Albspirit

Media/News/Publishing

Paralizohet Gjykata Administrative, Këshilli i Investimeve: 12 mijë çështje që presin

Një raport i fundit i Këshillit Kombëtar të Investimeve vëren se sistemi gjyqësor që shqyrton konfliktet tregtare është gati në ngërç total. Raporti konstaton se gjykata administrative, e ndërtuar për të zgjidhur në kohë të shpejtë konfliktet mes shtetit dhe biznesit është thuajse e paralizuar.

Në Gjykatën Administrative të Apelit, janë të depozituara 12 mijë çështje, të cilat janë pezull dhe presin të gjykohen nga vetëm 7 gjyqtarë.

Sipas raportit, për shkak të numrit të lartë të çështjeve dhe mungesës së burimeve njerëzore, gjykata administrative e apelit nuk arrin të shqyrtojë brenda afateve ligjore konfliktet që presin zgjidhje.

Por vonesat në gjykim nuk janë problemi i vetëm me të cilin përballen bizneset në këtë gjykatë. Raporti nënvizon se e vënë nën presion nga numri i lartë i çështjeve, për të kapur afatet ligjore, shpesh gjykata merr vendime me një cilësi të dyshimtë.

Sipas Këshillit të Investimeve, kjo përforcohet edhe nga një tregues tjetër, që është vendimmarrja e dukshme në favor të shtetit. Sipas raportit, për periudhën 2014-2015, mbi 70 për qind e vendimeve të gjykatës administrative të apelit ishin në favor të shtetit dhe kundër biznesit.

Madje sipas raportit në shumë raste biznesi e ka të pamundur edhe të ketë akses në drejtësi pasi pjesa dërrmuese e apelimeve refuzohen dhe nuk merren fare parasysh nga gjykata, siç është rasti i apelimeve tatimore dhe ato doganore që pranohen vetëm në masën 4 dhe 2 për qind.

Please follow and like us: