Albspirit

Media/News/Publishing

“Tek secila Nënë Shqiptare ka nga pak Nënë Terezë”

Bujar Nishani

 

“Sot në Selinë e Shenjtë, Vatikan në shenjtërimin e Nënë Terezës. 4 shtator 2016 është dita e institucionalizimit të shenjtërisë të një Nëne shqiptare e cila Shenjtore ishte që kur lindi. Është datë e takimit të rrallë dhe solemn mes Shqipërisë dhe Botës. Si e tillë, 4 shtator 2016 është datë e një rëndësie kolosale shqiptare dhe botërore.

Nënë Tereza është më e dashura, më e mira, më e urta, më e thjeshta, më madhështorja Nënë që ka ekzistuar në botën tonë.

Tek secila Nënë Shqiptare ka nga pak Nënë Terezë.

Tek Nënë Tereza ka nga pak prej secilës Nënë Shqiptare.

Nënë Tereza është ajka, nektari, kuintesenca e Nënave shqiptare.

Nëse Nënat shqiptare janë gjeniale në përkujdesjen e familjes, “familja” për të cilën u përkujdes Shenjtorja Nënë Terezë është mbarë njerëzimi.

Nuk ka asnjë teprim në qasjen mes Nënë Terezës dhe Nënave shqiptare. Për ta konstatuar ngjashmërinë shenjtërore mes Nënave shqiptare dhe Nënë Terezës, mjafton të largohesh një çast nga zhurma e përditshmërisë që deformon pamjen. Apo si thotë populli, mjafton të mos u vësh veshin “zilkave që pengojnë të dëgjohen këmborët”. Pasi ta kesh bërë këtë, për faktin që Nënë Tereza, nga jashtë e nga brenda, në kockë e në palcë, në ind e në qelizë, është një shqiptare tipike, dhe Nënat tona edhe ato secila në mënyrën e vet janë shenjtore, nuk mbetet asnjë dyshim.

Me veprën e Saj të pavdekshme, me vullnetin e Saj të pafundëm, me dashurinë e Saj të pakufishme, Nënë Tereza është një gjeniale universale sa shqiptare dhe botërore, sa tokësore dhe qiellore.

Nënë Tereza është drita e qiriut që i rrëfen rrugën udhëtarit të vetmuar nëpër natë, Fjala që ngushëllon fukarain, këshilla që sensibilizon zengjinin, durimi që zbut të pandjeshmin, arsyeja që largon urrejtjen dhe afron dashurinë.

Nënë Tereza është një fenomen unikal i atij lloji aq të lartë dhe i atyre përmasave aq të mëdha sa nuk mund të matet apo krahasohet, por vetëm pranohet dhe respektohet.

Nënë Tereza është dhurata më e vyer që Shqipëria ja fali Njerëzimit.

Nënë Tereza, e kudondodhura Shenjtore e dashurisë, urtësisë, mëshirës, ka qënë, është, dhe kurdoherë do jetë, prezente kudo ku qënia njerëzore vuan, ku shpirti njerëzor lëngon, ku zemra njerëzore rrezikon të ndali, sa këtu dhe tani, aq dhe në pafundësi dhe përjetësi.

Nënë Tereza është Nëna e atyre që dashuria u duhet por nuk e kanë, shëndetin e dëshirojnë por nuk e gëzojnë, hallet nuk u rreshtin, lotët nuk u ndalin.

Martirja Nënë Tereza është një univers i tërë cilësish dhe vlerash humane, religjioze, shoqërore.

Universaliteti i vlerave që Nënë Tereza përcjell, dhe pangjajshmëria e Saj, janë ato cilësi që më së shumti e katakterizojnë Shenjtoren tonë.

Përunjësia e Nënë Terezës ndaj Zotit dhe njerëzve, është mahnitëse.

Energjia e Saj, durimi i Saj, insistimi i Saj, janë të pafundëm.

Nënë Tereza me shembullin që dha u kujtoi njerëzve se nuk janë të përjetshëm por të vdekshëm; se rendja pas të mirave materiale nuk duhet të jetë e pafundme por duhet të ketë një kufi që nuk duhet kapërcyer; se nuk ekziston vetëm “uni”, vetëm “vetja”, por edhe “tjetri” i cili kur është në rrugë të mbarë duhet inkurajuar, kur është në nevojë duhet ndihmuar, kur gabon duhet falur.

Për Shenjtoren tonë mund të flitet pafund. Shqipëria dhe shqiptarët mund të mburren sa të duan për faktin se njerëzimit nuk i dhanë shenjtore të shquar në ndonjë aspekt të veçantë sado të rëndësishëm, por një Shenjtore gjithëpërfshirëse, një Shenjtore Nënë.

Please follow and like us: