tij e ndryshoi emrin në “Goldin”, për të pasuruar ndryshimin e biznesit të vet kryesor.

“Goldin” është shndërruar tashmë në një konglomerat ndërkombëtar që e ushtron biznesin e vet jo vetëm në Kinën kontinentale e në Hong-Kong, por dhe në ShBA dhe në Europë. Grupi përbëhet nga dy kompani të listuara në bursë, “Goldin Properties” dhe “Goldin Financial”, dhe dy kompani në pronësi private – “Matsunichi Digital” dhe “Goldin Equities”.

“Goldin” ka tani më shumë se 12 mijë punonjës në mbarë botën dhe e ushtron biznesin e vet në pesë fusha të ndryshme. Përveç pasurive të patundshme e pajisjeve elektronike, ajo është shtrirë edhe në shërbimet financiare, në sportin e polos dhe dhe të prodhimit të verës. Filozofia e Grupit është: Mëso pa pushim, mendo në mënyrë krijuese, ndiej me pasion me vepro me vendosmëri.

Pasuria e Pao Sutong-ut arrin tashmë në 6.4 miliardë dollarë, por vitin e kaluar ishte shumë më tepër se kaq. Në vitin 2014 vlera e aksioneve të “Goldin Financial” u rrit më shumë se pesëfish, duke e bërë Pao Sutong-un një ndër njerëzit më të pasur në Hong-Kong dhe në Kinë në përgjithësi. Por pastaj aksionet patën një rënie të shpejtë, duke bërë që ai të quhet edhe si “miliarderi që bëri 20 miliardë dollarë në vit dhe humbi 13 miliardë dollarë një ditë”. Megjithatë, kjo nuk e ka bërë atë të herë dorë nga bamirësitë. Për Paon thuhet me shaka se i jep paratë po aq lehtë sa i humb ato.

“Si sipërmarrës, ne duhet të kontribuojmë për shoqërinë,” thotë ai. “Kjo është përgjegjësia jonë.”

Që nga viti 2012, “Goldin” ka sponsorizuar një kupë bamirësie, të organizuar nga “Beaufort Polo Club” në Mbretërinë e Bashkuar. Princi William dhe Princi Harry drejtojnë ekipet që marrin pjesë në këtë kupë për të mbledhur fonde për organizatat bamirëse.

Pan gjithashtu dhuroi për projektin e rinovimit të një galerie kineze në muzeun e Luvrit në Paris. Ai tha se e bëri një gjë të tillë duke shpresuar të promovojë shkëmbimet kulturore mes dy vendeve.

Por ndihmesën më të madhe Pan e jep për arsimin, megjithëse, ose mbase pikërisht ngaqë ai vetë nuk e kreu dot arsimin e lartë. Kështu, në vendlindjen e vet, Shaoguan, ai ndihmojn nxënësit ka familjet e varfra që të kenë mundësi të vazhdojnë arsimimin deri në universitet. Fondacioni i tij për arsimin, i krijuar në vitin 2004, ka ndihmuar më shumë se 1000 nxënës të vazhdojnë studimet universitare.

Please follow and like us: